Berlin 1945 Blick über den Pariser Platz auf das Brandenburger Tor Anfang Juni 1945

Nga: Bashkim Zeneli

Ende nuk ishte tharë boja e firmave të hedhura në Reims, në aktin e kapitullimit të plotë dhe pa kushte të Gjermanisë, dhe gjenerali Eisenhower do të merrte një telegram me protestë nga zëvendës-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë sovjetike, mareshali Aleksei Antonov: Komanda supreme sovjetike ishte e detyruar të mos e njihte tekstin e kapitullimit mbasi ai nuk ishte përgatitur e nuk ishte miratuar nga Komisioni Evropian i Këshillimit, me autorizimin e qeverive në Uashington, Londër dhe Moskë. Gjenerali Eisenhower do t’i përgjigjej se “ai i ishte përmbajtur me dhimbje detyrimeve”, se “nuk kishte firmosur një kapitullim të njëanshëm” dhe se “edhe një përfaqësues sovjetik, gjenerali Susloparov ishte i pranishëm në Reims dhe kishte nënshkruar gjithashtu dokumentin”.

Por, Stalini do të këmbëngulte që “nënshkrimi i kapitullimit të përsëritej… dhe të përsëritej në Berlin, në kryeqytetin e marrë nga Ushtria e Kuqe”. Madje, ai kërkonte që, me nënshkrimin e aktit të kapitullimit, “këtë herë të ishin të pranishëm përfaqësuesit më të lartë të Aleatëve të luftës…”

Gjenerali Eisenhower në fillim pranoi, por më pas u tërhoq, meqenëse edhe kryeministri Churchill nuk ishte dakord për nivelin më të lartë ushtarak….

Eisenhower do të shkruante më vonë: “Gjermanët nënshkruan në Reims kapitullimin pa kushte, dhe përsëritje në Berlin ishte çështje e sovjetikëve dhe që tregonte nevojën për prestigj personal të Stalinit.”

Vetëm një javë pas paradës së 9 majit në Moskë, që u quajt Parada e Fitores, mareshali Stalin do të gradohej në gjeneralizëm “për shërbimin e jashtëzakonshëm në luftën e madhe patriotike”. Kjo ishte në vazhdën e marrjes së medaljeve se Heroit të Bashkimit Sovjetik, të Urdhrit të Leninit dhe të Urdhrit të Fitores. Grada zbukurohej nga pesë yje platini me 135 diamante dhe pesë rubinë në mëdhenj”.

Dhe, më në fund, aleatët ranë dakord të dërgonin në Berlin përfaqësuesit e tyre me plotfuqishmërinë për të nënshkruar Aktin e Kapitullimit me Gjermaninë. Britanikët do të caktonin mareshalin e Forcave Ajrore, Arthur Tedder; amerikanët gjeneralin Carl Spaatz, dhe si përfaqësues i forcave ushtarake franceze ishte gjenerali Jean de Lattre de Tassigny.

Nga pala gjermane ishin gjeneral-feldmareshali Wilhelm Keitel, gjenerali Hans-Georg von Friedeburg (që ishte edhe në nënshkrimin në Reims) dhe gjenerali Hans-Jurgen Stumpff.

Mareshali Zhukov do të porosiste për organizimin e një ceremonie shumë të madhe, jo në komandën e tij, por në një sallë të madhe të një shkollë në Karlsrot. Të tre përfaqësuesit e ushtrisë gjermane, u pritën në aeroportin e Temperlhofit nga gjenerali Sokolovskij, zëvendësi i mareshalit Zhukov, me tre kompani nderi të ushtarëve sovjetikë…

“Më parë në aeroport do të mbërrinte nga Moska, Andrej Vishinskij, ish-prokurori i përgjithshëm i Bashkimit Sovjetik dhe tani zëvendësministër i jashtëm. Ai erdhi me një grup të madh diplomatësh sovjetikë. Ishte dërguar nga Stalini për të qenë këshilltar politik i Zhukovit. Mbas një ore do të ulej edhe avioni me gjeneralin Carl Spaatz dhe mareshalin Tedder, zëvendës i Eisenhowerit”. (Kam shkruar edhe më sipër për ardhjen në Berlin të Viskinskit.)

Ishin shtruar tapetë, ishin zgjedhur mobilie të reja, gota pijeje dhe salla ishte e mbushur me lule. Edhe rruga që të sillte në godinën e shkollës ishte pastruar dhe ishte zbukuruar me lule. Autori i librit “Acht Tage im Mai…”, Volker Ullrich, tregon se bashkë me ushtarakët më të lartë sovjetikë, në sallë kishte ardhur edhe Erich Honecker, pasuesi i mëvonshëm për mbi dy dekada i Walter Ulbrichtit, udhëheqësi i Partisë dhe shtetit në Republikën Demokratike të Gjermanisë, deri vetëm pak ditë para rënies së Murit të Berlinit, në vitin 1989.

