Refik Kadija

Më 16 mars 2014 në gazetën “Illyria” të Nju Jorkut u botua një shkrim i shkurtër me titull “Pamjet nga Çamëria ekspozohen në Athinë si ‘Skena në Shqipërinë Jugore’”. Shkrimi njoftonte nxjerrjen në ankand nga “Vergos Auctions” në Athinë të kopjeve të gravurave nga George de la Poer Beresford. Ky shkrim shoqërohej me 2 gravura: një gravurë e vogel e Filatit dhe një më e madhe e Pargës. Teksti i plotë i këtij shkrimi është si më poshtë:

“Në Qendrën e madhe të ankandit në Athinë, “Vergos Auctions”, gjatë gjithë ditës së djeshme një seri pamjesh nga Çamëria dhe trojet autoktone shqiptare në Greqi u përshkruheshin si pamje nga “Shqipëria e Jugut”. Pjesë e Greqisë qysh më 1913, skena të dëbimit masiv dhe asimilimit të detyruar të popullsisë shekullore, këto gravura dëshmojnë se përkatësia e vjetër e këtyre trojeve nuk mund të shuhet nga dokumentet e vjetra dhe veprat e artit. Të shtunën, në “Vergos Auctions”, u nxorrën në shitje me tender, mes të tjerash kopje litografike të koleksionit të famshëm prej 12 skeçesh nga George de la Poer Beresford (1826-1865), me titullin “12 studime në litografi me ngjyrosje të dyfishtë, të skenave në Shqipërinë e Jugore”. Filati, në zemër të Çamërisë, qytete si Janina, Arta, Parga etj janë pjesë e këtij piktori të shekullit të 19 për të cilin kjo zonë kishte një emër të qartë “Shqipëria e Jugut”. Me këtë emër janë paraqitur edhe dje në Athinë. Sipas gazetës “Kathimerini” kopjet litografike të skeçeve janë ofruar për shitje në ankand duke filluar nga shifra ndërmjet 2,500 dhe 3,500 euro. Disa pamje të këtyre pikturave të asaj kohe janë zbuluar e botuar për herë të parë për shqiptarët nga përkthyesi dhe studjuesi i njohur Robert Elsie.”

Shkrimi në gazetën “Illyria” u bë nxitje për hulumtim mbi Beresfordin dhe veprat e tij.

Konstatojmë se Robert Elsie në shkrimin online në anglisht me titull“1889-1898 Sami bey Frashëri, Description of Chameria”ka botuar vetëm 3 gravura të Beresfordit – Paramithia, Filati dhe Parga, pa ndonjë koment rreth tyre apo autorit të tyre. Elsie i përdor ato 3 gravura si ilustrim të përkthimit të tij nga shqipja në anglisht të faqeve 1306 – 1316 të veprës madhore të Sami Frashërit “Kamus al-a’lam”. Faqet që përshkruajnë Çamërinë R. Elsie i ka marrë nga botimi shqip i veprës së Sami Frashërit, Vëllimi 7 (Prishtinë: Rilindja, 1984).

Për jetën dhe veprimtarinë e Beresfordit deri tani nuk është shkruar asgjë.

Beresfordi ishte një ushtarak britanik me prejardhje fisnike irlandeze. Arriti deri në gradën e kapitenit të këmbësorisë në Regjimentin 16 të ushtrisë britanike. U dërgua me mision ushtarak në Korfuz ndërkohë që ky ishull grek ishte protektorat i Britanisë së Madhe (për rreth gjysëm shekulli, deri më 1864). Duke gjykuar nga datëlindja e dy djemve të tij në Korfuz respektivisht më 1850 dhe 1853, misioni i tij ushtarak në ishullin grek duhet të ketë zgjatur rreth 4 vjet. Gjatë qëndrimit në Korfuz, Beresfordi u njoh me historinë e Ali Pashë Tepelenës dhe vizitoi Janinën dhe disa qytete të tjera të vilajetit të Janinës, si Artën, Paramithinë, Pargën, Filatin e Butrintin, të cilët i quan të gjithë qytete të Shqipërisë së Jugut. Në atë kohë në Korfuz banonin shumë shqiptarë, suliotë e të tjerë, disa prej të cilëve ishin të punësuar si mercenarë në ushtrinë britanike. Beresfordi duhet të jetë njohur me ta dhe duhet ta ketë mësuar prej tyre historinë e Ali Pashës.

