Naim Idrizi ka punuar dy javë për t’i dhënë formë një murali. Muri i dëmtuar i ndërtesës, ku ka përfunduar shkollimin fillor, e nxiti artistin që t’i rreket ndërhyrjes artistike.

Këtë mural e ka titulluar “Eksodi”, për shkak se vlerëson se të rinjtë e qytetit të Kumanovës po e braktisin vendin për një perspektivë më të mirë.

Nga ana tjetër, përmes ngjyrave të këtij murali ka dashur të sjellë energji pozitive tek nxënësit që vijojnë shkollën “Rilindja” në fshatin Llojan, raporton KOHA.

Për ta realizuar muralin e përmasave të tilla, artistit i janë dashur 120 orë. Në punë i janë bashkuar edhe bashkëshortja Vlora Morina-Idrizi dhe i riu Bardh Idrizi.

Pesë ditë punë intensive, artisti nga Kumanova i ka shpenzuar edhe në krijimin e një murali shumëngjyrësh.

Këtë vepër ua ka dedikuar vajzave të tij. Murali me personazhin e njohur për fëmijë “Ariel” është pikturuar në dy sipërfaqe të murit për të marrë pamjen tredimensionale.

Përveç pikturimit në hapësira të jashtme, një mural të veçantë e ka krijuar edhe në interierin e një kafeneje të Shkupit.

Artisti nga Kumanova njihet për transformimin e objekteve përmes artit të tij tredimensional./koha.net/