Honecker kishte qenë i burgosur nga Hitleri për 10 vjet. Më 27 prill 1945, mbas mbërritjes së Ushtrisë së Kuqe, ai kishte ardhur në Berlin nga Brandenburg-Gorden.

Në tekstin e Aktit të Kapitullimit, sovjetikët nuk do të bënin ndonjë ndryshim të dukshëm në krahasim me atë të 7 majit në Reims. Ata vetëm zëvendësuan formulimin “Komanda e lartë e trupave sovjetike” me formulimin e ri “Komanda e lartë e Ushtrisë së Kuqe”. Ata kërkuan gjithashtu, që në kuadër të artikullit 6 “të njihej në tekst vetëm gjuha angleze dhe ruse.”

Mareshali Zhukov, në kujtimet tij do të ndalet në prag të ceremonisë së nënshkrimit të Aktit të Kapitullimit, në një detaj të bisedës, midis gjeneral-feldmareshalit Keitel dhe një oficeri sovjetik: “Keitel do t’i shpjegonte oficerit sovjetik se, duke ardhur për këtu, u shokova nga shkatërrimet e mëdha që pashë në rrugë. Dha, ai mori përgjigjen: Po a nuk ishit ju të shokuar, zoti mareshal, kur me urdhrin tuaj mijëra qytete dhe fshatra sovjetikë do të shkatërroheshin e do të rrafshoheshin njësh me tokën. Dhe nën gërmadhat e këtyre rrënojave, do të gjenin vdekjen miliona bashkatdhetarë të mi, midis të cilëve, dhjetëra mijëra fëmijë.”

Në prani të shumë ushtarakëve të lartë dhe të mbi 100 gazetarëve dhe fotoreporterëve, mareshali Zhukov do të ftonte për t’u ulur në tavolinën e nënshkrimit gjeneralët gjermanë, amerikanë, britanikë dhe francezë (dëshmitar).

Mareshali Zhukov do të shkruajë në kujtimet e tij se “gjenerali Keitel eci drejt tavolinës me trupin drejt si qiri dhe përshëndeti lehtë, si një prusian i kopsitur. Por jo, ky nuk ishte më Keitel krenar… Tani ai ishte krejtësisht i rënë, pavarësisht se përpiqej të mbante qëndrim… Gjermanët do të uleshin në një tavolinë të vogël, jo larg portës së sallës… E pyeta nëse kishte ndonjë gjë për tekstin e kapitullimit dhe ai, pa folur, më la të kuptoja se nuk kishte gjë.”

Gazetarët mbanin shënim çdo gjë dhe fotoreporterët kërkonin të kapnin çdo detaj me aparatet e tyre. Nga solemniteti që mareshali Zhukov i kishte dhënë kësaj ceremonie, dukej sikur ajo ishte e para dhe e vetmja e nënshkrimit të kapitullimit, pavarësisht se ishte firmosur një ditë më parë në Reims.

Shkrimtari sovjetik Konstandin Simonov, ka qenë i pranishëm në të gjithë ceremoninë e nënshkrimit të kapitullimit në Berlin. Ai ka përshkruar gjithçka me hollësi. Ai shkruan se “gjeneralët Friedeburg dhe Stumpf dukeshin krejtësisht të rënë, ndërsa mareshali Keitel, përpiqej të qëndronte drejt, pa lëvizur dhe vazhdimisht, me një lloj arrogance, hidhte shikimin nga Zhukovi. Dukej se diçka vlonte brenda tij.”

Tani do t’i vinte radha nënshkrimeve. I pari do të firmoste Zhukovi, pastaj Tedder, më pas Spaas dhe në fund gjenerali de Lattre de Tassigny, që ishte dëshmitar. Keitel qëndronte më trupin drejt në karrigen ku ishte ulur. Koka dukej se i rëndonte gjithnjë e më shumë mbrapa. Mbas tij, një oficer i gjatë gjerman i stafit, duke qëndruar në këmbë “do e lotonte pa i lëvizur asnjë fije muskuli në fytyrë”.

Pastaj Zhukovi do të ngrihej në këmbë dhe duke parë nga vendi ku ishin ulur të deleguarit gjermanë do të fliste rusisht: “Ne ftojmë delegacionin gjerman të nënshkruajë aktin e kapitullimit”. Përkthyesi do të përkthente, por mareshali Keitel, do ta kuptonte dhe papritur do të shkonte drejt tavolinës.