Për jetën e George de la Poer Beresford-it ka shumë pak të dhëna.  Lindi më 13 shkurt 1826 në Irlandë. Ishte djali i pestë i Henry Barré Beresford-it dhe Elizabeth Bayly-t. Gjyshi i tij nga i ati ishte shtetari irlandez John Beresford. Më 18 tetor 1849, në moshën 23-vjeçare, u martua me Anne Conyers-in (1834-1854), bijën e gjeneral-leitnant Conyers-it, kur ajo ishte vetëm 15 vjeçe. Brenda pesë viteve Anne-a lindi katër fëmijë – tre djem dhe një vajzë: Charles Edward-in më 23 tetor 1850, Tristram Henry-n më 5 tetor 1851, Walter Montgomery-n më 1853  dhe Daphne Sarah-n më 24 shtator 1854. Anne-a vdiq në moshën 20-vjeçare, më 3 tetor 1854, dhjetë ditë pas lindjes së vajzës së tyre.

Djali i madh, Charles Edward de la Poer Beresford (1850-1921), lindi në Korfuz, u bë ushtarak si i ati dhe arriti gradën leitnant-kolonel. U emërua atashe ushtarak në Shën Petërburg dhe vdiq në moshën 71-vjeçare, më 22 gusht 1921. Djali i dytë, Tristram Henry Barré Beresford (1851-1917), gjithashtu u bë ushtarak dhe mori gradën e leitnantit në Flotën Mbretërore. Vdiq në moshën 66-vjeçare më 10 dhjetor 1917. Djali i tretë lindi gjithashtu në Korfuz por vdiq foshnjë më 1853. Vajza e tyre Daphne Sarah lindi në Aylesbury, Buckinghamshire, Angli, dhe vdiq e pamartuar në moshën 86-vjeçare më 25 prill 1941.

Beresfordi nuk ishte vetëm ushtarak por edhe piktor. Ai bëri dymbëdhjetë gravura të bukura të vendeve që vizitoi. Disa prej gravurave i shoqëroi me komente që dëshmojnë se ai kishte njohuri për Ali Pashën dhe historinë e Shqipërisë. Me këto gravura, në moshën 30-vjeçare dhe një vit pas vdekjes së bashkëshortes, Beresfordi botoi një libër me titull “Dymbëdhjetë studime në litografi me ngjyrosje të dyfishtë të pamjeve në Shqipërinë jugore” (angl.“Twelve studies in double-tinted lithography of scenes in southern Albania”), të cilin ia kushtonte një zonje irlandeze që kishte njohur në Korfuz. Ajo quhej Emily Cozziris (1800-1868) dhe ishte bashkëshortja e komandantit të burgjeve të Korfuzit Giovanni Cozziris. Babai i saj ishte konti dhe diplomati irlandez Richard Trench që kishte lidhje farefisnore me Beresfordin.

Dymbëdhjetë pamjet që skicoi Beresfordi përfshijnë Janinën, Paramithinë, Artën, Pargën, Filatin, Petan dhe Butrintin. Vizatimet e tij u litografuan nga firma e njohur për cilësinë e lartë të gravurave “Day & Son”, e themeluar nga botuesi e bukinisti William Day (1797-1845) dhe piktori belg Haghe dhe u botuan me 1 maj 1855 (Lithographers to the Queen, Gate Street, Lincoln’s-Inn Fields). Disa prej gravuave kanë subjekte të rralla dhe shoqërohen me tekste shpjeguese të ngjarjeve që kanë ndodhur ose thuhet se kanë ndodhur në rajon. Sipas konvencioneve estetike romantike të kohës, litografitë paraqesin panorama malore të qeta, ndërsa detajet piktoreske të jetës së përditshme që plotësojnë tablotë transmetojnë një ndjenjë qetësuese por të gjallë të pranisë njerëzore.

Libri me 12 gravura “Pamje në Shqipërinë jugore” nuk u ribotua më, por Beresfordi botoi dy romane me temë sociale: 1. “Clara Leicester; Roman”, në 3 vëllime, Londër, Hurst and Blackett, 1858; 2. “Kapuça dhe maska”, në 3 vëllime, Londër, C. J. Skeet, 1865. Beresfordi vdiq në moshën 39-vjeçare, më 5 qershor 1865 në Learmount, Londonderry, në Irlandën e Veriut.

