Prof. Xhevat Lloshi

 (Vijon nga numri i kaluar)

Pa ndërprerje Samiu vitin tjetër botoi të tretën dramë Gjave, pjesë teatrale në pesë akte me temë nga ‘Shahnameja’. Është përkthyer shqip nga Vasfi Samimi më 1975 dhe është botuar më 2008 me titullin Giave në Vëllimin 20 të Veprave të tij në TiranëE ka përkthyer gjithashtu R. Morina dhe është botuar në Prizren më 2005 me titullin Farkëtari Gjave. Nxjerrja e lejes nga Komisioni i censurës pranë Ministrisë së arsimit të Perandorisë Osmane për botimin e veprës, nuk kishte qenë e lehtë për autorin. Samiu më 20 janar 1876, i ka shkruar nga Stambolli vëllait, Abdyl Frashërit, i cili ndodhej në Janinë: «Nuk kam shpresë se do ta japin lejen. Po e dhanë, do të jetë shumë mirë ». Leja u dha, por me një kusht: të hiqej nëntitulli ‘Tirania e Tiranit‘. Rauf Morina e ka ndryshuar titullin në Farkëtari Gjave, për ta bërë më të kapshëm për lexuesin shqiptar, si dhe duke e rikthyer nëntitullin: Tirania e Tiranit.

Nuk mund të pranohet, siç shkruan në parathënien e vet përkthyesi R. Morina, se Samiu vendosi ta shkruante dhe ta botonte këtë  dramë po në atë vit 1876, që të vinte në thumb të kritikës absolutizmin e pushtetit të sulltan Abdylhamitit të Dytë, duke e krahasuar këtë pushtet të tij me pushtetin imagjinar barbar të personazhit kryesor të dramës, të Dahakut. Vetë Samiu parathënien e kësaj drame e ka shënuar me datën 8 janar 1876, domethënë realisht veprën e ka përfunduar vitin e mëparshëm, më 1875, kur nuk kishte hipur në fron Abdylhamiti. Nuk ka asnjë gjasë, që Samiu të përfytyronte një ballafaqim të një tirani real turk të kohës së tij me një mizor nga tradita mitologjike persiane. Shtysa për të hartuar një dramë me atë tematikë ka qenë sërish letrare dhe historike. Këtë e ka shtjelluar me hollësi Samiu në Parathënien pak më të gjatë.

Figura e tiranit Dahaku është marrë nga kryevepra e letërsisë persiane “Shahname” (Libri i mbretërve) e poetit të madh persian Firdusit (930 – 1020). Poema është përkthyer shqip nga Vexhi Buharaja dhe është botuar nëTiranë më 2001. Ndonëse figura e heroit të dramës është Gjaveu dhe prej emrit të tij e ka marrë titullin drama, ai del në skenë vetëm në mes të pjesës. Kjo është bërë që të dalë mirë së pari figura e gjakatarit dhe atëherë të përligjen veprimet e një njeriu të thjeshtë dhe të mbështetësve të tij nga populli.

Te poema e Firdusit, Dahaku është një mbret i Arabisë, i cili e pushtoi Persinë dhe rrëzoi nga froni shahun – Xhemshitin. Në legjendën popullore persiane, Xhemshiti quhej se kishte sunduar me drejtësi, madje kishte reformuar legjislacionin, prandaj krahasohej me Solonin e Athinës (në shek. VII-VI para e.r. dhe jo me Solomonin, në shekullin V-VI para erës së re, siç shkruhet nga përkthyesi në Parathënie). Gjithnjë sipas legjendave, në të cilat edhe koha është legjendare, Firdusi e paraqet mbretin Xhemshit se paska sunduar në Persi më se shtatë shekuj dhe kjo paska qenë një kohë e artë. Për pasojë, te persianët u përftua edhe kulti i besimit ndaj tij, i quajtur Kulti i Xhemit. Turqisht për këtë arsye Irani quhej Axhemistan dhe kjo fjalë njihej edhe te ne gjatë sundimit osman. Kështu iranasit e vjetër i faleshin Kultit të Diellit. Pasi e pushtoi Persinë, Dahaku i egër në radhë të parë u përpoq të çrrënjoste besimin e vjetër dhe ta zëvendësonte me besimin e tij, që kishte në qendër adhurimin e gjarpërinjve. Ai shembi faltore të tëra kushtuar Kultit të Xhemit, dhe në vend të tyre ngriti faltore të reja të kultit të gjarpërinjve.

