Ermal Mulosmani

Dashuritë e Dostojevskit kanë qenë të denja për karakterin e tij. Kam shkruar edhe një herë për dashurinë e tij të parë e ndoshta më të madhe, Maria Isajevën.

Ajo ishte gruaja e mikut të tij të ngushtë, një intelektuali pijanec i degraduar që fati e degdisi në një humbëtirë ruse ku as udhëtarit më aventurier nuk i binte kurrë rruga, diku në Kazakistanin e sotëm. Semipalatinsk quhej qyteza. Jeta e miqve të Dostojevskit kishte gjithçka mund të përfytyroni për një jetë province: degradim, varfëri, alkool mjerim dhe brenga shpirtërore. Por siç ndodh shpesh aty gjenden edhe shkëndija gjeniu apo njerëz me botë të pasur shpirtërore që vajtojnë kohët e bukura aristokrate. Të tillë ishte Maria dhe Aleksandër Isajevi. Ata ishin prindër të një fëmije, Pasha Isajevit, thjeshtrit të ardhshëm të Dostojevskit, përkujdësja për të cilin nuk iu nda deri në ditët e fundit të jetës.

Dostojevski sapo ishte liruar nga burgu dhe internimi dhe etja për jetë i ishte shtuar njëqint fish. Ai e donte fort mikun e tij por të shoqen ia donte edhe më shumë . Pak kohë pas mbërritjes së Dostojevskit dhe përjetimeve ekstreme të tij, çiftit të miqve u vjen një transferim i tmerrshëm. Maria sigurisht e kishte kuptuar dashurinë e pashprehur të Dostojevskit dhe ia çmonte atë. Por thellë brenda vetes jetonte në një realitet tjetër, imagjinar, që e përjashtonte jo vetëm të shoqin, ish doganierin pijanec, por edhe shkrimtarin ëndërrimtar, me shkulme pasioni të papara.

Transferimi i Isajevëve e shkatërron Dostojevskin! Nëse Semipalatinski mund të konsiderohej humbëtirë vendi ku do të transferohen miqtë është fundi i botës. Një fshat mes pyjesh me tmerrësisht pak banorë, kryesisht gjuetarë, me një shkollë të vogël, një kishë dhe fare pak shtëpi. Largësia ua shton ndjenjën, sidomos Dostojevkit. Pas pak kohësh burri i Isajevës vdes duke lënë të shoqen dhe djalin në varfëri të plotë. Humbja e mikut të çmuar i hap rrugën Dostojevskit për martesë me të adhuruarën e tij. Por jo, nuk ishte e thënë. Për tmerrin e tij ai mëson se Maria Isajeva kishte rënë në dashuri me mësuesin e fshatit, një riosh tërheqës që as krahasohej me shkrimtarin e një mijë mundimeve.Drama është totale.

“Ajo qante, më puthte duart por donte një tjetër” – i shkruan Dostojevski mikut të tij më të mirë të kohëve të vështira. Një letër që përfundon me fjalët: “Po më pëlcet zemra”. Të tilla ishin ndjenjat për Isajevën. Në përfundim të kësaj historie, Isajeva dhe Dostojevski martohen në kishën e vogël të Kuznetcit, në një ceremony të akullt, me nerva të tendosura nën dëshminë e fare pak njerëzve, shumica fqinjë të Isajevës. Por, në një cep të kishës ndodhet edhe mësuesi i fshatit, Vergunovi, kërcënimi i tmerrshëm për lumturinë e Dostojevskit. Dostojevski ishte bërë mik me të, e kishte ndihmuar përmes njohjeve të tij të mbante vendin e punës dhe martesa e tij bëhej edhe me bekimin e tij. Mardhënie të tilla të komplikuara njerëzore pasqyrohen në veprën e Dostojevskit përmes personazheve me ndjenja ekstreme.

Martesa me Isajevën zgjat fare pak. Ajo ishte 26 vjeç kur u martua (Janar 1857) ndërsa Dostojevski 35. Krizat e herëpashershme të epilepsisë së Dostojevskit e tronditën rëndë gruan e re. Ndërkohë që lidhja bëhet shpejt toksike, xhelozitë dhe kapriçiot e Isajevës e mbysin ndjenjën dhe në fund të vitit 57 ( pa bërë viti nga martresa) nuk mbetet gjurmë nga zjarri i para dy viteve. Maria Isajeva sëmuret rëndë nga tuberkulozi dhe vdes në vitin 1864 në moshën 33 vjeçare.

Megjithëse lidhja mes Dostojevskit dhe Isajevës u venit qysh në ditët e para të martesës ai nuk e mohoi kurrë dashurinë për të. Pas transferimit në Petërburg ku jetonte familja e Dostojevskit raporti mes tyre erdhi duke u përkeqeësuar. Gjithashtu edhe shëndeti i Marias. Tuberkulozi po përparonte frikshëm në ambientin e lagësht të Petërburgut dhe kur ajo vendosi të largohej prej aty ishte tepër vonë. Ja si e përshkruan Dostojevski vdekjen e gruas së tij të parë më 15 Prill 1864:

“Ajo më donte pa kufi, unë gjithashtu e doja pa masë por ne nuk jetuam të lumtur. Pa marrë parasysh se bashkë qemë jashtëzakonisht të pafatë për shkak të karakterit të saj pasionant (a thua se Dostojevski ishte më pak J), dyshues dhe me fantazi të sëmurë, ne s’pushuam së dashuruari njëri tjetrin, madje, sa më fatkeqë bëheshim aq më shumë afroheshim me njëri tjetrin”.