Ora shënonte 00:43 minuta të mëngjesit të datës 9 maj 1945 (Ka qenë ditë e mërkurë). Ceremonia zyrtare kishte mbaruar. Akti i kapitullimit u nënshkrua, mbas 7 majit në Reims, edhe në Berlin. Gjeneralët gjermanë, njëri pas tjetrit do të ngriheshin për të shkuar në vilën pranë sallës. Aty ishte përgatitur një tavolinë e bollshme për darkën, saqë gjenerali Keitel, në procesin e Nurenbergut, do të ndalej duke shpjeguar me detaje se “nuk mund të mos thosha se një luks i tillë dhe një tavolinë aq e pasur dhe e zbukuruar, për ne ishte e papritur. Në fund kishte edhe luleshtrydhe të freskëta. Rrallë një berlinez mund të kishte parë një tavolinë të tillë, vetëm në restorantin Schlemmer. Edhe vera ishte gjermane.”

Në mëngjesin e datës 9 maj, gjeneralët gjermanë do të fluturonin përsëri nga aeroporti i Tempelhofit për në Flensburg, ku do të mbërrinin në orën 10:00.

Me nënshkrimin e aktit të kapitullimit në Berlin, në orën e parë të mëngjesit të datës 9 maj 1945, ishte respektuar edhe premtimi i dhënë më 7 maj në Reims, për t’u lënë 48 orë trupave gjermane, për t’u dorëzuar vetë dhe me të gjitha llojet e armatimeve, përfshirë edhe flotën detare ushtarake dhe aviacionin ushtarak. Për këtë, që me datën 8 maj, në orën 20:00, komanda e lartë e ushtrisë gjermane do të bënte të njohur urdhrin që me datën 9 maj, në orën 00:00, armët duhet të uleshin dhe çdo gjë do t’u dorëzohej pa u shkatërruar trupave aleate…

“Edhe më 9 maj, paradite, në Çekosllovaki, Austri dhe në Baltik, ushtria e mbetur gjermane do të rezistonte ndaj ushtrisë së kuqe. Atë ditë në Kurland do të kapeshin 180 mijë ushtarë gjermanë robër, ndërsa në Prusinë Lindore 150 mijë, në duart e Ushtrisë së Kuqe.”

“Presidenti” Donitz, në Flensburg, tani po konsultohej me bashkëpunëtorët e tij, nëse duhej të funksiononte qeveria e tij, edhe mbas kapitullimit “për të zgjidhur problemet e ngutshme të furnizimit të popullatës”, apo duhet të dorëhiqej. Në “kabinetin” qeveritar do të shfaqeshin mendime të ndryshme. Disa ministra mbronin nevojën e funksionimit të qeverisë për “të ndihmuar popullin dhe për të sistemuar valën e madhe të njerëzve që vinin nga lindja drejt perëndimit.”

Ministri i industrisë së luftës, i shkarkuar nga detyra me testamentin e Hitlerit, Albert Speer, do të shprehej se “me kapitullimin, detyra e qeverisë Donitz për të përfunduar luftën, ishte plotësuar. Tani i gjithë territori i Rajhut, deri në Enklavën e Flensburgut, ishte në duart e fuqive fituese dhe qeveria, në fakt, nuk ka më asnjë arsye të qëndrojë.”

Megjithatë, Donitz nuk ishte plotësisht i bindur se qeveria e tij nuk mund të kishte më asnjë rol, që ajo nuk mund të mos ekzistonte. Ai, nga Radioja në Flensburg, do të kërkonte “mendimin” e popullit gjerman se ishte vetëm në vullnetin e tij që të qëndronte më në detyrë dhe do të “bënte atë çfarë i thoshte populli”. Me demagogji, cinizëm dhe paturpësi të pashoqe, Donitz do të deklaronte se “vetëm dashuria për Gjermaninë dhe ndjenja e detyrës”, e bënin të qëndronte në detyrën e “Presidentit të Gjermanisë”. Po aq cinike dhe e paturpshme ishte deklarata e komandës supreme të ushtrisë gjermane më 9 maj, kur njoftonte për dorëzimin e trupave dhe të të gjitha llojeve dhe mjeteve të armatimit. Midis të tjerash, aty thuhej se “lufta jonë 6 vjeçare mori fund. Ajo na dha edhe fitore të mëdha, por edhe humbje të mëdha… Arritjet unikale në front për atdheun, do të vlerësohen më vonë nga historia…”

