Nëpër gjithë Evropën ka monumente me vlera të diskutueshme. Alex Sakalis e ka vizituar një qytet të vogël italian që e ka gjetur mënyrën për ta zbutur trashëgiminë arkitekturore të nazifashizmit. Pjesë të shkrimit të tij të botuar në BBC, sjellim më poshtë.

Në shikim të parë, qyteti Bolzano në veriun e largët të Italisë, është si çdo qytet alpin. I fshehur në një luginë të rrethuar nga kodrat e thepisura të gjelbra të mbushura me kështjella, hambarë e kisha, dhe me tarracat me vreshta, qyteti është si glob i çuditshëm dëbore me rrugët dredha-dredha, me shtëpitë me ngjyra pasteli dhe me tavernat baroke.

Por, kalojeni lumin Talfer – në skajin perëndimor të qytetit – dhe papritmas del një histori tjetër. Rrugët komode zëvendësohen nga avenytë e gjera e të mëdha, me sheshe solemne që bien në hijen e ndërtesave të ashpra gri. Arkitektura është lineare, monotone dhe mbizotëruese, me portikë kolonash të gjata drejtkëndëshe e harqe të çuditshme lakore që galopojnë nëpër rrugë si viadukte drejtë asgjësë.

Monumenti i Triumfit, si monumenti i parë fashist

Mes këtij ansambli të zymtë bien në sy dy struktura. E para është Zyra e Taksave e qytetit, një bllok gjigant gri i stolisur me një basoreliev gjigant që përshkruan – nëpër 57 panele të skalitura – ngritjen e padiskutueshme të fashizmit italian, që nga marshimi në Romë e deri te pushtimet koloniale në Afrikë. Në qendër të tij është përshkrimi i Mussolinit mbi kalë, me krahun e djathtë të shtrirë si në një përshëndetje romake. Është pjesë e jashtëzakonshme e arkitekturës së agjitpropit fashist – mbresëlënëse, e urryer dhe që huton.

I dyti është Monumenti i Triumfit të Bolzanos, një si hark i mrekullueshëm i bërë nga mermeri i bardhë, me kolona të skalitura që të ngjasojnë me fashat – tufën e shkopinjve që simbolizonte lëvizjen fashiste. Ka një prani eterike, pothuajse si fantazmë, që ngrihet si mirazh nga ndërtesat gri të apartamenteve dhe pemët e gjelbra që e rrethojnë. Një mbishkrim në latinisht thotë: “Këtu, në kufirin e atdheut vendoseni flamurin. Që nga ky moment i edukuam të tjerët me gjuhë, ligj dhe kulturë”.

I ngritur në vitin 1928, objekti është i rrethuar nga një gardh i lartë metalik. Ka qenë pikë tubimi për marshet e ekstremit të djathtë dhe objekt i disa përpjekjeve për ta hedhur në erë. Historiani Jeffrey Schnapp e përshkruan si “monumentin e parë fashist”.

Megjithatë, sot këto dy pjesë të propagandës arkitekturore fashiste janë pjesa qendrore e një eksperimenti të guximshëm artistik për trajtimin e monumenteve të kontestuara. Kjo e ofron një shabllon për komunitetet tjera nëse duhet të shkatërrohen apo të ruhen monumentet me konotacione raciste, imperialiste apo fashiste.

Lugina e të Rënëve, trashëgimia më famëkeqe arkitektonike e regjimit të Francos

Para Luftës së Parë Botërore, Bolzano (ose Bozen siç njihet në gjermanisht, sot të dy emrat janë zyrtarë) ishte qyteti më i madh në Tirolin e Jugut, provincë malore brenda Perandorisë Austro-Hungareze. Si qyteti ashtu edhe provinca flisnin kryesisht gjermanisht, por në Konferencën e Paqes të vitit 1919, iu dhanë ato Italisë – për arsye sigurie! Tiroli i Jugut do t’ia siguronte Italisë një kufi natyror verior përgjatë vijës së kreshtës së Alpeve dhe do t’ia jepte kontrollin e Qafës strategjike të Brenerit.

Si qytet kufitar me popullsi kryesisht joitaliane, ishte subjekt i një politike të italianizimit intensiv nën Mussolinin. Emrat e vendeve u ndryshuan, institucionet kulturore tirole u mbyllën dhe gjermanishtja – gjuha amtare e 90 përqindëshit të provincës – u ndalua.

Një lagje e re e madhe e qytetit dhe një zonë industriale u ndërtuan përgjatë lumit dhe mijëra italianë u inkurajuan të vendoseshin aty. Qyteti i ri ishte i zbukuruar me monumente dhe ndërtesa të shumta kushtuar “lavdisë” së fashizmit.

