Për katër pozita udhëheqëse në institucionet qendrore të kulturës garës i kanë hyrë dymbëdhjetë kandidatë. Në konkurset për drejtor të përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës, udhëheqës artistik të këtij institucioni dhe drejtor të Galerisë Kombëtare të Kosovës, si dhe të Baletit Kombëtar të Kosovës nuk ka pasur shumë të interesuar sikurse herëve të tjera. Konkurset janë mbyllur të hënën.

Aktorët Kushtrim Sheremeti e Blerim Krasniqi synojnë pozitën e drejtorit të përgjithshëm të TKK-së. Në garë është edhe regjisori e dramaturgu Naser Shatrolli, i cili aktualisht është ushtrues detyre i drejtorit të TKK-së. Shatrolli është punonjës i Ministrisë së Kulturës si zyrtar për biblioteka.

Për udhëheqës artistik në Teatrin Kombëtar të Kosovës kanë konkurruar regjisorët Sokol Plakolli dhe Ekrem Sopi. Pos tyre në garë është edhe dramaturgia Albana Muja.

Për drejtor të Baletit Kombëtar në listën e konkurrentëve janë balerini dhe ushtrues aktual i detyrës së drejtorit, Kreshnik Musolli dhe koreografët Labinot Rexhepi, Driton Saqipi dhe Luljeta Braha.

E pozitën e drejtorit të Galerisë Kombëtare të Kosovës e synojnë ish-drejtoresha Arta Agani dhe piktorët Jeton Rexhepi dhe Vlora Hajrullahu.

Ministria e Kulturës konkurset për këto pozita i kishte hapur në dhjetor. Vonesën e konkurseve e arsyetonte me mosmiratimin e kërkesës për këto pozita nga Ministria e Brendshme dhe ajo e Administratës Publike. Në qershor të këtij viti Gjykata Kushtetuese nxori aktgjykimin, në bazë të të cilit u vlerësua se nene të caktuara të Ligjit për zyrtarë publikë nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Këtë e përdorte si arsyetim edhe MKRS-ja.

Në fund të janarit të vitit të kaluar, MKRS-ja kishte paralajmëruar konkurs për dy pozitat më të larta menaxheriale në hierarkinë e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Ish-drejtorit të TKK-së, Agim Sopi, i kishte skaduar mandati më 18 janar të vitit 2020, përderisa pozita e udhëheqësit artistik kishte mbetur vakante qysh prej qershorit të vitit 2019. Mospranimi i detyrës nga Fatos Berisha kishte bërë që Këshilli Drejtues me shumicë votash të emëronte si ushtrues të detyrës së udhëheqësit artistik të TKK-së, aktorin Adrian Morina.

Në anën tjetër një opinion i Agjencisë Kundër Korrupsionit kishte bërë që Sinan Kajtazi të mos qëndronte më shumë se dymbëdhjetë ditë si i zgjedhur në pozitën e drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës. Me konkurs të brendshëm, balerini Kajtazi qe zgjedhur drejtor i këtij institucioni. Në fund të qershorit të vitit 2019, MKRS-ja kishte dhënë njoftimin për të si “kandidat të suksesshëm”, kur kishte bërë me dije se Kajtazi ishte zyrtarizuar në këtë pozitë.

Qysh prej gushtit të vitit 2020 edhe Galeria Kombëtare e Kosovës ka mbetur pa udhëheqës. Arta Aganit, që ishte zgjedhur në këtë pozitë në vitin 2016, i kishte përfunduar mandati. Aktualisht ushtruese e detyrës së drejtorit të GKK-së është Dhurata Ramosaj-Shala, njëherësh koordinatore e Galerisë së Ministrisë së Kulturës.

Sipas konkurseve, aplikimet mund të bëheshin prej 27 dhjetorit deri më 10 janar. Meqenëse 10 janari ishte ditë e diel, e drejta e konkurrimit është zgjatur edhe të hënën.

Drejtoresha e Departamentit të Kulturës në Ministrinë e Kulturës, Jehona Shyti, ka thënë se tash procesi u kalon këshillave drejtues të institucioneve përkatëse.

“Këshillat drejtues i zgjedhin dhe i shkarkojnë drejtorët”, ka thënë ajo.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Baletit kombëtar të Kosovës, Kreshnik Musolli, ka thënë se është mirë për institucionin që drejtori të zgjidhet sa më shpejt dhe periudha e ushtruesve të detyrës të jetë sa më e shkurtër.

“Baletin Kombëtar të Kosovës e presin shumë punë këtë vit dhe në vazhdimësi, por janë edhe problemet e shumta që duhen zgjidhur sa më shpejt, në mënyre që fokusi i institucionit të jetë në anën artistike e krijuese e jo me mungesën e kushteve esenciale për zhvillimin e veprimtarisë dhe aktiviteteve”, ka thënë ai.

Për të gjitha pozitat kërkohet që kandidatët të jenë profesionistë të fushave që mbulojnë institucionet. Kërkohet që ata të kenë nga shtatë vjet përvojë pune profesionale. Për Galeri kërkohen katër vjet përvojë pune në udhëheqje. Për udhëheqës artistik të TKK-së kërkohen pesë vjet përvojë pune relevante, kurse për drejtor të përgjithshëm, shtatë vjet përvojë pune, prej tyre katër në pozita udhëheqëse. Para hapjes së konkurseve ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, kishte ndërruar përbërjet e këshillave drejtues të këtyre institucioneve dhe të gjitha të tjerave. MKRS-ja vazhdimisht është kritikuar për politizim të këshillave drejtues, duke emëruar anëtarë partie prej nga vinin ministrat e Kulturës, apo njerëz të afërt me ato parti, në mënyrë që drejtorët e institucioneve të zgjidhen njerëz të pranueshëm edhe për partitë politike.

Prej ditës së 23-të të këtij muaji deri më 6 shkurt do të jetë i hapur konkursi për drejtor të Filarmonisë së Kosovës./koha.net/