Presidenti Donitz, po me 9 maj, në një fjalim që mbajti para oficerëve në Flensburg, në mënyrën më kriminale, do të deklaronte se “ne nuk kemi pse të turpërohemi… Ajo çfarë ushtria gjermane dhe populli gjerman ka arritur në këto 6 vite luftë është unikale në histori dhe në botë… Ne qëndrojmë si ushtarë që nuk kemi njolla në nderin tonë…”

Deri në vdekje, Donitz i qëndroi besnik ideve të tij nacional-socialiste, bindes për “luftën e drejtë” të Gjermanisë. Ai e kishte për nder emrin si “President” nëpërmjet testamentit të Hitlerit, në ditën e fundit të jetës së tij, në ditën e Fundit të Rajhut të Tretë, në ditën e fundit të Gjermanisë naziste. Dhe, krenohej para ushtarakëve në Flensburg më 9 maj, kur kapitullimi ishte nënshkruar se “gjashtë vjet luftë do të mbeten unikale në histori”.

Për humbjet e popujve në këtë luftë kriminale, edhe sot nuk ka të dhëna të plota, të sakta. Autorë amerikanë, sovjetikë, gjermanë e britanikë, nuk japin shifra të njëjta.

“Bashkimi Sovjetik ka lënë në këtë luftë mbi 21 milionë bij dhe bija të tij; Polonia gjashtë milionë, Jugosllavia 1.6 milionë, Franca 850 mijë, Britania e Madhe 370 mijë. ShBA-ja mbi 300 mijë dhe qindra e mijëra të rënë në thuajse të gjitha vendet e Evropës. Gjermania së bashku me Austrinë, 7.4 milionë.”

Historiani John Keegan, historian ushtarak, shkruan se “vetëm në betejën për marrjen e Berlinit, nga Ushtria e Kuqe dhanë jetën më shumë se 305 mijë ushtarë”.

Ndërsa, Cornelius Ryan, gjithashtu një historian me emër të madh, shkruan se nga të dhënat e ekspertëve ushtarakë, që nga ofensiva me 16 prill e deri me 2 maj, me marrjen e Berlinit, kanë rënë në fushën e betejës mbi 300 mijë ushtarë të Ushtrisë së Kuqe.

Ndryshe mendon për këtë shifër mareshali sovjetik Konjev. Ai flet për më shumë të rënë dhe të zhdukur, duke shtuar se “numri i ushtarëve të rënë vetëm nga trupat e komanduara prej tij, pra të Frontit të Parë Ukrainas, gjatë gjithë ofensivës, nga Oderi deri në Berlin, duke përfshirë edhe betejat e fillimit nga Elba… shkon në mbi 150 mijë.

Dhe, nëse përfshihen edhe të rënët nga armatat e Zhukovit dhe të Rokossovskijt, kjo shifër kalon mbi 300 mijë.

Edhe amerikanët japin shifra të ndryshme. Lidhur me këto, gjenerali Omar Bradley, komandant i armatës 12 të ushtrisë amerikane, thotë se sipas pohimit të gjeneralit Eisenhower, marrjen e kryeqytetit gjerman duhet ta llogarisim me mbi 100 mijë ushtarë të vrarë, ku përfshihen edhe të zhdukurit e të humburit.

Ndërsa, autori shumë i njohur botërisht, Antony Beevor, shkruan se “ushtritë e të tre fronteve, Zhukovit, Konjevit dhe Rokossovskijt, në operacionin për marrjen e Berlinit kanë pasur humbje ekstremisht të larta, me 78.291 të vrarë dhe 274.184 të humbur. Historianët sovjetikë argumentojnë se këto humbje janë edhe pasojë e shpejtësisë për të kapur Berlinin para aleatëve perëndimorë dhe se aq shumë është shtënë e luftuar në Berlin, saqë mund të jenë bombarduar edhe ndër vete.

Ndërsa historiani gjerman në Qendrën për Historinë Ushtarake dhe Shkencat Sociale të Bundeswehrit, Peter Lieb, flet se “nga fillimi i ofensivës sovjetike të dimrit 1945, deri në fund të vitit 1948, 13 milionë gjermanë kanë lënë atdheun e tyre… Vetëm nga bombardimet e aleatëve në Gjermani janë vrarë mbi 465 mijë vetë, dhe nga këta, gjysma janë vrarë në pesë muajt e fundit të luftës.”

Është interesant të shënohet se në propagandën naziste, me porosi dhe në vëmendje të veçantë të Goebbelsit, nuk lejohej të përdorej termi sulm ajror, por sulme terroriste për bombardimet e aviacionit.

