Nga: Aleksandër Meksi

Ndër studiuesit shqiptarë të shekullit të XX-të që shquhen në disiplinat albanologjike, Selman Riza zë një vend të veçantë. Tek ai bashkohen në një shkencëtari dhe atdhetari, njeriu me karakter të fuqishëm dhe i papërkulur ndaj diktaturave dhe regjimeve antishqiptare, që me vullnet të hekurt arriti në majat e shkencës të cilës iu përkushtua. Siç na thotë Engjëll Angoni në monografinë për të, “Autoriteti i tij mbështetej në dashurinë dhe përkushtimin për punën, në qëndrimin e pastër moral, në marrëdhëniet e shëndosha me nxënësit, të cilët i trajtonte si të barabartë… Armik i betuar i arrogancës dhe mendjemadhësisë. i çiltër, realist, reformator dhe demokrat i mirëfilltë”.

Selman Riza ishte atdhetar i vërtetë dhe këtë e tregoi me përfshirjen qysh në fillim në mënyrë aktive në rezistencën antifashiste. Në demonstratën e 28 nëntorit 1939 në Korçë, Selman Riza arrestohet dhe burgoset. Këtu fillojnë përndjekjet që vazhdojnë në të gjitha regjimet dhe në të gjitha diktaturat. Për milicinë, Selman Riza ishte kundërshtar i politikës italiane, propagandist me studentët dhe për këtë i rrezikshëm, prandaj, në shkurt të vitit 1940, bashkë me profesorë të tjerë patriotë, internohet për një periudhë trevjeçare në Ventotene të Italisë, prej nga kthehet në tetor të vitit 1941.

Me kthimin e tij në Kosovë (korrik 1942), Selman Riza u shqua si veprimtar i madh politik, si një nga udhëheqësit kryesorë të lëvizjes atdhetare e antifashiste, e cila nuk pranoi të bashkëpunonte as me komunistët e as me pushtuesit Italian, por kishte për synim çlirimin e vendit dhe bashkimin kombëtar. Ai, siç i raportonte Londrës majori Piter Kemp, ishte truri i vërtetë i Partisë së irredentistëve që kërkonte çlirimin kombëtar në baza etnike dhe demokratike, pa kushte ideologjike.

Pikërisht për këtë veprimtari politike thellësisht atdhetare, ai burgoset në vitin 1945 në Tiranë, vetëm disa ditë pas kthimit në Shqipëri, ku kishte ardhur për t’i shpëtuar gjenocidit serb. Mbasi shpëtoi nga dërgimi në Jugosllavi në 1945, falë ndërhyrjes së Manol Konomit, atëherë ministër i Drejtësisë, kjo nuk u shmang në vitin 1948. Vetëm tre muaj qëndroi Selman Riza në burgun e Tiranës, sepse me kërkesën e jugosllavëve, komunistët shqiptar e ekstraduan “si kosovar antijugosllav” për t’u gjykuar prej jugosllavëve. Selman Riza qëndroi për tre vjet e gjysmë në burgjet jugosllave prej nga dërgohet në Sarajevë si i internuar dhe i survejuar, ku iu përkushtua tërësisht punës shkencore gjatë viteve 1951 -1955. Më në fund, Selman Riza, në dhjetor të vitit 1955, rikthehet në RPSH dhe bashkohet me familjen e tij në Tiranë. Fillon punën menjëherë në Institutin e Historisë dhe Gjuhësisë si punonjës shkencor dhe në fakultetin e filologjisë si pedagog i jashtëm

Rezultatet e kërkimeve shkencore të profesor Rizës tashmë janë të njohura, censura e deridjeshme ka rënë dhe ato po vlerësohen. Por, ne nuk duhet të harrojmë se ai u përndoq edhe për rezultatet dhe mendimin e tij shkencor e thellësisht kritik. Kredon e tij të metodës shkencore ai e pohon qartë: “Unë jam, në radhë të parë gjuhëtar kritik. Po më hoqën kritikën shkencore unë nuk jam më Selman Riza” . Ai gjithnjë luftoi për shkencë dhe kulturë të pavarur nga politika. Dhe, ia arriti: sepse bëri gjithnjë atë që duhej , atë që i shkonte për shtat bindjeve të tij shkencore dhe politike.