Dymbëdhjetë gravurat e librit të Beresford-it “Pamje nga Shqipëria e Jugut” paraqesin pamje autentike të Paramithisë, Janinës, Pargës, Filatit, Butrintit, Artës dhe Petas, Për autorin irlandez të mesit të shekullit XIX të gjitha gravurat fiksojnë saktësisht “skena” të vendeve në Shqipërinë e jugut, që nga Butrinti e Paramithia deri në Artë – qytete e mjedise të vilajetit të Janinës që për gati gjysëm shekulli kishin qenë nën pushtetin autonom të Ali Pashë Tepelenës. Katër prej këtyre gravurave – “Pamje e Janinës Mali i Micikelit”, “Pallati dhe varri i Ali Pashës në Janinë”, “Salla e pritjes në pallatin e Ali Pashës në Janinë”, dhe “Pamje e Butrintit” komentohen nga vetë autori dhe i referohen direkt Ali Pashës.

Ndonëse kapiteni irlandez i ushtrisë britanike George de la Poer Beresford i vizitoi këto vende rreth 30 vjet pas vdekjes së Ali Pashës, duket që ai kishte njohuri për Shqipërinë dhe personalitetin e Ali Pashë Tepelenës. Fillimisht ai zbriti në qytetin e Korfuzit, i cili në atë kohë ishte kryeqyteti i protektoratit të Britanisë së Madhe ‘Shtetet e Bashkuara të Ishujve Jonianë’. Nga Kofuzi ai shkoi në Pargë dhe vendet e tjera të Pashallëkut të Janinës.

  1. Tablonë e parë Beresfordi e titullon “Pamje e Janinës. Në sfond, Mali Micikeli”, (i cili gjëndet në Çamëri, në very të Janinës), dhe jep përshkrimin që vijon: “Harqet e thyera të këtij pallati tashmë të rrënuar formojnë një kornizë të spikatur të një pamjeje të jashtme madhështore të kështjellës dhe liqenit të Janinës. Përtej është ishulli aq i famshëm në historinë e Ali Pashës dhe skena e tragjedisë së tij. Përtej larg në sfond është një mal i lartë që ngrihet përpendikular nga liqeni, një nga vargmalet e parë të Pindit të fuqishëm. Xhamitë, të zbukuruara me minare e qipariza, i shtojnë një përsosje të pasur kësaj skene magjepse.”

2. Tabloja e dytë titullohet “Pallati dhe varri i Ali Pashës në Janinë”. Në plan të parë janë shkallët e pallatit të Aliut, tre ushtarë me fustanellë, tre kalorës me kuajt e tyre dhe disa ushtarë më larg. Në sfond është xhamia dhe tyrbja (varri) i Ali Pashës ngjitur me të.

3. Tabloja e tretë mban titullin “Salloni i pritjes në pallatin e Ali Pashës në Janinë” dhe shoqërohet nga përshkrimi e komenti i vetë Beresfordit:

“Në këtë Sallon u krye një nga tragjeditë më të përgjakshme të hakmarrjes së thurur me mjeshtrinë më të stërholluar që mund të jetë imagjinuar ndonjëherë nga njeriu. Fshati i Garduçit (Kardhiqit) e kishte lënduar Aliun vite e vite më parë; në të vërtetë, ata thuajse e kishin merituar shpagimin e frikshëm me të cilin u përballën nga që e kishin trajtuar mizorisht nënën dhe motrën e tij, të cilat i kishin marrë rob në një zënie. Nëna e Aliut, kur ishte në shtratin e vdekjes, e kishte bërë të birin, i cili në atë kohë po ngrihej shpejt në famë, që të betohej se ‘do ta mbante mend Kardhiqin’; dhe vërtet ai ashtu bëri. U rrokullisën vite, por ai priti deri kur do të mund ta kryente hakmarrjen plotësisht dhe në mënyrë përfundimtare. Erdhi koha. Bejlerët dhe njerëz të shquar ishin ftuar në një banket madhështor në Janinë, ndërkohë që fshati i Kardhiqit, i cili ishte shumë milje larg, u rrethua me ushtarë. Në një orë të caktuar këta ushtarë i therën të gjithë banorët, kurse Bejlerët, të zënë në çark në Sallonin e Pritjeve, u vranë nga i pari deri tek i fundit. Shënjat e plumbave shihen ende nëpër mure edhe sot e kësaj dite.”  Këtu Beresfordi ka dhënë variantin e tij për historinë tragjike të kardhiqiotëve, ashtu siç do t’ia kenë treguar.

