Pazari ‘zemra’ e Gjirokastrës u pushtua të dielën që lamë pas nga artizanët dhe artistët gjirokastritë.

Gjatë gjithë ditës pazari mori jetë nga aktivitetet, ekspozitat, koncertet e ndryshme që tërhoqën banorët vendas dhe turistët e huaj, në kuadër të Ditës së Trashëgimisë Kulturore.

Në panairin e Artizantit dhe Kulinarisë, artizanët gjirokastritë prezantuan prodhimet e tyre si veshje tradicionale, bizhuteri, gliko, reçel, shurupe, etj.

Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, shprehet se “pazari merr jetë nga aktivitetet, bizneset dhe eventet e ndryshme që tërheqin turistët dhe banorët vendas. Pas investimeve që bëmë, kjo zonë ka rilindur, është transformuar plotësisht pa cënuar autenticitetin dhe sot që flasim është pjesa më e lakmuar në Gjirokastër”.

“I kemi të gjitha mundësitë që Gjirokastra të ketë turizëm në të katër stinët. Unë mbetem një optimist i pandreqshëm dhe besoj fort se kjo është e realizueshme. Sa për kujtesë, fundjavën e ardhshme na pret Gjiro Air Show”.

Artdashësit gjirokastritë ndoqën me interes edhe ekspozitat “Gjirokastra në syrin e piktorit”, “Libri i Qytetit” dhe “Pazari Dje dhe Sot”si dhe Nga Monumenti në Monument”.
Pjesë e aktiviteteve ishte edhe një tryezë e rrumbullakët “Shanset dhe sfidat e artizanëve dhe prodhuesve të vegjël organizuar nga bashkia Gjirokastër, TID Gjirokastra, Slow Food Gjirokastër dhe Gjiro-Art.

Artizanët nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia diskutuan rreth autenticitetit të produkteve, certifikimin e tyre, bashkëpunimin mes subjekteve, si dhe krijimin e një network-u ndërlidhës edhe me subjekte ndërkombëtare

Ndërsa Orkestrina popullore Familja “Selfo” dha një koncert për artdashësit në rrugën “Ismail Kadare”, ndërsa të rinjtë patën mundësi të ndiqnin koncertin me të ftuar speciale Marsela Çibukaj &Band, si dhe performancën e Dj Bes./atsh.