Natyrisht, Dahaku i Samiut nuk është i njëjtë me Dahakun e Firdusit, sepse qoftë edhe vetëm trupërisht do të dilte në skenë një figurë e neveritshme me gjarpërinjtë si pjesë fizike të tij. Sipas një skeme të njohur në dramat e kohës, për ta mbajtur të gjallë dhe përballë befasive vëmendjen e shikuesit, Samiu i mban të fshehura marrëdhëniet farefisnore të personazheve, të cilat zbulohen vetëm nga fundi i pjesës. Egërsia fanatike e Dahakut shkon deria aty, sa vendos të ushqejë gjarpërinjtë me trutë e fëmijëve të të gjithë atyreve, që nuk i nënshtroheshin dhe nuk e braktisnin besimin e vet të parë. Atëherë u vjen radha edhe dy bijve të farkëtarit, që të flijoheshin për gjarpërinjtë. Me këtë kupa e durimit mbushet dhe farkëtari Gjave vihet në krye të popullit për ta rrëzuar tiranin gjakpirës. Ai ngre si flamur përparësen e tij prej lëkure dhe çekanin në dorë e njëkohësisht shpëton  prej flijimit edhe dy bijtë e vet. Ndoshta Samiu ka huazuar diçka nga historia e bashkimit të Italisë, për të cilën luftoi Garibaldi me këmishëkuqtë e tij (ndër ta kishte edhe mjaft arbëreshë), kështu edhe Gjaveu nuk pranon të bëhet sundimtari, por e fton Feridunin që të marrë pushtetin mbretëror. Por Gjaveu i kërkon atij të betohet, se nuk do të ndahej nga drejtësia dhe  e vërteta, se do të ishte i arsyeshëm e i përmbajtur, ndërsa nënshtetasit e vet do t’i shihte si ati dhe vëllai i tyre. Drama mbyllet me disa vargje, ndër të cilët edhe:

                     Dhe se çdokush që lufton për drejtësi, trim dhe atdhetar është!

si dhe me thirrjet: Rroftë drejtësia! Rroftë ligji dhe miqësia! Poshtë dhuna e tirani!

Pikërisht në ditët, kur Samiu merrte lejen për botimin e dramës, ka shkruar në gazetën «Sabah» (2.VI.1876) një artikull, në të cilin ndër të tjera lexojmë: “Shkaku kryesor e ndoshta edhe shaku i vetëm që Perandoria prej kaq kohësh ka rënë në telashe të mëdha dhe që vatani ynë ka mbetur prapa nga vendet e tjera të Europës, është sistemi despotik.”, domethënë ngrihej kundër sistemit dhe jo kundër një sundimtari real osman. Është i dukshëm ndikimi i ideve të iluminizmit francez, që po zinin vend në kryeqytetin osman.  Duke mbajtur parasysh këto rrethana historike e letrare, mund të kuptojmë drejt edhe Parathënien e dramës.