Pas luftës, qeveria italiane u përpoq t’i shlyente politikat fashiste duke ua dhënë banorëve të Tirolit të Jugut një nivel të lartë autonomie. Të drejtat kulturore dhe gjuhësore do të respektohen, vendet e punës në shërbimin publik do të ndahen proporcionalisht në bazë të gjuhës dhe 90 për qind e të ardhurave nga taksat do të mbeten brenda rajonit.

Skulpturat e epokës naziste të krijuara nga Karl Albiker, në Stadiumin Olimpik të Berlinit

Megjithatë, peizazhi i monumenteve fashiste mbeti si burim problemesh. “Për gjermanishtfolësit ato ishin simbol i procesit të italianizimit fashist që ishte përpjekur të asgjësonte kulturën dhe gjuhën e tyre. Donin që monumentet të shkatërroheshin”, thotë Andrea Di Michele, profesor i historisë bashkëkohore në Universitetin e Bolzanos. “Ndërsa, italianët, tash shumicë në Bolzano, por të rrethuar nga një krahinë kryesisht gjermanishtfolëse, u kapën në Monumentin e Triumfit si simbol jo i fashizmit, por i identitetit italian në rajon”.

Italia nuk është i vetmi vend që ka luftuar me trashëgiminë arkitekturore të epokës fashiste. Në Spanjë, një “pakt i harresës” nënkuptonte se monumentet fashiste nga epoka e Francos do të mbeten të patrazuara deri në vitin 2007, kur Ligji i Kujtesës Historike ofroi një kornizë ligjore për heqjen e tyre. Në vitin 2010, një mbishkrim që lavdëronte Francon u hoq nga Këshilli Kombëtar Spanjoll. Ndërkohë, statuja e fundit publike e Francos u hoq në shkurt 2021, veprim ky i kundërshtuar nga Vox-i – partia e tretë më e madhe politike në Spanjë.

Ndërtesat që janë shumë të mëdha për t’u demoluar, vazhdojnë të jenë sfidë. Universiteti i Gijonit është ndërtesa më e madhe në Spanjë, e ndërtuar gjatë viteve të hershme të regjimit Franco në stilin neo-herrerian. Thuhet se ka “vlera të jashtëzakonshme arkitekturore”. Megjithatë, këshilli i krahut të majtë në rajon e ka vënë veton ndaj përpjekjeve për ta propozuar për mbrojtje nga UNESCO, duke thënë se “një ndërtesë e lidhur me frankoizmin nuk mund të jetë vend i trashëgimisë botërore”.

Stadiumi Olimpik i Berlinit nga ku janë zhdukur të gjitha simbolet naziste

Pasuria më famëkeqe arkitekturore e Francos është Lugina e të Rënëve – kompleks gjigant që përmban një bazilikë, një shtëpi për mysafirë, disa monumente, një kryq të madh dhe një mauzole me eshtrat e më shumë se 30 mijë njerëzve. Franco e paraqiste si monument të pajtimit kombëtar, ndërsa kripti u shenjtërua nga Papa Gjon XXIII në vitin 1960. Por, të tjerët e konsiderojnë si ekzaltim të frankoizmit dhe e kanë krahasuar me një kamp përqendrimi nazist. Në vitin 2019, eshtrat e Francos u zhvarrosën dhe u hoqën, e në vitin 2020 qeveria propozoi kthimin e vendit në një varrezë civile. Trashëgimia e kontestuar e Luftës Civile Spanjolle dhe e sundimit frankoist po e bën debatin të polarizuar dhe të ndërlikuar.

Në Gjermani, në ndërkohë, e ke të vështirë të gjesh ndonjë arkitekturë nga periudha naziste. Pjesa më e madhe u shkatërrua gjatë Luftës së Dytë Botërore ose, pak më vonë, si pjesë e procesit të denazifikimit të vendit. Ndërtesat e mbijetuara u ripërdorën duke ua hequr svastikat dhe simbolet tjera naziste – më së shumti në Stadiumin Olimpik të Berlinit. Të tjerat, si Salla e Kongresit e vitit 1935 në Nuremberg, u zgjodhën për të strehuar qendrat e dokumentacionit nazist – monumentalizmin e tyre si simbol i mendjemadhësisë dhe megalomanisë së ambicieve arkitekturore të Hitlerit.

Në Itali, distrikti EUR në Romë u konceptua nga Musolini si manifestim arkitekturor i fashizmit. Duke u endur në peizazhin e tij të frikshëm, hasni te Koloseu Drejtkëndor, fasada e të cilit është zbukuruar me një citat të marrë nga fjalimi i Musolinit që njofton pushtimin e Etiopisë. Në veri të qendrës së qytetit të Romës shtrihet kompleksi sportiv Foro Italico, hyrja e të cilit përmban një obelisk 17,5 metra të gjatë me fjalët “Mussolini Dux” të gdhendura në të. Brenda është varur Apoteoza e Fashizmit, një pikturë që e përshkruan Mussolinin si një zot-perandor. U mbulua nga aleatët në 1944 për shkak se ishte groteske, e më pas u zbulua nga qeveria italiane në vitin 1996.