Me formimin e tij të thellë e qenësor, me nivelin e lartë si gjuhëtar e mendimtar, Selman Riza kishte treguar që në fillim se ishte kundërshtar i paepur i padrejtësive sociale, i pasaktësive dhe shtrembërimeve në shkencë, por jo mohues i të tjerëve, i atyre që mendonin ndryshe nga ai. Dhe, kur mendimi merr veshje zyrtare, që në shkencë nuk duhet të ndodhi, ai nuk është veçse disident. Ja vlen të saktësojmë kuptimin e fjalës latine disens prej nga vjen: kritikë, mos aprovim, kundërshtim, divergjencë opinionesh. Ndërsa disident, individi që ka reagimet e mësipërme, që mund të jetë pjesë e një grupimi ose dhe si individ.

Në Shqipërinë e periudhës komuniste pati në kohë të ndryshme disidencë të formave të ndryshme. Komunizmi u luftua me armë e në mënyrë të organizuar, si gjatë Luftës së Dytë Botërore, ashtu dhe pas marrjes së pushtetit prej tyre, u luftua politikisht nga deputetët dhe intelektualët që organizoheshin, u kundërshtua nga kleri. Ishin me mijëra ata që arratiseshin nga kufiri e të shumtë ata që kapeshin dhe vriteshin ose burgoseshin. Të gjithë u përgjakën, u dhunuan barbarisht ata dhe familjet e tyre, u vranë pa gjyq e me gjyqe komuniste, vdiqën nën tortura e nuk kallëzuan askënd. U internuan mijëra familje (gra e fëmijë), me qindra vdiqën urie dhe nga epidemitë kampeve, të tjerëve internimi apo dëbimi u mbaroj pas viteve ’90. Burgjet ishin gjithnjë plotë, madje kishte dhe fushata internimesh, kishte Burrel, Spaç, Qaf Bari, Maliq, Beden e Bënçë e të tjera. Dhe, sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, hartoheshin dhe lista të atyre (të ashtuquajturit “kontingjent”) që do të pushkatoheshin, internoheshin apo deportoheshin në rast lufte.

Ishin me dhjetëra mijëra ata që kundërshtonin politikën zyrtare, që nuk fshehën “biografinë”, nuk mohuan të afërmit e nuk u divorcuan, që nuk ndryshuan mbiemrat e që nuk u nënshtruan burgjeve e kampeve dhe e ngrysën jetën me kokën lartë edhe pse vuajtën. Ishin të shumtë ata që praktikuan fenë dhe nuk e mohuan dhe me besim tek Zoti pranuan martirin. Ishin të shumtë ata të cilëve ju mohuan të drejtat për arsimim, për punë në profesionin e tyre, të drejtat për të shkruar e botuar, si “armiq të klasës” , si njerëz me “biografi” të keqe . E pësoje në ato kohë të këqija për një fjalë, pse dëgjoje radio e muzikë të huaj, pse lexoje libra jo me kapak të kuq, për veshjen dhe flokët. Kundërshtimi i tyre për “normat morale” të regjimit dhe politikën komuniste ishte i qartë.

E gjithë kjo mënyrë ndryshe; e të menduarit, e të jetuarit, e të rezistuarit regjimit nuk është gjë tjetër veçse disidencë. Nuk ka rëndësi forma e shprehjes së saj, sepse humbja e shpresës për rrëzimin e komunizmit dhe përmasat e dhunës ndikuan dhe në format e kundërshtimit. Mos e kërkoni atë si në Çeki, Poloni e gjetkë sepse e ndryshme ishte dhuna dhe pasojat, madje këtu quheshe armik dhe kur nuk brohorisje. Veç kësaj kishte dhe disidencë pasive. Shkrimtarë që refuzuan të shkruajnë romane që t’i përgjigjeshin flakë për flakë vijës së partisë, apo vjersha për partinë dhe Enverin e parë, piktorë që u mbyllën në studio, historianë që refuzuan të shkruajnë për Haxhi Qamilin, por pati dhe nga ata që krijuan vepra arti jo konformiste dhe e pësuan, të tjerë që mbrojtën monumentet e kultit e të tjera. U quajtën intelektualë borgjezë e nacionalistë, u ndëshkuan apo u diskriminuan.

