PARATHËNIE

“Me vdek për atdhe, është njësoj sikur me le”, kjo fjalë e urtë popullore përmban një porosi me karakter jetik për sa i përket historisë sonë kombëtare, e me theks të veçantë për ne shqiptarët që jetojmë në Republikën e sotme të Maqedonisë. Nxitja ime, që t’i rrekem Organizatës Kombëtare “BESA” 1935-1944, dega e Tetovës, është amanet i lënë peng brez pas brezi nga veprimtarët e kombit. Tetovarët gjithmonë kanë vepruar për çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare në kuadër të Organizatës “BESA” gjatë periudhës së Mbretërisë Jugosllave. Gjithashtu, dua të falënderoj publikisht profesorin e nderuar të historisë Dr. Vebi Xhemailin, i cili pos që më ka nxitur që t’i rrekem kësaj vepre, edhe më ka ndihmuar e m’i ka qartësuar shumë segmente për këtë Organizatë Kombëtare, e cila është themeluar në mars të vitit 1935, në Beograd nga studentët shqiptarë, që më pas themelohet edhe dega e saj në Tetovë. Materien që unë mendoj se është mjaft komplekse, ngase Organizata “BESA”, është një organizatë e cila ka vepruar në shumë segmente të jetës për vetëdijesimin kombëtar, për mos shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi, në aspektin propagandues arsimor e kështu me radhë deri në prag të Luftës së Dytë Botërore, që siç dihet këto troje për herë të parë bashkohen me shtetin amë me Shqipërinë. Në këtë periudhë kohore kanë reaguar studentët shqiptarë që kanë studiar në Universitetin e Beogradit të mbledhur në shoqatën studentore shqiptare “Besa” të cilën e përbënin: Ibrahim Lutfiu, Esad Doko, Qazim Bllaca, Jahja Osmani, Shaip Kamberi, Esad Berisha, Xhevdet Pallaska, Abdulla Saqipi (Presheva), Nexhip Deva, Sokol Dobroshi, Kurtesh Agushi, Imer Rashiti (Murtishi), etj. Programi i kësaj organizate ishte : • Përhapja e propagandës midis muslimanëve se ata kurrsesi nuk janë turq, por janë vetëm shqiptarë. • Çdo anëtarë e ka pasur për detyrë që të përhapte idenë për Shqipërinë Etnike dhe të luftonte për bashkimin e shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni, Preshevë dhe Bujanovc. • Të jepet rëndësi mësimit të gjuhës shqipe, historisë dhe kulturës shqiptare. • Kërkohej regjistrimi i plotë i popullsisë që struktura e saj të jetë më bindëse para diplomacisë evropiane. • Kërkohej që turqit të deklaroheshin shqiptarë dhe të mësonin shkrim dhe lexim në gjuhën shqipe. Studentët anëtarë të Besës kanë marrë bursa prej 1000 dinarësh prej Ambasadës Shqiptare. Ibrahim Lutfiu dhe Shaip Kamberi së bashku me kryetarin e Komitetit të Kosovës Bedri Pejani në vitin 1938 kanë udhëtuar në Paris. Gjithashtu, në periudhën 1939 deri në prill 1941 në Tetovë ka qenë i formuar klon i Besës dhe ato kanë punuar në zhvillim e propagandës mes shqiptarëve për zhvillimin e ndjenjave kombëtare-shqiptare se ato kurrsesi nuk janë turq, por janë vetëm shqiptarë.

Aktivistët e kësaj organizate luajtën rol vendimtar në Tetovë me rrethinë, që edhe meritojnë që të zënë vendin e duhur në historinë më të re të kombit shqiptar. Jam i vetëdijshëm se puna ime disa vjeçare, sadopak do t’u ndihmojë gjeneratave të reja për ta thelluar studimin e t’i ndriçojmë ngjarjet e historisë, që për fat të keq gjatë sistemit komunist kanë qenë temë tabu.

