Njeriu që e futi në modë kritikën e artit ishte filozofi francez, Denis Diderot, me veprën e tij “Les Salons”, të shkruar në dy periudha, mes 1759-1775 dhe 1775-1782, duke bërë përshkrime aq intime dhe të holla të pikturave, siç s’ishte bërë asnjëherë më parë.

Disa nga këto kritika shkruheshin në formë bisede të shkruar, disa si komunikime verbale, dhe siç thoshte Diderot, “unë s’e kam parë artin me sy sipërfaqësor e të shpërqendruar”, por se është shkrirë në “artistërinë” e pikturës.

Diderot s’ishte piktor, por ai artin në raste të shumta e shihte edhe më thellë sesa vetë piktorët që i pikturonin. Ai vazhdimisht bisedonte me piktorë si Chardin, La Tour, Cochin, Falconer, dhe u studionte metodat e kompozicionit, punën me brushë, ngjyrosjen etj.

“Unë u hapa shpirtin efekteve të punës së artistëve. Shihja magjinë e dritë/hijës, kuptoja ngjyrën, u familjarizova me ndjenjat e trupit”.

Edhe pse ishte bërë kritik kompetent i teknikës, ai shpërfillte njohuritë teknike, duke e kthyer në subjektivitet të tij, në atë se çka një vepër arti i komunikonte vetëm atij. Ai përshkruante subjektin ose historinë e një pikture në hollësitë më të imta, dhe aristokratë e klientë të ndryshëm blinin pikturat që i përshkruante verbalisht.

“Chardin, La Grenee, Greuze e të tjerët, më kanë sigiruar se unë isha letrari i vetëm fjalitë e të cilit mund të pikturoheshin”.

Një moment interesant është kritika e tij ndaj nudove të Boucher-it, por të cilat i donte gjithsesi, të cilit për njërën nudo edhe i shkroi se “sidoqoftë, më njofto me atë grua, dhe s’do të humbas kohë duke të të thënë që në pikturë i ke bërë floktë më të errëta se ç’duhet”.

Diderot ishte përtej racionalitetit klasik në pikturë, si rend, rregull, harmoni, propocion por lartësonte imagjinatën kreative mbi inteligjencën analitike. Ai bënte thirrje për “kompozita të tmerrshme dhe të ndjeshme, që bartin tmerr e dashuri deri në rrënjë të zemrës, që të shqetësojnë shqisat, dhe të spastrojnë shpirtin, këto gjëra rregulli e rendi nuk mund t’i arrijnë kurrë”.

Diderot s’ishte për “art për hir të artit”, por mendonte se arti kishte detyrë morale për të “nderuar virtytin dhe të ekspozonte vesin”.

Arti, sipas Diderot, duhet të jetë zë dhe produkt i ndjenjës dhe se “dizajni u jep formë qenieve, por ngjyrat u japin jetë”.

Shkrimtari i madh gjerman, Goethe, në lexim të parë të Saloneve të Diderot, i kishte përkthuar në gjermanisht dhe ia kishte prezantuar Schillerit si “vepër e mahnitshme, më shumë se sa piktorit, këto ese i flasin poetit, edhe pse edhe për poetin është një flakadan ndriçimi”. /Albanianpost.com/