Selman Riza kritikoi ashpër në kulturën tonë diletantizmin, mediokritetin, konformizmin e të tjera. Sigurisht që kritika, edhe pse objektive dhe konstruktive, jo gjithmonë u vlerësua. Dhe siç thoshte vetë Ai, jo rrallë herë u ndesh me “Dhunë me veshje kritike deri në skualifikim”. Dhe inkuizicioni i kohës nuk mungoi. Shqipëria kalonte periudhën kineze, me revolucionin kulturor dhe ideologjik që përmbyste edhe ato pak suksese të albanologjisë, të arritura me shumë mund, nën një diktaturë që ishte armike e të vërtetës, e përparimit dhe e lirisë. Pikërisht në këtë kohë Selman Riza pësoi një goditje të rëndë. Si njeri me karakter, Ai nuk mund të pajtohej me mediokritetin, vetëkënaqësinë dhe servilizmin që karakterizonte Institutin e Historisë dhe Gjuhësisë, ku forcat e afta shkencore luftoheshin dhe pengoheshin nga drejtuesit partiakë. Kritika e tij e guximshme dhe objektive u konsideruar si veprimtari armiqësore.

Për mendimet e tija në prill të vitit 1967, profesorin e nderuar, pas fletërrufeve të shumta dhe gjyqeve kolektive në kuadrin e luftës kundra “mbeturinave borgjeze”, e largojnë nga Instituti i Gjuhësisë dhe çojnë në Berat, si ciceron në Muzeun e qytetit dhe më vonë në Bibliotekën e atjeshme. Ai nuk kërkoi ndihmë as dhe mbrojtje nga ndokush lart, siç ju sugjerua. Në vitin 1970 Selman Riza del në pension të parakohshëm dhe kthehet pranë familjes së tij në Tiranë, i survejuar dhe i ndjekur në çdo hap nga sigurimi i shtetit. Ndonëse shkencëtar i madh, i njohur edhe në qarqet shkencore ndërkombëtare, me vepra dhe tituj, Selman Rizës iu mohua e drejta për t`u kthyer në punë në Institut dhe faktikisht ju mbyllën të gjitha rrugët për veprimtari shkencore aq sa nuk e lejonin të merrte libra në bibliotekë

Kam shkruar gjetkë mbi fletërrufenë makabre që i vunë atij dhe nuk u përkul dhe për shumë prej nesh ai ishte shembull diturie dhe burrërie. Pasi u kthye nga Berati ai shpesh punonte në Bibliotekën Kombëtare dhe unë kisha vërejtur se nuk merrej më me studime gjuhësore sepse tërthorazi, duke e trajtuar për armik, ja kishin hequr këtë mundësi (kontakte në institut dhe botimet). Ai punonte në lëmin e filozofisë, një pasion i vjetër për të, por dhe në themel të kërkimeve të tija gjuhësore. Nuk shoqërohej me njeri sepse dhe i shmangeshin, punonte orë të tëra pa luajtur vendit. Unë e takoja dhe aty por dhe në shtëpinë e tij. Në biseda ishte i rreptë por gjithnjë i sjellshëm dhe tejet korrekt; kritik por dhe i përzemërt; e ndjente dhunën por stoik, për nga bindjet dhe jo nga kryeneçësia. Ai mundohej që, gjithsesi , ta ndjenje veten të barabartë me të. Ai jetoi nën dhunë por i panënshtruar dhe me kokën lart, i ndershëm në të gjitha regjimet antishqiptare.

Ishte personaliteti i tij që i bënte ta duronin në mos dhe ta respektonin. Por me revolucionin kulturor dhe ideologjik të tipit kinez ai nuk u tolerua. Nuk qe vetëm kritika ndaj mënyrës së organizimit dhe drejtimit të shkencës albanologjike (roli drejtues i partisë në shkencë) por vërejtja e tij e guximshme tejet “heretike” për të kuqtë: “…se filozofia marksiste nuk mund të zbatohej në gjuhësi…” që u përdor për dënimin dhe largimin e tij si individ por, edhe si pjesëtar i një grupi armiqësor e antiparti (sic!). Këtë e bën edhe për të shmangur një shkencëtar kritik, por edhe që të mos ndikonte tek të rinjtë. Vetë titulli i fletë-rrufesë, “Ti pritet koka Selman Rizës” ,të cilën unë e kamë parë kur shkruhej, ashtu dhe të varur në katin e tretë të Institutit të Histori-Gjuhësisë, ishte shprehje e urrejtjes dhe ligësisë së komunistëve në listë pagesë shkencëtarësh, për ata që kundërshtonin, kritikonin dhe mendonin ndryshe.