Gjatë 7 viteve të martesës së tyre ai pati lidhje të tjera. Njëra nga ato, aktorja e njohur e kohës, Aleksandra Kulikova – Schubert la tek ai gjurmë të pashlyeshme me bukurinë, zgjuarsinë dhe thellësinë e mendimit. Një herë kur Kulikova e quajti njohës të shpirtti njerëzor, Dostojevski iu përgjigj “E ç’njohës jam unë përpara jush”.

Por, padyshim, dashuria tjetër e madhe e Dostojevskit, ndoshta edhe më vullkanike se gjtiha të tjerat ishte Polina Susllova. (Apollonaria Susllova). Për nga intensiteti i ndjenjës përjetimet që Dostojevski pati me Polinën mund të krahasohen me ato të Isajevës. Polina ishte një vajzë e re me mendime përparimtare për kohën, revolucionare, një tip paksa patetik por me temperament të jashtëzakonshëm. Ajo u dashurua me shkrimtarin e vuajtur, me të dënuarin me punë të detyruar që I shpëtoi dënimit me vdekje më shumë sesa me njeriun Fjodor Dostojevski. Shpesh ajo zhgënjehej prej tij dhe e sikteriste. Pasioni I Dostojevskit për të i dukej shpesh tokësor, i ulët, epshor. Ajo e neveriste veten dhe shkrimtarin. Një ditë Dostojevski citoi një thënie të Balzakut sipas të cilit shkrimtari duhet të zhytet një herë në muaj në orgji. Kaq mjaftoi. Kjo që Dostojevski tha shkonte në kundërshtim me kultin e heroit që kishte udhërrëfyes Polina dhe lidhja pësoi krizë të fortë.

Edhe me Polinën Dostojevskit iu përsërit historia e Isajevës. Në një udhëtim të saj në Paris ajo u dashurua me një student bukurosh me origjinë nga ishukt latinë të Antileve me emrin Salvador. Dostojevski merr një letër dhe

mbërrin pas saj si i çmendur. Në takimin e tyre zhvillohet ky dialog:

Dostojevski: “Ti je e lumtur, je e lumtur? Vetëm një fjalë më thuaj a je e lumtur?

Polina: “JO”

Dostojevski: Si kështu? Dashuron dhe je fatkeqe? A është e mundur kjo?

Polina: “Por ai nuk më do…”

Dostojevski: “Si kështu? Çfarë është ai poet, piktor, filozof?

Polina: “Oh jo”…

Dostojevski I sfilitur nga mundimi I kërkon të mbesin miq. Le të shkojnë në Itali apo gjetkë dhe ta harrojnë Salvadorin pushtues. Përsëri është në rolin e ngushëlluesit të sinqertë, të të tretit të kotë, të një miku vetëmohues. E gjithë kjo skenë ndodhte në Paris ndërkohë kur gruaja e tij, dashuria e tij e madhe Maria Isajeva vuante në Petërburg nën armiqësinë e familjarëve të Dostojevskit dhe tuberkulozit që poi a merrte shpirtin dalngadalë….Për të mos e zgjatur me këtë histori të vrullshme e plot ngjarje po e mbyll me dialogun që Polina zhvilloi me të shoqin e saj në një kohë tjetër:

“Përse u ndatë me Dostojevskin Polina Prokofjevna”- pyet i shoqi

“Sepse ai nuk pranonte të ndahej nga e shoqja tuberkuloze me justifikimin se “ajo po vdiste”.

“Po ajo po vdiste në fakt”?

“Po, po vdiste. Pas gjysmë viti ajo vdiq por unë tashmë nuk e doja më”.

“Përse nuk e donit më”?

“Sepse ai nuk pranoi të divorcohej. Unë iu dhashë atij me dashuri pa u menduar, pa pyetur. Edhe ai duhej të kishte vepruar ashtu. Ai nuk veproi dhe unë e ndava”.

Polina dhe Maria ishin dy dashuritë vullkanike të Dostojevskit. Ato e bënë të vuajë si njeri por e frymëzuan si artist. Prej tyre u krijuan personazhe dhe skena të jashtëzakonshme letrare, nga ato që nuk harrohen kurrë. Ndërsa martesa e tij e dytë me stenografen Ana Sitkina ishte një lundrim i qetë, një jetë pa shumë andralla xhelozie…Letrat me Polinën vazhduan edhe gjatë martesës së dytë dhe e tronditën shpesh lidhjen e tyre. Pas çdo letre qe mërrte nga Polina Dostojevski tjetërsohej, e lexonte me dhjetëra herë, përhumbej. Ana e shkretë (gruaja e dytë) frikësohej gjithmonë nga letrat e saj… Por, me kohën ato u bënë më të rralla derisa humbën fare…