Andaj, falënderoj të gjithë ata që më ndihmuan me të dhënat dhe materialet, e në veçanti i jam mirënjohës edhe dr. Ilir Lumës, djalit të Gani Lumës, që m’i ofroi fotografitë dhe ditarin në dorëshkrim (ditari ka 237 faqe të shkruar nga Gani Selman Luma, anëtar i kësaj organizate dhe i dënuar politik nga sistemi komunist) të prindit të tij, që e ka ruajtur me dekada. Ditarin në dorëshkrim e kam përpunuar me kujdes të veçantë që ta ruaj origjinalitetin në përjashtim të përshtatjes së gjuhës standarde, të cilin edhe e botova në vitin 2012 “DITARI I GANI LUMËS”. Kamjan më, 29.07.2020

Ismet Jonuzi-Krosi

RECENSION MONOGRAFISË SË ISMET JONUZI-KROSI E VËRTETA PËR ORGANIZATËN “BESA” DEGA E TETOVËS ME RRETHINË 1935-1944

Monografia kushtuar veprimtarisë së Organizatës Kombëtare “Besa” dega e Tetovës me rrethinë 1935-1944, përgatitur nga Ismet Jonuzi-Krosi, vepër kjo të cilën opinioni ynë shkencor dhe publik e ka pritur prej kohësh nga historiografia shqiptare. Deri më tani shumë ngjarje i kemi heshtur nga historia jonë e largët. Përgatitja e një vepre si kjo që e kemi nëpër duar, rreth veprimtarisë së Organizatës Kombëtare “Besa” Dega e Tetovës me rrethinë 1935-1944, rreth së cilës me sa jemi në dijeni deri sot e kanë përmendur kalimthi deri më tani, por me një shtrirje dhe me një studim të thukët e bënë vetëm Ismet Jonuzi-Krosi, pas një punë shumëvjeçare për tu admiruar. Sikurse deklaronte personalisht autori në disa ndeje të rastit, vepra e tij më e fundit, që këto ditë do ta kemi edhe në bibliotekat tona, lindi në një truall të virgjër, por në një terren të pasur me dëshmi e kujtime nga veprimtarë e bashkëkohanikë, miq e të afërm të atyre që i përjetuan këto vite plot ngjarje, që vetëm shqiptarët e këtyre anëve i përjetuan dhe i kujtojnë prore. Duke përfituar nga arritjet e saj dhe për më tepër, e hartuar mbi një bazë më të gjerë dokumentesh e memoaresh, të grumbulluara nga autori, për nga informacioni i pasur që sjellë, me këtë rast, për nga interpretimet, kujtimet e argumentet shkencore dhe përfundimet që përmban, monografia, ngrihet në një manual që në të ardhmen shpresojmë do tu shërbejë studiuesve dhe historianëve në një kohë jo të largët. Analiza e kujdesshme e përmbajtjes së monografisë, kushtuar Organizata Kombëtare “Besa” (1935-1944)-Dega Tetovëme rrethinë 1935-1944, të çon në përfundimin se autori ia ka arritur qëllimit që ia vuri vetes kur mori nismën për grumbullimin e materialeve, dëshmive e ditarëve si dhe në fund hartimin e saj. Jemi të bindur se autori i ka dhënë shkencës historike shqiptare, siç kishte menduar në fillim, një vepër të mbështetur në fakte dhe argumente. Pozita e vështirë shoqërore, politike, kulturore e arsimore e shqiptarëve në vitet në mesë Dy Luftërave Botërore, ka qenë e mbarsur me plot sakrifica, ku forcat nacionaliste edhe kësaj radhe ishin në mbrojtje të kauzës kombëtare. Aty nga mesi i viteve 30 të shek. XX, një grup studentësh shqiptarë i filluan studimet e para në Universitetin e Beogradit. Ato luajtën rol të rëndësishëm historik në ngritjen e vetëdijes kombëtare, e cila kishte premise drejt bashkimit me trungun e vet. Pa humbur kohë, këta studentë me të shpejt themeluan Organizata Kombëtare “Besa”, ku për objektiv parësor kishin bashkimin e trojeve shqiptare me trungun amtar.