4. Tabloja e katërt titullohet “Panoramë e Butrintit në Shqipëri” dhe autori jep shpjegimin: “Ndërtesa në sfond është ndoshta kështjella e Ali Pashës”. Duket se autori nuk e ka vizituaar Butrintin, por ka kaluar aty pranë gjatë rrugës për në Gjirokastër dhe ka fiksuar një pamje romantike të qytetit të lashtë.

5. Tabloja e pestë titullohet: “Pamje e kështjellës së Janinës”. Si zakonisht në tablotë e Beresfordit, në plan të parë është prania njerëzore: tre burra shqiptarë me fustanellë, dy prej të cilëve kanë në kokë qeleshen e bardhë.

6. Tabloja e gjashtë: “Pamje e Paramithisë, Thesproti. Në sfond, kështjella e Agios Donatos”.

7. Tabloja e shtatë, me titull “Han në Epir”, ka më shumë prani njerëzore që përshtaten me mjedisin në plane të ndryshme.

8. Tabloja e tetë “Kështjella e Artës” shpalos një panoramë të gjërë: malet e Epirit në sfond, kështjella e qytetit, tri xhamia me minare të bardha, lumi Arakthos dhe në plan të parë një togë ushtarësh duke zbritur drejt çadrave të fushimit.

9. Tabloja e nëntë, një nga më të bukurat e koleksionit të Beresfordit, titullohet “Ura e mrekullueshme veneciane e Artës”. Piktori irlandez bën përshkrimin që vijon: “Një milje larg nga qyteti është një model i çuditshëm arkitekture që të sjell ndërmend në mënyrë të goditur fuqinë e venecianëve. Ajo është mjaft e mirëmbajtur, por vende-vende është e rrënuar sa që të shkakton një ndjenjë nervozizmi kur kalon mbi harkun më të lartë, i cili është me një kënd të mprehtë dhe ka një lartësi prej gjashtëdhjetë ose shtatëdhjetë këmbësh (18-20 metra). Përveç kësaj, kalldrëmi i thyer dhe pabarazia e harqeve formojnë një mbikalim të vështirë në një ditë të lagësht. Një rrap madhështor, trungu i të cilit ka një perimetër prej tridhjetegjashtë këmbësh (rreth 11 metra), nga ana e qytetit krijon hijen më të këndëshme për udhëtarin në stinë të nxehtë.”

10. Tabloja e dhjetë titullohet: “Pamje e Pargës me fortesën veneciane”.

11. Tabloja e njëmbëdhjetë titullohet “Pamje e Petas nga gjiri i Ambracias”.

12. Tabloja e dymbëdhjetë me titull “Pamje e Filiatit, Thesproti” është përshkruar dhe komentuar

gjërësisht nga Beresfordi, ndonëse piktori irlandez ka paraqitur një panoramë të Filatit në distancë, me dy-tri kulla e disa shtëpi fshati të shpërndara dhe vetëm një xhami në hyrje të një gryke mali me maja madhështore me bukuri të pakrahasueshme në sfond. Çuditërisht, kjo është e vetmja tablo ku prania njerëzore mungon.

Më 1850 George de la Poer Beresford kaloi nëpër Filat dhe qëndroi si mik në shtëpinë e Xhafer Dem Pashës, njërit prej dy bejlerëve shqiptarë kryesorë të krahinës. Aty bëri një pikturë dhe një përshkrim të qytetit.

