Hapja e edicionit të 15-të të festivalit ndërkombëtar të muzikës “DAM” ishte menduar të bëhej në mars. Por planet e organizatorëve në ditët e fundit i ndryshoi epidemia nga virusi COVID-19. Fillimisht ata shpresonin që t’ia dilnin t’i mbanin së paku disa koncerte, por masat e ndërmarra për ndalimin e përhapjes së koronavirusit i kanë pamundësuar ato.

“DAM”-i gjatë ditëve kur ishte menduar fillimisht që të mbante këtë edicion – 24 deri më 28 mars dhe më 6 e 7 prill – nuk do të mbajë asnjë koncert. Ndjekësit e këtij festivali gjatë këtyre datave do të mjaftohen vetëm me disa video të shkurta të realizuara nga artistët pjesëmarrës, e që do të publikohen në rrjetet sociale të Festivalit.

Magjinë e vërtetë të edicionit jubilar do të mund ta shijojnë pas gjashtë muajve, në shtator.

Drejtori artistik i “DAM”-it, Dardan Selimaj, ka thënë se ata do të sigurohen që të riorganizojnë të gjitha koncertet dhe ngjarjet që kanë qenë të planifikuara për edicionin jubilar.

“Do të na bashkojë muzika siç na ka bashkuar në këto 14 vite”, ka thënë Selimaj. Ka treguar se me t’u lajmëruar për masat mbrojtëse nga virusi COVID-19, kishin diskutuar për mundësinë që disa koncerte t’i transmetonin drejtpërdrejt në rrjete sociale.

“Këtë e kishim planifikuar të paktën në hapjen e Festivalit. Meqë masat parandaluese të Qeverisë bllokuan çdo hyrje-dalje, kjo na detyroi që përfundimisht ta shtyjmë festivalin”, ka thënë ai. Por masa të tilla nuk ka marrë vetëm Kosova.

Shtetet në të gjithë botën janë duke përdorur strategji të ndryshme për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

“Muzikantët pjesëmarrës po ashtu janë të izoluar në vendet e tyre, kush më shumë e kush më pak. Në këto rrethana ata do të na dërgojnë videoincizime në kushte të shtëpisë të cilat do t’i postojmë gjatë datave të Festivalit, mirëpo Festivalin e plotë shpresojmë ta realizojmë në fund të shtatorit të këtij viti”, ka thënë Selimaj.

Në intervistën e dhënë më 7 mars për “Kohën”, drejtori artistik i “DAM”-it kishte thënë se publiku dhe Prishtina do të jenë dëshmitarë të një edicioni që në një pjesë të tij do të tentojë të sjellë rrugëtimin që festivali ka bërë.

Edicioni i sivjetmë ishte paraparë si një retrospektivë e momenteve nostalgjike, por edhe e sfidave të vazhdueshme. Natyrisht, me koncerte premierë e me alamet artistësh nga vende të ndryshme. Por kjo ishte vetëm një shtyllë e këtij edicioni, pasi që 15-vjetori i “DAM”-it përkon me 250-vjetorin e lindjes së gjeniut të muzikës klasike, kompozitorit gjerman Ludwig van Beethoven. Për këtë arsye edicioni i sivjetmë, siç pati thënë Selimaj, do ta kishte vulën e krijimtarisë së tij.

“Jemi të lumtur që muzikën e tij do ta kemi prezente përmes disa solistëve dhe ansambleve të dalluara si: violinisti Tedi Papavrami e pianisti Fraçois Frederic-Guy, ansambli ‘Wiener Kammersymphonie’ e pianisti Mennan Bërveniku”, kishte thënë ai.

Ansambli vjenez “Wiener Kammersymphonie” dhe pianisti i mirënjohur kosovar Mennan Bërveniku, i cili do të rikthehej në “DAM” pas 10 vjetësh, kishin menduar që të bënin hapjen e edicionit të sivjetmë. Por plani për edicionin e sivjetmë nuk përfundonte me kaq.

Festivali brenda listës së objektivave të sivjetshme kishte edhe prezantimin e muzikës bashkëkohore dhe asaj që burim inspirimi e ka muzikën e vjetër nga Lindja e Mesme e deri tek Evropa Qendrore. Mirëpo tani, për shkak të ndryshimeve, pritet që të shihet se çfarë do të sjellë ky edicion jubilar./koha.net/