Organizata “Besa” u themelua në Beograd, në mars të vitit 1935 dhe që përbëhej nga studentë shqiptarë të Shqipërisë verilindore, Kosovës, Preshevës, Bujanovcit dhe krahinave të Maqedonisë. Në vitet e para kjo organizatë ka vepruar ilegalisht dhe në planë të parë ka pasur objektivin e përhapjes së idesë për bashkimin e trojeve shqiptare të Kosovës dhe të viseve tjera shqiptare në një shtet të përbashkët. Me këto veprime, pra të idesë për bashkim kombëtar, u dalluan: Ibrahim Lutfiu, Sokol Dobroshi, Qazim Bllaca, Esat Doko (nga fshati Koroshisht i Strugës), dhe Shaip Kamberi nga Tetova, i cili mori iniciativën për themelimin e Degës së Organizatës “Besa” në Tetovë, me çrast kryetar i saj emërohet Selim Shehabi-Luma. Monografia e Ismet Jonuzit-Krosit, në qendër të saj e ka Organizatën “Besa”-Dega e Tetovës me rrethinë 1935-1944, e rrumbullakuar në tri pjesë. Edhe informacionet që sillen në të tri pjesët, që duken si të palidhura drejtpërdrejtë me të siç janë Organizata “Besa” dhe anëtarët e Organizatës “Besa” dhe veprimtarë të tjerë, i shërbejnë të njëjtit qëllim dhe arsimi shqip: Që të tri pjesët janë vënë në funksion të Organizatës Kombëtare “Besa”, si dhe në të njëjtën kohë na jep një panoramë të truallit ku do të vepronte Organizata në fjalë dhe të përcaktojë misionin historik që i takonte kësaj organizate të përmbushte në këto vite të mbarsura me plot rreziqe.

Të dhëna me interes autori sjell në pjesën e parë: e në veçanti shënimet e nxjerra nga ditari i Gani Lumës që është një thesar i rrallë, përmes të cilit autori i monografisë nxjerrë thelbin e organizatës, ku në mes tjerash ndalet në të gjitha ngjarjet, si: nga familja Luma, del një xixë drite, Selim Shaban Luma; mbledhja themeluese e 28.III.1935 dhe pjesëmarrësit… ardhja e Hamit Shijakut në Tetovë; hyrja e Brigadave shqiptare në Tetovë etj. Në pjesën me rrëfimet (kujtimet) e Shefqet Sulejmanit, rreth themelimit, aktivitetit dhe shtrirjes së rrjetit të Organizatës “Besa” në Tetovë; Rrëfimet e Selim Shehab-Lumës- themelues i Organizatës Kombëtare “Besa” që formohet në 28.III.1935 në shtëpinë e Xheladin Efendiut; rreth zgjerimit të organizatës, puna e palodhshme për të penguar shpërnguljet e shqiptarëve me dhunë për në Turqi; ardhja në Tetovë e Hamit Shijakut; hyrja e gjermanëve në Tetovë; krijimi i administratës shqiptare në Tetovë e rrethinë në vitin 1941 deri me shpërbërjen e shtetit shqiptar në nëntor 1944. Poashtu, edhe rrëfimet e Garip Ademit alias Ilir Dema dhe kujtimet e tij. Të dhëna me interes autori sjell në këto dy kapituj të pasura me argumente e fakte të pamohueshme, të cilat hedhin dritë në veprimtarinë kombëtare të Organizatës “Besa” në vitet që veproi.

