Daim Miftari

Në ballkon taketukja e stërmbushur e duhanit
erëmon mendime të djegura
të një nate që shkoi.

Fëmijët kanë hapërdarë lodrat nëpër dhomë.
I shoh si lozin ata dhe mallëngjehem
për motrën time të vogël.
Loznim edhe ne kështu njësoj. Dhe për nënën që nuk është më.

Përjashta bën mot i mirë. Përtej qelqit të dritares, nëpër degët e bleruara të blirëve
bredhin të përmalluar zogjtë.

Gruaja më kujton për gjërat që mungojnë,
ushqimet që duhet blerë.
Duhet ta lyejmë apartamentin thotë,
janë zverdhur muret, tavani, i ka mbjështjellë myku dhomat.
Fëmijët më kujtojnë çfarë u kam premtuar mbrëmë.
Unë mendoj sa para kam në xhep.
Dikush i bie ziles.
Një poezi s’e shkruaj që s’e shkruaj dot.
Ndërsa ushqimi ftohet mbi tryezë.