Koloseu Drejtkëndor në Romë

Në vitin 2014, një grup historianësh dhe artistësh ndërkomunal në Bolzano, u mblodhën për të diskutuar se si ta zgjidhnin atë që po bëhej mosmarrëveshje gjithnjë e më e ashpër. Dinamika sociale e qytetit i kishte kthyer ndërtesat në hapësira të kontestuara, duke krijuar një domosdoshmëri për zgjidhje.

“Zgjedhja binare ishte të shkatërroheshin ose t’i linin ashtu”, thotë Hannes Obermair, profesor i historisë bashkëkohore në Universitetin e Insbrukut dhe një nga ekspertët e ngarkuar për gjetjen e zgjidhjes për çështjen e Bolzanos. “Por, nëse i hiqni monumentet, i hiqni provat dhe e shmangni trajtimin e shtresave komplekse të historisë dhe të identiteteve që nxisin mosmarrëveshje. Përndryshe, mbajtja e monumenteve, pa i sfiduar ato, e normalizon retorikën fashiste”.

Në fund u gjet një zgjidhje kreative që arriti të bashkojë qytetin dhe të zbusë tensionin mes dy komuniteteve. Zgjidhja ishte “rikontekstualizimi” i monumenteve, duke e ruajtur integritetin artistik dhe rëndësinë historike, e duke neutralizuar dhe përmbysur retorikën fashiste.

Monumenti i Triumfit shkaktoi emocione të forta te të dyja anët. Në mënyrë eksplicite është fashiste, duke e lavdëruar pushtimin dhe kolonizimin e Tirolit të Jugut dhe epërsinë e pretenduar të qytetërimit latin. Por, përmes një palimpsesti kompleks të ideologjive dhe simboleve, shihet gjithashtu si fitore italiane në Luftën e Parë Botërore dhe si memorial për ushtarët italianë të rënë gjatë luftës.

Monumenti gjithashtu ka vlerë të rëndësishme historike – si monumenti i parë fashist në botë – dhe artistike, duke qenë shembull i racionalizmit italian, një lëvizje e rëndësishme për zhvillimin e arkitekturës moderne, si Art Dekoja franceze dhe Bauhausi gjerman. Disa nga arkitektët dhe artistët italianë me nam punuan në atë monument, si Marcello Piacentini dhe Adolfo Wildt.

Rikontekstualizimi i Zyrës së Taksave në Bolzano

Ndërhyrja e parë te Zyra e Taksave ishte vendosja e një unaze me LED drita rreth njërës prej kolonave, duke e mbytur në mënyrë simbolike retorikën fashiste, pa e dëmtuar integritetin artistik të monumentit. Më pas, një muze u ndërtua në një kriptë poshtë ndërtesës, që detajonte historinë moderne të Bolzanos. Pastaj erdhi basorelievi. Detyra u ra dy artistëve vendas, Arnold Holzknecht dhe Michele Bernardi. Ideja e tyre ishte e thjeshtë: ta merrnin një ndërtesë me retorikë të qartë fashiste dhe ta rikontekstualizonin si monument antifashist. Vendosën ta vulosnin thënien e Hannah Arendtit: “Askush nuk ka të drejtë të bindet”!

“Ruajtja e monumenteve të lejon të mendosh kontekstin në të cilin u krijuan”, shpjegon Di Michele, i cili ishte anëtar i grupit punues ndërkomunal. “Krijon një dialog për ta dhe për fashizmin në përgjithësi, si dhe na lejon të kuptojmë më mirë ndikimin e fortë urban të arkitekturës fashiste dhe dimensionet e gjera të ndërhyrjeve artistike”.

Ndërhyrjet artistike ishin sukses i madh, i vlerësuar nga politikanët dhe anëtarët e shoqërisë civile nga të dy komunitetet. Ka ende tensione të herëpashershme, por jo për ndërtesat. Ai kapitull është mbyllur.

Obermair është entuziast që modeli i Bolzanos mund të përsëritet me sukses në pjesë të tjera të Italisë, si dhe në vendet tjera që luftojnë me trashëgimitë përçarëse dhe komplekse fashiste, si Spanja. Modeli gjithashtu ofron zgjidhje për debatin mbi statujat në Britani dhe në ShBA. “Por, ideja bazë është se ne nuk duhet të shkatërrojmë monumentet, por t’i transformojmë rrënjësisht ato. Ajo ua siguron njerëzve mjetet për të reflektuar mbi historinë, për të vënë në dyshim ideologjinë dhe për të shqyrtuar në mënyrë kritike mjedisin e ndërtuar rreth tyre. Asnjë arkitekturë nuk është neutrale. Në fund të fundit jemi ne, jo monumentet, ata që duhet ta thonë fjalën e fundit”.