Pra, autori me këtë monografi të radhës na paraqitet jo vetëm si historianë, por edhe si studiues i këtyre viteve. Me interes të veçantë janë portretet kushtuar anëtarëve të Organizatës “Besa” dhe veprimtarëve të tjerë që përfshihen në pjesën e dytë të veprës, që për fat të keq, deri tani kjo veprimtari e këtyre personaliteteve kombëtare nuk është rrahur e studiuar nga studiuesit shqiptarë. Pas këtyre të dhënave autori, ashtu siç pritej, vendin kryesor në këtë vepër e zë portreti i Organizatës “Besa” dhe kontributi i tyre që dhanë në këto vite në zgjimin e vetëdijes kombëtare. Krahas problemit kompleks së veprimtarisë së Organizatës “Besa”, Dega e Tetovës, e cila zë vendin kryesor në këtë monografi, autori trajton edhe mjaftë çështje të tjera të pjesshme që hedhin dritë për kontributin e Shaip Kamberit, Selim Shehab Lumës, të atdhetarëve: Harun Deharit, Mahmut Ahmet Zeqirit, Mulla Ferik Malikit, Osman Efendi Abdullahut, Hysni Osman Abdullahut, Naim Hetem Alitit, Muharrem Daut Kamjani etj dhe në fund përfundon me listën emërore të legjislacionit të shtetit të ri pas ndryshimeve që do të bëhen më 7 prill 1939. Nga kjo që u tha më lartë, monografia e autorit Krosi, duke qenë një vepër e mirëfilltë shkencore, mund të konsiderohet edhe një enciklopedi kushtuar Organizatës “Besa”. Nëse nisemi nga fakti se procesi i kërkimit të një të vërtete është një proces dialektik në të cilin, ka rëndësi qëndrimi ndaj traditës kulturore e shkencore, atëherë ky studim kushtuar Organizatës Kombëtare “Besa” e autorit Ismet Krosi, paraqet një kontribut të madh për studimin e veprimtarisë së plejadës së atdhetarëve që punuan dhe sakrifikuan gjënë më të shtrenjtë, për zgjimin e vetëdijes kombëtare në rajonin e Tetovës dhe më gjerë.

Në fund të këtij recensioni do t’i shtoja edhe këtë se monografia është me vlera të pakontestueshme për studiuesit e mirëfilltë që merren dhe do të merren në të ardhmen me këtë problematikë specifike. Duke e përgëzuar autorin për hartimin dhe përgatitjen e monografisë me interes të shumëfishtë e të dobishëm i urojë nga zemra suksese edhe në botime të tjera të vlefshme në të ardhmen e afërt.

Strugë, qershor 2019, Prof. Dr. Nebi Dervishi – Pedagog në UT.

Redaktor: i librit është Prof. Dr. Nebi Dervishi -Pedagog në UT Resenzentë: Prof. Dr. Nuri Bexheti-Pedagog në UP. Prof. Dr. Zeqirja Idrizi-Pedagog në UT, Prof. Dr. Isak Sherifi-Pedagog në UT. Lektor: Prof. Aliriza Akiu Kopertinën e përgatiti: Prof. Muharem Ferati

Mr. Ismet Jonuzi-Krosi, lindi më 01. 11. 1966, në fshatin Kamjan të rrethinës së Tetovës. Prej vitit 2009, punon në Universitetin e Tetovës.

VEPRAT E BOTUARA:

1. JETA DJE DHE SOT NË LUGINËN E POLLUGUT-2006;

2. “GOLGOTA SHQIPTARE” (1946-1952) I-2007;

3. ORGANIZATA KOMBËTARE “BESA” DEGA E TETOVËS (1935-1944)-2008;

4. “GOLGOTA SHQIPTARE” II (1952-1963) & III (1963-1970)-2008,

5. TAKIMI ME SHEKUJT-2008;

6. “GOLGOTA SHQIPTARE” IV (1970-1980) & V (1980-1990)-2009;

7. “PROFESOR, POLITIKANË DHE STUDIUES I PEDAGOGJISË”-2009;

8. “MEHMET GEGA, SIMBOLI I QËNDRESËS SHQIPTARE”- BASHKAUTORË DR. NEBI DERVISHI & ISMET JONUZI-KROSI 2011;

9. “GOLGOTA SHQIPTARE VI ( 1980-1990)”-2012;

10. DITARI I GANI LUMËS-2012;

11. SHPALIM VAJESH-2014;

12. ONDSH QARKU I TETOVËS ME RRETHINË (1945-1947) – 2017;

13. QËNDRESA SHQIPTARE NË JUGOSLLAVINË TITISTE 1944-1990;

14. KLUBI KOMBËTAR “BASHKIMI” DHE KONGRESET E MANASTIRIT (1908-1910)-2019

15. E VËRTETA PËR ORGANIZATËN “BESA” DEGA E TETOVËS ME RRETHINË 1935-1944-TETOVË, 2020 .