Sërish Samiu flet për veprat tona kombëtare dramaturgjike, domethënë për atë si autor, dramaturgjia turke është kombëtare. Sërish ai i drejtohet dramaturgjisë europiane, Shekspirit e Hygosë. Ndërsa diskutimin këtë radhë e ka për marrëdhëniet ndërmjet përmbajtjes së një vepre letrare me historinë dhe me legjendën, sepse e quante historinë një burim të pasur për vepra teatrale. Ai e përligj, që drama e vet nuk është në kundërshtim me ngjarjet historike, madje edhe është në frymën e rregullave të shkrimtarëve perëndimorë. Vetë Parathënien e ka vënë “jo sa për ta shkruar sipas zakonit”, por për të argumentuar, që me këtë trajtim: “drama ime është fryt i imagjinatës dhe e përshkruar jashtëzakonisht mirë, ndërsa historisë në këtë drejtim i mungojnë që të dyja këto anë, – drama ime e përgënjeshtron historinë.” Besoj se këto fjalë nuk i drejtoheshin lexuesit ose shikuesit të dramës, por kritikëve letrarë të kohës, që të mos i shtrembëronin synimet e autorit të dramës. Shkurt, me parathëniet dhe me tekstet e dramave, Samiu merrte pjesë në atmosferën polemike letrare të kohës.

Përmbysja e tiranisë ishte një temë tërheqëse për gjithë inteligjencien pëparimtare turke dhe, si gjithnjë, nën ndikimin e shoqërimeve me Revolucionin Francez. Kumtuesi i mësipërm turk më 2004, Azmi Bilgin, sërish sipas një libri për teatrin turk nga Niyazi Akı, e ka thënë kështu: “Ky tregim është pëlqyer shumë nga ana e intelektualëve të kohës, ngase u përkujtonte Revolucionin Francez.” Me një përgjithësim, A. Bilgini shprehet: “Pika e përbashkët e veprave teatrale të Shemsedin Samiut, krahas elementëve që të çojnë drejt ndjenjave romantike, është edhe lufta midis drejtësisë e tiranisë dhe në fund fitorja e drejtësisë.”  Për më tepër, ai e thekson, se konceptimi i kombëtares në kohën e shkrimtarit ka qenë shumë më i gjerë sesa sot.

***

Autori turk A. S. Levendi në librin e tij “Sami Frashëri” (botuar shqip më 2004) përmendte edhe një dramë në tre akte “Ndërgjegjja”, por pa të dhëna të tjera për të gjykuar më tepër, sepse as në gjuhën turke nuk ishte botuar. Ndërsa pas hulumtimeve, dorëshkrimin e zbuloi më 2011 në Arkivin Qendror Shtetëror  prof. dr. Irfan Morina, orientalist. Sipas mendimit të tij, është hartuar në vitet 1876-1877, domethënë pikërisht në vijim të vrullit dramaturgjik të Samiut. Ishte shkruar në osmanishten e kohës, prandaj edhe këtë I. Morina e ktheu në turqishten e sotme. Kjo bëri të mundur që Raif Morina në Prizren ta përkthente shqip më 2013. U botua shqip më 2014 nga Shtëpia Botuese “Logos-A” e Shkupit, me rastin e përvjetorit të vdekjes së Samiut.

Ngjarjet e dramës i përkasin vitit 1498 në Granadë të Spanjës. Është koha e sundimit të mbretit Ferdinand të Aragonës dhe mbretëreshës Isabela të Kastiljes. Me forcat e tyre të bashkuara ata ia arritën të dëbonin arabët maurë prej asaj province dhe të shtinin në dorë Granadën. Po binte edhe qyteti i fundit dhe këto ngjarje tronditëse e të përgjakshme përfshinë në vorbullën e luftës edhe jetën e njerëzve nga të dy anët e ndërluftuesve. Fatma dhe Hasani, motër e vëlla, janë në qendër të ndërlikimeve të veprimit. Ajo është e fejuar me Ridvanin, që mishëron luftëtarin e palës arabe. Hasani përkundrazi, dashuron Lionorën nga pala e spanjollëve dhe kështu mishëron njeriun e lëkundur ndërmjet dashurisë dhe detyrës kombëtare. Konvertohet në katolik, ndryshon edhe emrin, madje është gati të flijojë edhe të ardhmen e së motrës, duke pranuar që edhe ajo të ndërrojë emrin e të martohet me kunatin e tij të ardhshëm. Kur këto plane të këqija shkojnë mjaft larg, pas rimarrjes së qytetit nga spanjollët, Hasanin fillon ta brejë ndërgjegjja. Pikërisht për këtë arsye e ka titullin “Ndërgjegjja”, duke e quajtur se aty konflikti midis dashurisë dhe atdhetarisë është vatra e shtjellimit të ngjarjeve dhe morali i dramës.