Ka autorë të tjerë që këtë shifër të viktimave të bombardimeve, e çojnë deri në 700 mijë vetë. Shumë autorë, vetëm për Berlinin, flasin për mbi 120 mijë viktima të bombardimeve. Vetëm nga 16 prilli 1945 deri në 3 maj 1945, vetëm në Berlin janë kryer mbi 2500 vetëvrasje, dhe nëse flasim edhe për 52 mijë viktima të artilerisë dhe 20 mijë vetë që kanë pësuar atakë kardiake, atëherë kjo shifër shkon rreth 180 mijë viktima, vetëm në Berlin.

Është interesant fakti se në qytetin e vogël Demmin, numri i vetëvrasjeve ishte shumë i madh. Nuk kishte asnjë dallim në prejardhje, në moshë, në profesion, nëse ishe mjek apo farmacist, punëtor apo nëpunës, grua shtëpiake, e ve apo me burrë ose djalë në luftë, shitës apo polic… Demmini ishte një shembull i rrallë për shoqërinë gjermane i një qyteti të vogël. Vetëvrasjet me plumb apo me kapsulë helmi, apo me vetëvarje, ishin të shumta. Llogariten në mbi 1000, vetëm në pak ditë. Në varrezat e qytetit, në 6 muaj, do të shkruheshin vetëm brenda një dite emrat e të vetëvrarëve, që ishin 612…

Përgjithësisht, historiografia sovjetike, në shumë të dhëna mbetet më e saktë, ose relativisht më e saktë, sepse edhe ajo, pa qenë aspak nevoja, humbjet në luftë i ka të tejkaluara, ndoshta për të dramatizuar fitoren e që kanë mbetur në librat e parë pas luftës, në kohën e Stalinit.

Në fund të fundit, fitorja mbetet e madhe, e paçmuar, historike, ku shifrat, më pak apo më shumë, nuk kanë edhe aq rëndësi. Rëndësi ka nderimi për gjakun e derdhur të ushtarëve sovjetikë, amerikanë, britanikë, francezë dhe të të gjithë popujve të Evropës që luftuan për fitoren mbi nazifashizmin.

“Ne nuk kemi pse të turpërohemi… si ushtarë nuk kemi njolla në nderin tonë”, do të shprehej më 9 maj në Flensburg Donitzi. Një cinizëm i pashembullt! Ai dhe regjimi i tij, me Hitlerin në krye vrau jo vetëm njerëz në Evropë, por vrau edhe popullin gjerman, shkatërroi Gjermaninë!

“Në verën e vitit 1945, Gjermania ishte plotësisht e shkatërruar. Ajo pagoi shtrenjtë për luftën e çmendur. U vranë më shumë se gjashtë milionë ushtarë dhe SS nën armë. Afro 10 milionë ranë robër të aleatëve. U vranë afro një milion civilë nga bombardimet dhe gjatë arratisë dhe shpërnguljeve masive. Familjet u shuan tërësisht, shumica mbetën pa baballarë, vëllezër ose bij. Miliona njerëz humbën shtëpitë dhe pasuritë e tyre. Ata qëndronin para një të ardhmeje të panjohur.”

9 Maji 1945 ishte fitorja mbi nazifashizmin në Evropë, ishte fundi i Luftës së Dytë Botërore në kontinentin tonë. Megjithatë, ky nuk quhej fundi për qeverinë Donitz. Ajo, pa asnjë funksion, do të vazhdonte të qëndronte në Flensburg, pa e ditur as vetë se pse. Por, sigurisht, duke pritur secili fundin e tij për krimet që kishte kryer, jo thjesht për gjashtë vitet e luftës, por që nga ardhja e Hitlerit në fuqi, me luftën kudër hebrenjve dhe opozitarëve të regjimit. Qeveria nuk kishte asnjë funksion, asnjë të drejtë; tashmë, më shumë se asnjëherë, ishte krejtësisht e paligjshme. Pushteti në Gjermani ishte në duart e Fituesve të luftës. Ishte krijuar tanimë edhe “Komisioni i kontrollit” i aleatëve, që drejtohej nga gjenerali amerikan Lowell W. Rooks dhe gjenerali britanik Edward Y. Foord.

Më 12 maj, të dy gjeneralët, së bashku me një grup ekspertësh do të shkonin në Flensburg, në anijen e pasagjerëve “Patria”. Ata do të shihnin, së bashku edhe me delegacionin sovjetik që do t’i bashkohej nën drejtimin e gjeneralit Truskow, zbatimin e detyrave.