Naser SAHITI

Shumë filozofë kanë shkruar për servilizmin, por burim kryesor për këtë dukuri është padyshim Makiaveli. Ai ishte një filozof nga Firence e Italisë, që jetoi e veproi përgjatë shekullit të XVI. Me shkrimet e tij ai më së miri e sqaron dhe paralajmëron për këtë kategori të veçantë të njerëzve, të cilët ai i përshkruan si shumë dinak, pa karakter, pa identitet, pa moral dhe si krijesa njerëzore shumë të ulëta dhe pa ndonjë vlerë.

Makiaveli kryesisht bazohet në observimet e tij ndaj qëndrimeve të këtyre individëve dhe mënyrë se si ata i shfaqin këto qëndrime me qëllim për të arritura të që ata dëshirojnë, e që në shumicën e rasteve përfshin vëmendjen, pushtetin, autoritetin, pasurinë e kështu me radhë. Mirëpo, këto arritje janë gati se çdo herë të bazuara në mundin e tjetrit, si dhe në identitetin, integritetin dhe dinjitetin e dikujt tjetër. Personat që kategorizohen si servil zakonisht kanë një avantazh mbi personat e mirë dhe të sinqertë, ata kanë aftësi ta bëjnë çështjen e tyre primare dhe të arrijnë qëllimet e tyre, ashtu që janë në gjendje të bëjnë gjithë çka vetëm për të arritur në majën që ata e synojnë. Duke qenë të fokusuar te qëllimet e tyre, këta persona nuk pengohen nga të mirët, nga individët e arsyes dhe idesë.

Një individ servil është në gjendje dhe njëkohësisht i aftë të mashtrojë, të përdorë fjalë të ëmbla dhe joshëse drejt shefit të tij, duke i verbëruar me zgjuarsinë e tij dinake, por njëkohësisht është në gjendje të përulet në gjunjë, vetëm e vetëm për të arritur qëllimin, dëshirën apo pozitën e dëshiruar, duke nënkuptuar se një person i tillë nuk është lojal dhe i besueshëm.

Mund të supozohet se personat në fjalë thjesht kanë një bindje të tillë, por në fakt, kjo nuk ka lidhje me bindjen. Në thelb, bindja është një përkushtim psikologjik, intelektual dhe moral, gjithnjë i bazuar në arsye dhe pragmatizëm, ashtu që servili nuk i posedon këto cilësi. Servili, e sidomos fanatiku, nuk mendon, por i merr ato që të tjerët i japin dhe zhvillon pasione të pakontrolluara dhe të paracionalizuara. Ata imponohen me lehtësi dhe butësi te personat që kanë më shumë autoritet se ata, kryesisht me mënyra shumë të ulëta. Mirëpo, kur ata arrijnë qëllimin e tyre, situata ndryshon. Ata tashmë marrin pushtetin dhe me automatizëm e kafshojnë dorën që i ka ndihmuar e i ka sjellë deri në pozitën ku ata janë, duke fituar pushtet e autoritet mbi të njëjtët persona që ata i kanë shkelur paraprakisht.

Ky shkrim paraqet një përpjekje për t’ju ofruar shefave të ndryshëm një pasqyrë për njerëzit që ndodhen rreth nesh dhe përpjekjet e tilla që janë tashmë pjesë e përditshmërisë sonë. Njëkohësisht, kjo paraqet një paralajmërim për të gjithë ata që punojnë në sektorë publike, një pasqyrë për disa nga kolegët, shefat, e fatkeqësisht edhe shoqërinë tonë. Duhet të përpiqemi vazhdimisht të jemi përkrahës të heshtur të personave që janë në shënjestër të individëve servil, t’u dalim në krah dhe të luftojmë kundër një dukurie të tillë, me shpresën për ta larguar nga shoqëria jonë.