Kështu thuret një tekst melodramatik me personazhe të ndërkryqëzuara mes palëve kundërshtare në luftë. Autori ka shfrytëzuar gjithë sajesat e zakonshme të intrigave, synimeve të fshehura, shfaqjeve të papritura, monologëve patetikë dhe dialogëve me shumë “ah!” e “oh!”, moralizimeve e ndjenjave të larta, të shprehura me retorikë. Zgjidhja është e llojit me fund të lumtur, ku ngadhënjen vetëdija atdhetare, por pa e flijuar edhe pasionin.

Nuk e besoj që në ato vite Samiu mendonte për shpërnguljet masive të shqiptarëve pas rënies së Perandorisë Osmane dhe as mund të bëhet ndonjë paralelizëm me largimin e arabëve nga Spanja, dhe me fatin e mundshëm të shqiptarëve, siç e shohim te parathënia e përkthyesit. Lexuesi i sotëm shqiptar e ka të vështirë të orientohet me lehtësi në stilemat patriotike të personazheve, sepse ka përvojën historike të luftërave në shekullin e fundit, të lëvizjeve çlirimtare dhe në veçanti prej arritjes së pavarësisë së Kosovës. Lidhur me këtë të fundit përkthyesi, i cili ka përballuar punën e vështirë për ta kthyer tekstin shqip, në Parathënie nuk ka arritur të bëjë dallimet e mëdha historike ndërmjet së kaluarës dhe të sotmes.

Mjafton të përmend nocionin themelor të atdheut, i cili nuk përkon historikisht mes maurëve në Spanjë dhe shqiptarëve, që janë autoktonë në Kosovë. Rrjedhimisht, lexuesi ynë i sotëm, i cili pa dyshim e çmon mbi gjithçka dashurinë për atdheun, nuk e percepton se si do ta pranonte atë lidhur me maurët, që e kishin pushtuar Spanjën shumë shekuj më parë. Përkundrazi, atij i përfytyrohet sundimi po ashtu shumëshekullor i osmanëve, duke i ngjallur asociacione të kundërta. Përveç kësaj, dramën e përshkon një konflikt i hapur edhe ndërmjet besimeve fetare. Nuk është e nevojshme të zgjatem për këtë anë, që e njohin mirë të gjithë në kontekstin e sotëm kombëtar dhe ndërkombëtar. Nga ana tjetër, është e vërtetë historike, që në periudhën e Ferdinandit të Aragonës dhe Isabelës u ngrit Inkuzicioni i tmerrshëm spanjoll me gjithë krimet e tij deri kundër njerëzve të shkencës, por nuk ka si të harrojmë që më 1492 ata mbështetën ekspeditën e K. Kolombit për zbulimin e Amerikës dhe po në atë vit, me pushtimin e principatës së Granadës arritën në fakt bashkimin e Spanjës. Historia është e mbushur me kundërthëniet e veta dhe sot shtrohet çështja që të mos gjykohet vetëm me qëndrimin tendencioz, sipas interesave vetëm të njërës palë. Për të gjitha këto arsye është e vështirë të pranohet pohimi i asaj parathënieje të përkthyesit, se: “Drama ka si temë bosht ngjarjet e hidhura në Granadën e  Andaluzisë së Spanjës, kur kjo provincë u pushtua nga mbreti Ferdinand dhe mbretëresha Izabelë, në vitin 1492, pas më se shtatë shekujsh sundimi nga arabët.” Po ashtu nuk mund të pranohet pohimi, se Samiu:  “kishte frikë se mos e njëjta fatkeqësi do t’u ndodhte edhe shqiptarëve pas rënies së Perandorisë Osmane, duke i ditur rrethanat e atëhershme gjeopolitike.” Në vend të shtjellimeve të gjata, po kufizohem me një krahasim: kjo është njësoj si të thuash, që në fund të shekullit XX shqiptarët e Kosovës e ripushtuan vendin e tyre.

