MERXHAN JAKUPI

Termi ateizëm rrjedh nga greqishtja e vjetër. Atheos, do të thotë mohim i Zotit ose mosbesim në arkitektin suprem të universit. Në demokracitë perëndimore, individi është i pavarur. Feja është një çështje individuale dhe private. Çdo qytetar mund të konvertohet në një fe tjetër ose në ateizëm. Konvertimi, si faktor në shoqërinë perëndimore, është një krizë identiteti dhe inferioriteti. Nuk ekziston arbitrazh apo imponim. Individët konvertohen prej një fraksioni, konfesioni apo sekti, për të gjetur një grup dhe identitet të ri. Ateistët në perëndim nuk kanë paragjykime dhe ksenofobi ndaj komuniteteve të tjera. Ata jetojnë në paqe dhe harmoni, pa marrë parasysh gjuhën, fenë dhe racën. Shoqëritë në perëndim janë multi-fetare. P.sh., në një familje mund të jenë: burri ateist, gruaja e krishterë, fëmijët pas moshës së adoleshencës mund të konvertohen në myslimanë ose budistë. Ateistët perëndimorë nuk besojnë në Zot dhe librat e shenjta. Ata besojnë në evolucion, traditat liberale, humanizëm, iluminizëm, kapitalizëm dhe socializëm. Këto ligje i kanë rrënjët tek fetë monoteiste: judizmi, krishterimi dhe islami, me përjashtim të evolucionit darvinist. Do të thotë që mes ateizmit perëndimor ekziston një dialektikë dhe dallimi mes teizmit dhe ateizmit është sa një qime floku. Edhe ateistët bartin të njëjtat kode morale, etike dhe humane, por nuk e pranojnë ekzistimin e Zotit. Do të thotë, ekziston një ndarje, antagonizëm, mes monoteistëve dhe ateistëve në Perëndim. Ateistët perëndimorë marrin pjesë në ceremonitë mortore, festat fetare, krishtlindjet, pashkët, ose nëpër katedrale dhe kisha kur mbahen simpoziume dhe referate.

ATEIZMI KOMUNIST

Ateizmi pas Revolucionit bolshevik të tetorit, në kampin komunist ishte një fe e re. Ata pasi e dëbuan Zotin, zëvendësua me zota të rinj, ndërsa homosapiensat u shndërruan në racë të re, ku lindi njeriu i ri, i cili nuk do të jetë më si homosapiensat e mëparshëm. Ateistët komunistë, sipas doktrinës dhe fuqisë imperative, rendit të ri botëror dhe ligjet e natyrës, do të udhëhiqen nga zotat e rinj, nga Karl Marksi dhe Lenini. Ndërsa në vend të Biblës dhe Kuranit, do të jetë Kapitali i Marksit. Ndryshe nga monoteizmi Perëndimor, ateizmi si forcë e komunizmit, ishte politeiste. Përveç Karl Marksit dhe Leninit, si i vetmi krijues i fesë së re humaniste, ishin edhe “profetë” të tjerë, si Mao ce Duni, Stalini, Çaushesku, Enver Hoxha etj. Në epokën e komunizmit, pas dëbimit të Zotit, me ardhjen e zotave të rinj, profetëve dhe fenë e re, çdo gjë ishte e lejuar: vrasjet, persekutimet, dhuna, që sipas këtyre zotave dhe profetëve e gjithë njerëzimi duhej të besonin dhe konvertoheshin sipas urdhrave, ritualeve, ceremonive të kësaj feje dhe zotave të rinj. Kjo fe dhe këta zota dhe profetë, ndryshuan kodin, moralin, etikën dhe racën e homosapiensave, me lindjen e njeriut me kode morale dhe etike të reja.

ATEIZMI JUGOSLLAV

Pas Luftës së Dytë Botërore, në Jugosllavinë federale, tezat dhe doktrina ndaj religjionit ishin si në shtetet e kampit komunist të Lindjes. Në ish-Jugosllavi, si në kampin komunist, filloi “gjuajtja e shtrigave” ndaj klerikëve katolikë kroatë dhe sllovenë. Klerikët katolikë më së shumti kroatë, rezistuan dhe ishin antikomunistë ekstremë dhe shumica e tyre u burgosën ose u arratisën në Perëndim. Pas Informbyrosë të vitit 1948, kur Tito u nda nga Stalini, feja ishte më liberale se në shtetet e kampit komunist.

