TREGIM

Ai rri ashtu shtrirë dhe shikon diku në zbrazëtirë. Mban akoma nëpër sy profilin e saj të hajthshëm mjegullor që shkrihet gjer në fanitje. Ata rrinë aty, fare afer njëri- tjetrit. Bën ftohtë, lëvizin nga pak, sa para mbrapa. Në rrugën e shtëpisë nuk kalon njeri. Është mëngjes, ai do të niset për në punë. E puth njëherë, dy , ndërsa ajo përpiqet ti shpëtojë duarve të tij, sepse s’ do ti shohë njeri. – Mjaft tani! Nisu pra! Ndryshe ke rrezik të të kthehet mendja dhe të rrish në shtëpi gjithë ditën.- Sikur të rrija do të kujdesesha vetëm për ty, – i thotë ai duke qeshur.-

Ashtu si kujdesem unë për lulet e mia?- Jo, si për dashurinë……Ai rri me shpinë mbi mur , sheh se mendimi humb tutje, por nuk mendon më për asgjë, vetëm për të.- Çfarë do të më sjellësh nesër pë ditëlindjen time, i dashur? – e kishte pyetur gruaja të nesërmen , ndërsa rrinin në shtrat dhe vështronin hënën. Netëve atyre u pëlqente gjithnjë të shihnin nga dritarja dhe të mos flisnin. Ai u habit;- Si, paske dhe ditëlindjen?- Mos vallë e ke harruar ?- u nxeh ajo dhe s’i kishte folur më me gojë. – Po çne, bera shaka! Shiko ç’ dhuratë të bukur kam për të të sjellë këtë

herë! …i kishte thënë Erioni pêr ta marrë me të mirë dhe e kishte puthur.- Cfarë? Ma trego! – dhe ajo e shtyu me dore dhe iu largua.- S’ tregohet, ndryshe humb bukuria e dhuratës.Ajo mbeti disi e pakënaqur por se dha veten.- Kam ndërmend- vazhdoi Suzi- të ftoj shoqet dhe shokët që kam pasur dikur në shkollë.- Besoja se do ta festonim vetëm bashkë- i kishte thënë ai për ta ngacmuar. Dhe pikërisht, të nesërmen, kur u kthye në shtëpi, Erioni e gjeti shtëpinë plot. I takoi shumë përzemërsisht dhe la mbi tavolinë dhuratën e tij, pranë feksjes dehëse të një varëseje të flirinjtë që ish vendosur gati pafajësisht mu në mes, ku të binte në sy prej të gjithëve.

Dhe aty pranë një copëz kartë me një dedikim me shkrim të bukur dhe të imët. Suzi erdhi për ta përqafuar dhe veshtroi e habitur lulet që ai i pati vendosur me kujdes pranë varëses, të cilat i kishte mbledhur kodrave të qytetit , duke humbur aq shumë kohë për ti gjetur. I kishte thurur një kurorë me degë ulliri , të cilën ia vuri në kokë dhe i zgjati boçen e pishës në dorë që kështu ti ngjante një perëndeshe të bukur pagane. Ajo sa kishte vënë pak buzën në gaz, ndërsa disa prej vajzave u mahnitën për dhuratën krejt të veçantë e me shumë kuptim. Suzi e vuri kurorën pranë varëses së artë dhe shkoi të qeraste përsëri miqtë e saj. Më pas ajo, duke i harruar të gjitha, u fliste shoqeve për varësen e shtrenjtë , dhe e kishte venë në qafë pa e hequr më. Atë ia kishte sjellë Altini, një nga shokët më të vjetër të klasës, me të cilin ishin ulur ne nje bange prej vitesh, dhe kishin pasur një raport të shkëlqyer.