Me temën e marrë nga ngjarjet historike në Spanjë, kjo dramë afrohet me “Sejdi Jahjanë” dhe prandaj ka vend të përsëriten arsyetimet e vetë Samiut, që: “Megjithëse historia jonë është e mbushur plot me ngjarje të tilla, të cilat meritojnë të jenë subjekte dramash, përsëri jemi të detyruar që drama të tilla kombëtare t’i shoqërojmë edhe me tema dashurie e martesa të dhunshme.”

Duke i pranuar të metat e veprës edhe nga ana artistike, për të cilat vetë Samiu duket se ka qenë i vetëdijshëm e prandaj nuk vendosi ta botonte, do të shtoja se është e natyrshme që ato do të binin edhe më tepër në sy pas pothuaj një shekulli e gjysmë. Mund të thuhet atëherë se kjo dramë nuk do të kishte gjasa që të vihej me sukses në skenën tonë sot. Rrjedhimisht, ajo mbetet pjesë e krijimtarisë letrare të Samiut, që e vlente të zbulohej e t’i bëhej e njohur botës sonë letrare. Sipas transkriptuesit, I. Morinës, ka mundësi që ndonjë faqe e fundit të ketë humbur ose vetë Samiu ta ketë lënë me kaq dorëshkrimin.

Në fund të librit “Përpjekjet e heronjve në përhapjen e Islamit”, botuar më 1884 dhe përkthyer shqip më 2004, Sami Frashëri ka dhënë një listë të shkrimeve të veta të botuara dhe të pabotuara. Aty renditet te nr. 28 edhe Mezalimi Endelus, që shqip me përpikëri do të përkthehej Mizoritë në Andaluzi. Autorët që do të shkruanin për Samiun, do ta përmendnin shkarazi, mes trashëgimisë së tij të panjohur, me titullin  Dhuna e Andaluzisë. Dorëshkrimi i saj ende mbetet i panjohur.

Me temë nga ‘Shahnameja’ ka mbetur në dorëshkrim edhe drama “Shuhrabi ose Përsiatësi” (Suhrab Yahud Ferzendkuş), të cilën e ka përmendur te gazeta “Serveti Fünun” më 19 qershor 1876 dhe, siç u tha më lart, e la vetë mënjanë si provën e parë pa sukses. Po atë vit njoftonte se po shkruante dramën “Fëmijët” (Çocuklar), dhe  një tjetër “Përsëri Besa” (Yine Besa), si dhe “Shtriga” (Cadı), por më shumë nuk dimë gjë për këto.

Si shpjegohet ky pasion rinor i tij për skenën? Ai ka folur disa herë për këtë; kështu te parathënia e dramës së dytë të botuar theksonte domosdoshmërinë dhe dobinë e teatrit, si dhe epërsinë që gëzonin shfaqjet e teatrit kombëtar. Ndërkaq, gjithçka nevojitet të vendoset në mjedisin letrar e kulturor të kohës. Drama e kultivuar nuk kishte ndonjë traditë në kulturën turke. Pas reformave të Tanzimatit për disa dhjetëvjeçarë fryu një erë e re në kryeqytetin osman. E para pjesë teatrale turke ka qenë një komedi (1860) e shkrimtarit Shinasi, pa ndonjë vlerë të veçantë; tragjedia e parë në vargje u shkrua nga Ali Hajdar Beu dhe drama e parë romantike nga shkrimtari i njohur Namik Qemali (1840-1888). Po Namik Qemali duhet përmendur sidomos, sepse hartoi më pas një varg dramash romantike, shpesh nën ndikimin e drejtpërdrejtë të teatrit francez. Pjesa e tij “Vatan” u prit me entuziazëm nga shikuesit më 1873, por autoritetet e internuan për këtë. Shkurt, Samiu u përfshi po në këtë rrjedhë të letërsisë me N. Qemalin, po edhe të mendimit politik kundër sundimit autokratik. Nuk mund të mos shtoj me këtë rast, se edhe për romanin e parë të Samiut Dashuria e Talatit me Fitneten, kritika turke e pranon se ka ndikuar te Namik Qemali për romanin “Zgjimi” (Intibah). Njerëzit përparimtarë të Turqisë po zbulonin rolin shoqëror të teatrit. Samiu te njëra parathënie ka vënë në dukje: “Nuk e shoh të nevojshme që të ndalem gjatë në domosdoshmërinë dhe dobinë e teatrit, si dhe mbi epërsinë që gëzojnë shfaqjet e teatrit kombëtar.”

