(…I kisha përzgjedhur për leximin letrar më 16 shtator, por nuk pata mundësi të marr pjesë për shkak të protokolleve shëndetësore, me fajin tim.)

LUFTA PËR TË VËRTETËN

(mars, 2021, viti i dytë i pandemisë Covid 19)

E shikoj në sy me neveri

Njeriun pa maskë që ecë krejtësisht i lirë

Në marrëzinë e tij

I them heshtazi që t’mos më dëgjojë:

“budalla, ku po shkon!?”

Njëkohësisht më shikon edhe ai neveritshëm

Hutimin e shpërfaq ndaj maskës sime

Por shikimi i tij më thotë:

“Jo unë, po ti je budalla!”

Qe sa kohë po jetojmë me virusin

i padukshëm, tinëzar,

Na i kërcënon mushkëritë, zemrën,

na e mpiks dhe gjakun

Madje dhe mendjen na e pështjellon

Sa të mos shikojmë njësoj

Ujkun dhe ndaj kërkojmë tragën

Dhe botën tash e shikojmë

Jo me urtësinë e ujkut dhe gjurmëve të tij

Por me mjegullën që na krijon në kokë

Që Ujkun të mos e shohim fare

Një luftë për të vërtetën

Një luftë percepcioni

Jo me virusin

Por midis besimit e mosbesimit

midis Zotit dhe Djallit

Në mendjen e njerëzve

Dhe mbushen varret

Me të ditur e të paditur!

NJË VDEKJE PA PARALAJMËRIM

(Luran Ahmetit, aktorit që humbi betejën me kërcënuesin e padukshëm të shekullit, Covid 19)

Kur e ke përpara

Të keqin që vret me shpatë a me plumb

Vendos “gardin” dhe mbrohesh

Ja ti, ja ai

Me shanset 50-50!

Një luftë fer, fiton më i forti

Më i urti

Më dinaku

Që nga zanafilla

Fshehtësitë e pazbulura

e pështjellojnë botën

Kërcënues të padukshëm që veprojnë lirë

Që hedhin gurin e fshehin dorën

Që s’luftojnë ballë-ballë

Por të fusin thikë pas shpine

Që të godasin në pika të dobëta

Që të vrasin në gjumë

Kur ti s’je gati për luftë

Dhe s’të ndihmon, Luran

Gjithë dija e shkathtësia për të luajtur në skenë

Me heronj të këqij, të mirë a hokatarë

Kur të del përpara një armik mikroskopi

armik tinzar që të sulet në pikët e dobëta

pa shkak armiqësie

Lufta epike është si t’ia hedhësh

 t’i gjesh pikën e dobët Bajlozit të Zi

Para se të të godasë ai ty…

Në skenë mund të ishe Robespier

Ose Danton,

I çliruar nga të gjitha frikat

Një sfidë lirie midis skajesh

Natë që bëhet ditë

Ditë që shndërrohet në skëterrë

Për një atom oksigjeni

Se armiku mikroskopik

Ia di thembrën Akilit

Ia lexon mbrapsht

Të gjitha fshehtësitë Hamletit

Dhe s’i lë më dritë as në fund të tunelit