Erioni vuri re kujdesin e tepruar per shokun e saj, Altinin, prej të cilit i kishte harruar pothuajse të gjithë, duke përfshirë dhe atë vetë. Ndaj mbasi ishin larguar të gjithë, ai nuk kishte asnjë dëshirë më për ti folur…Edhe Suzi, pas ikjes së shoqërisë, dukej mjaft e brengosur, prandaj kishte shkuar për të rënë menjëherë në gjumë. …Tani Erioni nuk e kupton ende ç’ ka ndodhur. Kthehet në shtëpi dhe e pushton vetmia e dhomës së tij. Orët më të qeta i kalon me punën si gjeometër , me ato bredhjet e përhershme kodrave për matje gjeometrike. Në mbrëmje, pranë rrëmujës së pjatave të palara mbi tryezë , ai kërkon të zbulojë diçka nga kjo histori, por nuk mundet. Fotografia e të dyve mbi komodinë , qëndron si një kujtim i lumtur i së shkuarës. Tani mbi tavolinë , enët e palara do ti mblidhte ajo dhe do ti çonte në lavamanin e vogël. Aroma e ngrohtë e gjellës do të lëshonte në kuzhinë një ndjesi të vërtetë jete. Dhe nëpër librat e tij do të gjendej gjithmonë prekja e atyre gishtërinjve të njohur e të dashur. Ata pak libra në biblioteken e vogël tani duhej të ishin fshirë dhe të sistemuar, s’ kishin pse tu ngjanin qyteteve të rrëzuar…

Kur kthehet në mbrëmje dhe e gjen Suzin e tij të ulur mbi divan duke mbajtur një libër të vogël në dorë që gjoja sikur e lexon. Ajo dilte gjithmonë ta priste te dera, ta përqafonte. Ishte mësuar kaq shumë me praninë e saj në shtëpi , saqë tani i dukej krejt e pabesueshme se ka ndodhur një ndarje dhe dashuria është fshirë me të vërtetë…Por edhe pse ai çuditet me këto që mendon , Suzi nuk vjen më… Rri shtrirë, pastaj çohet dhe lëviz nëpër dhomë, duke e sharë hijen e vet të zmadhuar . Iu kujtua prapë diçka që e habiti, që kishte ndodhur disa javë pas ditëlindjes së saj… Shëtisnin të dy në një park të qetë me dru pishash. Të përqafuar ecnin ngadalë nëpër rrugën e heshtur.

Ajo u shkëput papritur prej tij dhe vrapoi në një vend plot me lule. Këputi një trendafil dhe pastaj një tjetër. Ndërsa ai rrinte i menduar duke e pritur.- Ti s’ më sjell më lule- i kish thënë e mërzitur.- Nuk çoj më lule askund- u përgjigj ai i nxehur papritur.- Ti duhet të ma falësh atë që bëra.- Të lutem- i thotë ai- Mos fillojmë të grindemi për një histori të mbyllur.- Nëqoftëse ti nuk më trajton më si gruan tënde, përse rrimë bashkë?- Nga e kupton ti që s’të trajtoj më si gruan time?- u çudit ai.- Përderisa ti vazhdon të më gjykosh ende për atë që kam bërë. Në qoftë se do të më provosh se mendon ndryshe, dua të më bësh tani një kurorë, si atëherë.- Fëmijët e rritur nuk kanë më dëshirë lodrash! – iu përgjigj vrazhdë dhe vazhdoi rrugën përpara.

Të nesërmen, kur ai hyri në shtëpi, gjeti mbi tavolinë një tufë trëndafila të vendosur në një brokë qelqi të mbushur përgjysmë me ujë. Nuk mundi ta duronte këtë pamje , ndaj shkoi në ballkon dhe ndezi një cigare. Shtëpia ishte zhytur në zymtinë më të madhe, ndërsa ajo Suzi nuk ishte aty. Duke pritur se mos i kthehej gruaja në shtëpi , atij iu kujtua një novelë e hershme ruse ” Byzylyku me gurë të kuq”, dhe mendoi se trendafilet ngjanin shumë me trendafilat e fshehur brenda librit. Pastaj iu kujtua qelqi me ujë i bullgares së bukur, ku lundronte kanarina, i cili ruajti xhamat nga gjëmimet e topave të luftës.

” Ç’ ndodhi kështu me ne? – pyeti veten me trishtim..Mos vallë shkaktari isha unë? Tani ai gjendet me ecejaket e tij nëpër shtëpi, përpara brokës me ujë ku ndodhen akoma trëndafilat e fishkur. Iu afrua afër dhe pa me vëmendje fytyrën e tij të reflektuar nën vezullimet e ujit. Pastaj ngriti dorën dhe shprishi me gishta petalet e kuqe dhe fytyrën e tij.

RIFAT ISMAILI Shijak- fundvitet ’80