Selman Riza nuk pati smirën e punonjësve të ndershëm e atyre pa poste, pa detyrime apo vullnet partiak, por pati smirën e intolerancë e atyre me pushtet dhe veglave të tyre që nuk kishin asgjë të përbashkët me kërkimet shkencore, si dhe indiferencën apo heshtjen, që komunistët e siguronin duke shfrytëzuar me dhunë dobësitë, frikën dhe ligësinë e njerëzve të vegjël e të paformuar. Duhet thënë se ai u përndoq edhe si kosovar dhe nacionalist.

Selman Riza guxoi dhe e sfidoi regjimin, dhe mund të përfundonte në burg, por për fatin e tij të mirë nuk e futën që të mos turpëroheshin, por nuk ja shmangën keqtrajtimin, e dhunuan dhe e fyen dhe ai hoqi dorë nga gjuhësia, që mesa dukej mendonte se lëvrohej dhe me të tjerë. Atij i rezervuan vetminë, ishin të pakët ata që flisnin me të në Bibliotekën Kombëtare dhe ai shmangej, punonte në qetësi, pa bezdisur kënd por dhe i respektuar nga të gjithë, për personalitetin e tij.

Selman Riza me jetën dhe veprën e tij mbetet një luftëtar i paepur i çështjes shqiptare dhe i çlirimit të Kosovës, i bindur se një ditë do të kryhej, ndjekës i papërkulur e sistematik i parimit të papajtueshmërisë pa kompromis me çdo gjë antikombëtare e regresive, për Shqipërinë dhe shqiptarët, edhe se për këtë u përndoq dhe dhunua gjithë jetën, por nuk u nënshtrua. Ai mbetet po aq dhe një nga gjuhëtarët më të shquar në lëmë të albanologjisë. Shkenca shqiptare, dhe jo vetëm ajo, i detyrohen së tepërmi atij.

Dhuna dhe përndjekja ndaj Selman Rizës njihet si ajo e dukshme por dhe ajo e nëndheshme e labirinteve të diktaturës komuniste- atë të leximit të dosjeve 2A që Sigurimi i Shtetit mbushi për të qysh se erdhi në RPSh, duke e konsideruar “armik” dhe që ju paraqitën publikut nga profesor Rexhep Ismajli. E ato i bëjnë të ditur çdokujt personalitetin e plotë të Selman Rizës dhe armiqësinë e të liqve e të paaftëve ndaj tij, që e kanë më të lehtë të grupohen se të tjerët, viktimat e tyre të pambrojtura.

Njerëz si Selman Riza i nderon koha dhe vepra, jeta e tyre dinjitoze. Ata nuk i nderojnë e vlerësojnë veçse njerëzit e errësirës dhe të ligësisë, qeveritë autoritare dhe të dhunës ndaj shpirtrave të lirë e të iluminuar, ndaj atyre që mendojnë ndryshe, të bindur në idetë dhe mendimet e tyre. Për këtë jemi mbledhur dhe ne sot këtu për të nderuar njeriun dhe shkencëtarin që guxoi të jetoj me kokën lart e të punoj e të luftoj, në kohë shumë të këqija, për Shqipëri të shqiptarëve. Është detyrim për çdo shqiptar atdhedashës për të nderuar ata që jetën dhe veprën ja kushtuan Shqipërisë.

Njerëz të tillë janë të rrallë në historinë e çdo kombi dhe duhet të mbeten frymëzues për brezat që i pasojnë. Për këtë dhe duhet njohur Jeta dhe Vepra e tyre prej patrioti të madh. Ajo duhet të botohet e plotë, duhet të njihet mirë, veçanërisht në kohët me trazime dhe pështjellime të mëdha si kjo e jona.

(Kumtesë e mbajtur në Simpoziumin shkencor “Për figurën dhe veprën e Selman Rizës”, në Gjakovë, më 26 Nëntor 2009)