Beresfordi bën për tablonë e tij të Filatit përshkrimin që vijon: “Filati është i vendosur pranë një gryke malore të një bukurie të pakrahasueshme dhe është afërsisht dhjetë apo dymbëdhjetë milje larg nga deti, nga Sagiadi, ku ndodhet vend-qëndrimi i zëvendës-konsullit britanik dhe porti kryesor ku hipet për të shkuar në Korfuz dhe në Janinë. Çdo udhëtar britanik ose francez që ka kaluar nëpër Filat duhet të jetë në gjëndje të dëshmojë për mikpritjen e të vesë së Xhamer Beut (nënës së Xhafer Beut). Ajo është një person i famshëm në krahinën e saj; ajo pajton mosmarrëveshjet dhe administron drejtësinë në fshatin e saj. Ajo shfaqet gjithnjë e pambuluar ulur në divanin e saj me të birin i cili është Pasha dhe që tani është duke luftuar kundër rusëve. Si turkeshë që është, ajo nuk ha bashkë me të krishterët, por e mban tryezën të mbushur plot e përplot, ku udhëtarët gjithnjë janë të mirëpritur për ushqim e fjetje. Është një fakt i habitshëm që lejlekët, të cilët i ndërtojnë foletë e tyre në oxhaqet turke, i shmangen shtëpive të grekëve. Bile edhe në një fshat të përzier, ku është e vështirë të bësh dallim midis shtëpive, siç është Filati, ju mund ta dalloni një shtëpi turke nga ky diskriminim i çuditshëm i këtyre shpendve.”

Më pak se dy vjet pas largimit të Beresfordit nga Korfuzi, erdhi aty në verën e vitit 1856 udhëtari e piktori i njohur anglez Edward Lear. Ishte vizita e tij e dytë në Korfuz e në trojet shqiptare, pas vizitës së parë të vitit 1848. Kësaj herë pikërisht në Korfuz Lear-i u njoh dhe lidhi miqësi të përjetëshme mbi 30-vjeçare me shqiptarin Gjergj Kokalli dhe me djalin e tij Nikolla Kokalli, siç dëshmon edhe epitafi i vënë nga Lear-i mbi pllakën e varrit të tyre: “Në kujtim të GjERGJ KOKALLIT, një shqiptari të krishterë nga Suli, lindur në Korfuz më 1817, vdekur në Monte Generoso më 8 gusht 1883, në moshën 66 vjeç, varrosur në Mendrisio. Ai ishte për 30 vjet shërbëtori dhe miku besnik i EDWARD LEAR-it, i cili në kujtim të shërbimeve të tij dhe të atyre të djalit të tij Nikollë vendosi këtë gur këtu. Gjithashtu në kujtim të NIKOLLA KOKALLIT, djalit të madh të Gjergj Kokallit të mësipërm, lindur në Korfuz më 1850, vdekur në San Remo më 4 mars 1885 në moshën 34 vjeçare”. Edward Lear-i vdiq më 29 janar 1888 dhe u varros përbri varrit të dy Kokallëve ne varrezat e San Remos, Itali.

Edward Lear-i gjithashtu e vizitoi Filatin dhe qëndroi mik në shtëpinë e Xhafer Pashës. Ai bërë më shumë se dhjetë vizatime e skica të shtëpisë së tij të rrethuar me mure të lartë e kulla me frëngji, një pjesë e të cilës duket në anën e djathtë të tablosë së Filatit.

Përshkrimin e hollësishëm të shtëpisë së Xhafer Pashës piktori e ka dhënë në një letër që i dërgon motrës së tij Ann nga Filati me 13 gusht 1856, në të cilën i tregon për udhëtimin që do të bënte në disa qytete të Shqipërisë së Jugut që nuk i kishte parë gjatë udhëtimit të tij të parë më 1848:

“13 gusht 1856, Filat, përballë Korfuzit.

Ja diçka e re për ty!! Kur erdha në qytet, shkova për të qëndruar nja dy ditë me Frank L. deri sat ë pastroheshin dhomat e mia siç duhet. Dhe me qenë se telajet e mia të mëdha nuk kishin ardhur, m’u mbush mendja ta shikoja edhe një çikë më tepër botën përpara se të shtrohesha në punë vëndçe përsëri. F. Lushingtoni dhe Kolonel e Zonja Ormsby kishin planifikuar të niseshin me datën 7 për Delvinë—kështu që unë pranova të bashkohesha me ta, me qenë se nuk e kisha parë kurrë atë pjesë të Shqipërisë—dhe pastaj, planifikova të shkoj në Janinë, dhe po të ishte e mundur të vazhdoja udhëtimin që e dëshiroja prej kohësh deri te Mali Athos,—që të mund të kthehesha në Korfuz sa më herët në shtator. Tani ti duhesh ta kesh të qartë se në kohën e sotme gjërat nuk janë siç ishin më 1848: ne kemi tani konsuj në shumë vende dhe, ndonëse unë marr një dyshek dhe gjëra gatimi me vete, ato nuk do të më nevojiten thuajse fare. Udhëtimi ynë me jaht deri në Sarandë ishte i këndshëm—dhe të paktën kësaj radhe po filljonë të më pëlqejnë jahtet—të paktën Mixhi i vogël me vela. Me 8 gusht çifti Ormsby, Franku dhe unë arritëm herët në Delvinë, e cila është jashtëzakonisht piktoreske. Dukej mjaft e çuditshme që të gjëndeshim befas përsëri të ulur këmbëkryq në divane pranë sofrave të rrumbullakta! Por pamjet piktoreske e të mrekullueshme të Shqipërisë janë po aq të reja dhe të bukura kurdoherë—dhe pas ullinjve të përjetshëm, ndonëse të këndshëm të Korfuzit—duhet të them se ne, F. dhe unë—u ndjemë shumë të shlodhur.

