Dhembja

Niset drejt apartamentit tim,

sa herë që i bie ndër mend.

Shpërfillshëm

kalon përmes kalimtarëve

të rastit,

përmes fqinjëve

shkallëve tek ngjitet.

Kur ndodh

që i zënë me ndonjë punë

                                           të jem

ose jam duke kërkuar

një titull libri në raft

që më humb

                    përpara sysh

ajo qetë e plot durim

pas dere më pret,

derisa unë derën ia hap.

Ulet në tavolinë

dhe ha nga pjata ime,

mbushur gojën plot

si e vdekur nga uria.

Në krevat shtrihet

dhe më miklon me ëndje

si kujtim fëmijërie

Kur ndodh

që në shtëpi mos të qëllojë

ajo ulet dhe më pret

në stolat përballë

pranë hyrjes së apartamentit,

në dimër a në verë,

në borë,

në shi a në diell.

Më del përpara

si fëmijët e përmalluar

që në mëngjes

i kam lënë duke fjetur

dhe ma rrëmbejnë qesen

nga dora

për të marrë gjërat e veta.

Lehtësisht më dallon

në dritë

a në terr,

kur jam vetëm

a mes njerëzish.

Ndjesë

Ndjesë, koka ime, jam sjell

keq shpesh me ty. Sa e sa

herë në qafë të kam rënë,

gati për hiçgjë. Të kam

shqetësuar pa arsye, kot së

koti të jam vërsulur. Të kam

munduar sa herë e sa herë,

dhe ti sërish ke pasur

mirëkuptim. Në pikë të natës

gjumin ta kam prishur,

për gjëra që nuk ia kanë vlejt’.

Në pikë të dëfrimit, qejfin

ta kam prishur, dhe ti

nga unë s’u lodhe prapë.

Sa net pa gjumë, kokëçarje

të panevojshme, të kam

shkaktuar, ndërsa të tjerët

në gjum’ të thellë, gërhitnin.

Marrëveshje që bashkë

i kemi arritur, dhe isha

unë prapë që, fjalën nuk

e mbajta. Për fajin tim,

unë fajin ty ta kam lënë,

si një prind që llogari prej

fëmijës kërkon, për dështimet

e veta. Dhe të jam betuar se

thjesht, s’do të lodh më kot,

dhe mend nuk vura prapë.

Daim Miftari ka lindur në Gostivar (1979). Ka studiuar në degën e Gjuhës dhe Letërsisë shqiptare në Fakultetin Filologjik “Bllazhe Koneski” në Shkup, ku edhe ka magjistruar me temë: “Individualiteti poetik i Xhevahir Spahiut”. Ka punuar si gazetar, përkthyes dhe mësimdhënës.

Ka botuar librat me poezi: Tingujt e heshtjes, (Qendra për Kulturë ASNOM, Gostivar 2007), As ëndrra për nesër, (boton autori, Shkup, 2010) Zemjata na zborot/Toka e fjalës, botim në maqedonisht dhe shqip (Shtëpia Botuese, Silsons, Shkup 2011), Vetëm (Logos A, Shkup 2013), Përtej mureve, (boton autori, Shkup 2016), Akuj (boton autori, Shkup 2018)

Poezi të tij janë përkthyer në disa gjuhë të huaja dhe janë përfshirë në antologji dhe revista letrare brenda dhe jashtë vendit. Emri i tij si krijues është i përfshirë edhe në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës, botim i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, viti 2018. Në prill të vitit 2017, ai ishte i përzgjedhur si shkrimtar në Rezidencën letrare “POETEKA – Tirana in Betëeen” në Tiranë, ndërsa në mars të vitit 2019, në kuadër të projektit „Reading Balkans“, u përzgjodh si shkrimtar në rezidencë në Sarajevë. Ndërkaq, në festivalin e poezisë „Pena ime“ të mbajtur në Kumanovë, në vitin 2018, ishte fitues i çmimit të parë për poezi, „Pena e artë“. Jeton dhe punon në Shkup.