***

Koha e dramave të Samiut është periudha e quajtur e “perëndimorizimit të letërsisë turke” pas Tanzimatit, e cila mendohet se vijoi deri më 1878. Siç e paraqet një histori e shtetit osman (Historia e shtetit, shoqërisë dhe qytetërimit osman, Vol. 2, Tiranë, 2009): “Ka  shumë mundësi që të rinjtë e dërguar në Europë për t’u shkolluar gjatë periudhës së Tanzimatit, në disa fusha dhe me synime të ndryshme, u përfshinë në rrethet letrare të këtyre vendeve, u familjarizuan me letërsinë perëndimore dhe i sollën format letrare në Turqi.” (f. 102). Gjithashtu në Stamboll nisën të vinin trupa teatrore me pjesë frëngjisht e italisht. Por gjithë veprat për skenën nuk janë vlerësuar lart: “Ato nuk kanë gjuhë teatrale, nuk trajtojnë me teknikën skenike dhe shfaqin ndikime të huaja në masë të madhe.” Duke qenë e tillë përgjithësisht drama e kohës, nuk mund të shtrojmë kërkesa të larta edhe për veprat e tilla të Samiut, ndërsa mund të pohojmë se ndonjë prej tyre ka qenë mbi nivelin e përgjithshëm. Edhe për “Besën”, që mbetet pjesa e tij më e mirë, R. Qosja është shprehuar, se nuk ka vlera të shquara artistike, ndërsa monologët e figurave në një mjedis baritor kanë natyrë lirike, me vetëshprehje e vetëvlerësim, por pa tensionin e konfliktit të thënieve, që është tipik për dramën e mirëfilltë. Gjithsesi,  A. S. Levendi në librin e   vitit 2004, ndonëse nuk ka bërë ndonjë trajtim si studim letrar për dramat e Samiut, ka shkruar: “Sami Frashëri subjektet e pjesëve teatrale i ka të mirorganzuara dhe nuk bien poshtë nga veprat teatrale të kohës së tij. Madje te drama Besa vrasja e të birit për të mbajtur fjalën e dhënë është konsideruar një finale e suksesshme.”

Që është e nevojshme të njihet më gjerësisht krijimtaria e Samiut do ta vërtetonte mjaftueshëm edhe vetëm fakti i mëposhtëm. Në ribotimin e “Fjalorit enciklopedik shqiptar” më 2008 shënohet vetëm drama “Besa” dhe i gjithë artikulli për Sami Frashërin është po ai, që ishte paraqitur një çerek shekulli më parë! Ndërkohë ne kishim nxjerrë me Shtëpinë Botuese ‘Logos-A’ veprën e Sami Frashërit në 20 vëllime, shoqëruar me vëllimin plotësues, që përmban edhe bibliografinë e plotë të shkrimeve të tij dhe të çfarë ishte shkruar deri atëherë për jetën dhe veprën e tij. Ndërsa tashti bëhen 4 drama jo vetëm të njohura, po edhe të përkthyera shqip, një pasurim i vërtetë për historiografinë letrare shqipe.