Me datën 9 u kthyem në bregdet dhe atje Koloneli dhe Zonja Ormsby u ndanë nga ne, kurse ne të dy u nisëm me nxitim me jahtin Midge për në Skala Sagiada; me datën 10 herët  zbarkuam atje, ku mora me vete dragomanin tim Gjergjin dhe bagazhet e mia. Ne arritëm shpejt në këëtë vend – në Filat dhe u rehatuam mirë në shtëpinë e Xhafer Pashës. Sa do të dëshiroja që ti të mund ta shihje atë shtëpi! Është një nga ato shtëpitë e çuditshme turke me çati dhe grila, e rrethuar brenda një oborri me mure të lartë dhe me kulla; muret janë të nxirë nga galat (stërqorkat) dhe kullat zbardhojnë nga lejlekët që rrapëllijnë si gjthmonë. Më vjen keq të të them se mbasdite u rrëzova keq nga një palë shkallë guri; çështja mund të kishte qenëe serioze, por për fat të mirë nuk theva ndonjë kockë, ndonëse nuk qeshë në gjëndje të lëvizja për udhëtim deri sa bëra një pushim të mirë. Kështu që unë kam qëndruar këtu gjatë tri ditëve – me 11, 12 e 13 gusht – dhe nesër do të shkoj deri në Keramicë gjat rrugës për në Janinë, por në qoftë se e shikoj sado pak që nuk ndjehem mirë, do të kthehem në Korfuz menjëherë, të cilin mund ta shikoj nga kodrat këtu afër. Shkuarja në Athos varet nga kjo  dhe gjithashtu nga çfarë mund të dëgjoj kur të shkoj te shtëpia e Damaschino-s, Konsullit tonë në Janinë, ku do të gjej edhe zotin Saunders. Vërtet që do të dëshiroja shumë ta shihja Athosin e bukur e të mrekullueshëm—dhe kjo është hera e tretë që përpiqem. [. . . ]

Sot jam shumë më mirë—jam vërtet mirë—dhe udhëtimi nesër mban vetëm 5 orë, si fillim. Ndjehem vërtet për mrekulli këtu sepse jam në gjendje të flas, me aq pak sa di, në greqisht. Gjergji flet shqip gjithashtu, kështu që e kalojmë shumë mirë. Për mua ai është një shërbëtor i shkëlqyer, aktiv dhe i qetë, deri tani. [. . . ]

Do të të sjell disa qëndisma, ose diçka të tillë, nga Janina. Ndërkohë, do të të shkruaj që andej, edhe nga Larisa dhe Selaniku—nëse shkoj ndonjëherë atje—kështu që do të mësosh mjaft rregullisht gjithshka që bëj.”

Kjo është një nga pikturat më të bukura që Edward Lear-i ka bërë për Filatin. Në cepin e majtë ajo mban datën 13 gusht 1856. Nga ‘pozicioni i kodrave dhe natyra rreth planit të parë” Lear-i gjykonte se panoramat që shpalosen pranë Filatit janë “disa nga skenat më të bukura në gjithë Shqipërinë dhe në vendet rretherrotull.”Kjo tablo, ndonëse e bërë nga një distancë më e largët nga fshati, paraqet thuajse të njëjtin sfond që ka gravura litografike e Filatit realizuar nga George de la Poer Beresford në vitin 1850.