Në fillim të viteve 70 të shekullit të kaluar, në të gjitha republikat u formuan bashkësitë fetare të krishtere dhe myslimane. Ateizmi në ish-Jugosllavi si religjion u zëvendësua me sloganin “Vëllazërim-bashkim”. Anëtarët e Lidhjes Komuniste ishin të përbetuar si ateistë në marksizëm-leninizëm dhe të indoktrinuar nga prijësi i tyre, me Titoizëm. Anëtarët e Lidhjes Komuniste lejoheshin të merrnin pjesë në ceremonitë fetare, festa, krishtlindjet, pashkët dhe festat e bajramit. Bie fjala, anëtarët e Lidhjes së Komunistëve tek kroatët dhe sllovenët katolikë merrnin pjesë edhe në rituale dhe mesha për krishtlindjet dhe pashkët. Serbët, malazezët dhe maqedonasit ishin shumë të indoktrinuar me ideologjinë marksiste-leniniste, ata shumë rrallë merrnin pjesë në ceremonitë, festat dhe meshat ortodokse. Në Kosovë dhe Maqedoni, tek shqiptarët nuk kishte ndalesë, censurë për anëtarët e Lidhjes së Komunistëve, por ata nuk merrnin pjesë në ceremonitë dhe festat fetare.

KONVERTIMI I GJITHË KOMBIT NË NJË FE TË RE

Në pranverë të vitit 1967, Shqipëria komuniste dhe lideri komunist shqiptar ndaloi praktikimin e fesë dhe Shqipëria u bë shteti i parë ateist komunist në botë. Tirana pas ndalimit të religjionit bënte propagandë, agjitacion nëpërmjet Radio-Tiranës, për një indoktrinim ideologjik e të vrazhdë, në mënyrë që të përhapet ateizmi edhe tek gjysma e kombit shqiptar në ish-Jugosllavi. Tirana pos ideologjisë marksiste-leniniste donte edhe përhapjen e doktrinës staliniste dhe ateiste, një ateizëm që do ta zëvendësonte fenë me forcimin e kultit  të individit të Enver Hoxhës tek shqiptarët e Jugosllavisë. Enver Hoxhës nuk i pëlqenin liritë fetare dhe liberalizimi tek shqiptarët e Jugosllavisë. Hoxha tentonte që gjithë kombi shqiptar të jetë një bastion leninist. Nën ndikimin e ideologjisë enveriste që u eksportua nga Tirana mes propagandës tek shqiptarët e Jugosllavisë, ateizmi shqiptar tek anëtarët e Lidhjes së Komunistëve dhe klasa e arsimuar që punonte në arsim dhe institucione ishte shumë i vrazhdët dhe ekstrem. Shumica e anëtarëve nuk e njihnin doktrinën e marksizmit, por ata ishin imitues dhe konsumues të ideologjisë marksiste-leniniste. Ateistët shqiptarë, në krahasim me ateistët jugosllavë, ishin më dogmatikë, më fanatikë dhe më të vrazhdë. Shumë arsimtarë ua ndalonin agjërimin nxënësve dhe po qe se merrnin vesh që nxënësit shkonin të ndiqnin mësim-besim fetar nëpër xhamia, ata i ndëshkonin. Këta ateistë u ngjanin misionarëve, duke bërë propagandë, agjitacion, se edhe shqiptarët duhet të ndjekin idealet, parimet dhe të bëhen ateistë, si bashkëkombësit e tyre në shtetin amë, në Shqipëri. Ateistët shqiptarë nuk merrnin pjesë në festat fetare, në ceremoni dhe rite të tjera. Këta dogmatikë që ishin të indoktrinuar deri në palcë kishin komplekse, paragjykime, fobi që të marrin pjesë në ceremonitë mortore të prindërve dhe anëtarëve të familjes së tyre. Nga këta ka pasur raste që të ndalonin bashkëshorteve, prindërve dhe fëmijëve ritet fetare dhe agjërimin. Këta ateistë donin që edhe familjet e tyre të konvertoheshin në një fe tjetër, që konsistonte me edukim, emancipim, rite, kod moral dhe etikë tjetër, në një konvertim të ri fetar dhe në ngritjen e njeriut të ri.