Në kuadër të programit “Edukimi Përmes Kulturës”, Muzeu Historik Kombëtar organizoi aktivitetin “Muzeu im”, në shkollën 9-vjeçare “Dëshmorët e Lirisë“ në Tiranë.

Specialiste te Muzeut Historik Kombëtar shkuan sot, në shkollën 9-vjeçare “Dëshmorët e Lirisë” ku nxënësit kishin sjellë nga shtëpitë e tyre objekte të vjetra, që në kalimin e viteve dashur padashur kanë marrë dhe vlera muzeale si punime zbukurimore prej druri, bakri e bronzi, punime dore, kandil, mulli kafeje etj.

Nxënësit ishin impenjuar për të nxjerrë nga errësira, ku mbaheshin prej vitesh objekte që dikur ishin përdorur nga gjyshet apo gjyshërit e tyre. Eksperienca e nxënësve për risjelljen në vëmendje të objekteve të vjetra e që marrin vlera muzeale vjen si vazhdimësi e projektit “Muzeu im’’, inicuar nga Sektori i Programeve Edukative në Muzeun Historik Kombëtar. Në këtë projekt çdo qytetar mund të ekspozojë objekte të vjetra të trashëguara nga të parët e tyre. Ky projekt ka për qëllim që edhe qytetarët të jenë më afër muzeut dhe muzeu të jetë më afër shkollave duke sjellë sendet e tyre të vjetra.