NGA MERXHAN JAKUPI

Cen Berisha, valltar i shquar dhe i njohur në gjithë hapësirën shqiptare, në një takim të rastit, rrëfeu për fillimet e tij të karrierës si valltar. Ai kujtoi çastet e festivalit folklorik që ishte mbajtur në vitin 1956, në stadiumin e Tetovës.

“Derisa parakalonin valltarët e trevës së Tetovës, kisha përjetuar emocione të paharruara. Pikërisht atë ditë përjetova një shtytje, nxitje e motivim për t’u marrë me këtë lloj arti të valleve tradicionale, duke filluar si valltar nëpër disa dasma. Publiku përcillte me entuziazëm vallet, zërin melankolik të curleve, ritmin e lodrave që ushtonin anembanë, brohoritjet, fishkëllimet dhe ovacionet që dëgjoheshin nga turma”, kujton sot Cen Berisha.

Disa nga publiku kishin nxjerrë këmishët dhe i kishin ndezur, rrotullonin mbi koka të njerëzve flakën dhe tymin që kishin shpërthyer. Disa më të zjarrtë hynin në fushë të stadiumit, por menjëherë intervenoi policia me një kordon. Pas përfundimit, të gjithë pritnin nga juria shpalljen e fituesit ndër valltarët. Pas një heshtjeje të shkurtër, një zë femre në gjuhën maqedonase shpalli fituesin: “Xha Kika nga fshati Pallçisht i Tetovës zuri vendin e parë!” Cen Berisha rrëfen këtë ngjarje të madhe dhe thotë se as që kishte paramenduar se pikërisht vetë ai do të jetë pasardhësi i këtij valltari virtuoz, ndaj të cilit ka pasur respekt të veçantë dhe gjithnjë entuziazmohej nga vallet e tij.

VALLËTAR ME KRAHË TË HAPUR SI SHQIPONJA

Në një dasmë në fshatin malor Lisec të Tetovës, një fshatar i kishte thënë Cen Berishës se aty do të jetë edhe Lala Kikë. Mezi e kishte mbajtur veten deri të nesërmen, kur duhej të mbahej kjo dasmë. Ai kishte hyrë në vallë dhe e ndiqte mjeshtërinë e hedhjes së valles nga ky valltar i përmendur. Pas valles, vazhdon rrëfimin e tij, Cen Berisha, ky valltar më hoqi anësh dhe më tha se a ishte i biri i Arif Kapedanit. Në bisedë e sipër, ai e kishte lavdëruar Cen Berishën, për talentin që kishte në hedhjen e valleve, por se edhe trupin e kishte për këtë punë dhe i kishte thënë se i përngjan të atit. I kishte sugjeruar që të vazhdojë me valle dhe, një ditë, do të bëhet valltar i mirë.

“Pasi kisha kryer shërbimin ushtarak, duke vallëzuar në një dasmë, pas përfundimit të valleve, profesori i nderuar dhe miku im, Mujdin Hadri, më tha që nëse kisha dëshirë të merrja pjesë si valltar në SHKA “Xheladin Zeqiri” të Tetovës. Ai e kishte falënderuar dhe i kishte thënë se me gjithë dëshirë do të kyçej. Kështu doli që për ngritjen e tij si valltar ishin protagonistë të merituar, Lala Kikë dhe prof. Mujdin Hadri.

“Këta dy miqtë e mi më ngulën në zemër dhe shpirt këtë profesion prej artisti, prandaj familjet e tyre mbetën për t’i respektuar gjithë jetën, që unë u bëra një valltar, për të kultivuar traditën tonë dhe thesarin e çmuar të folklorit, me këto valle klasike, autentike dhe burimore shqiptare”, tha ndër të tjera, në rrëfimin e tij, Cen Berisha.

Me Cen Berishën, valltarin dhe artistin e popullit, mikun e tim atë, të dy valltarë të njohur, kishim miqësi të ndërsjellë, madje jetonim në një lagje të qytetit, afër Xhamisë së Larme të Tetovës. Shpesh e takoja në çajtore, përballë lumit të qytetit dhe bënim bisedë duke pirë çaj. Edhe pse tashmë në moshë të shtyrë, Baca Hisen ende është vital për moshën që ka, me një fizik burrëror, i veshur me kostume, xhaketë dhe plis të bardhë. Ai ishte me plot humor, sens, oratori dhe çdo takim me të ishte një përjetim i këndshëm.

SI U NDALUA CEN BERISHA QË TË MOS SHKOJË NË TIRANË

Cen Berisha filloi karrierën në SHKA “Xheladin Zeqiri”, si valltar i shquar dhe brilant. Unë, nga respekti që kisha ndaj tij, e thirrja aga Hisen. Ai më rrëfente për rëndësinë, elementet dhe domethënien e valleve që i ekzekutonte. Bukur mirë i zbërthente motivet e valleve, që manifestonin gëzimet dhe hidhërimet e popullit. Ai rrëfente se këto valle janë autentike shqiptare. Të gjitha ato manifestojnë rezistencën dhe vuajtjet e popullit. Vallja e Kaçakëve manifeston robërimin, mos shkuarjen në ushtri të djemve që rekrutoheshin për në luftë në ushtritë e huaja. Një ndër vallet me motive rezistence është edhe ajo e Shpatave, me sloganin “Kush është trim-le të vijë në bashkim”. Nga të gjitha vallet, Cen Berisha përmendi edhe vallen të cilën ai e kishte thurur dhe ia kishte kushtuar babait të tij, komandantit të Ballit Kombëtar të Pollogut, Arif Kapedanit.

Cen Berisha, një artist i popullit, mjeshtër virtuoz dhe ikonë e valleve tradicionale, burimore shqiptare, rrjedh nga një familje revolucionare, me vlera patriotike dhe fisnike. I ati i tij, Arif Kapedani ka qenë komandant i forcave balliste. Sipas Cen Berishës, shumica e burrave të moçëm të familjes së tij janë persekutuar dhe vrarë nga forcat e xhandarmerisë serbe, duke ua zhdukur edhe varret. Ai për vete thotë se ka qenë i ndjekur si një “dele e zezë” nga regjimi dhe UDB-ja. Në kohën kur SHKA “Xheladin Zeqiri” shkoi në vitin 1980 për një turn nëpër Shqipëri, regjimi i atëhershëm nuk e lejoi Cen Berishën, njërin ndër valltarët më të mirë, që të udhëtojë me të tjerët, për shkaqe politike. Nga regjimi perceptohej si njeri i rrezikshëm, si armik i popullit, kuisling, duke shtuar edhe shumë etiketa dhe akuza të tjera. Për këtë veprim ndalues ndaj Cen Berishës nga ana e regjimit, Kryesia e kësaj shoqërie ishte ankuar në instancë të Ministrisë së Kulturës, për këtë bllokim dhe diferencim politik të anëtarit të tyre, krye-valltarit, pa të cilin nuk do të mund të prezantoheshin në mënyrë të denjë në Shqipëri. Më në fund, Cen Berishës i ishte dhënë pasaporta.

Cen Berisha dhe im atë, që të dy valltarë nga e njëjta lagje e qytetit, ishin ftuar në një dasmë në Ferizaj. Pasi kishte mbaruar dasma, duke i përcjellë tek stacioni i autobusëve, së bashku me ustallarët e tjerë, ata kishin hequr vallen para qytetarëve kureshtarë, të cilët e kishin bllokuar rrugën. Artisti i popullit, ikona e valleve, Cen Berisha ka marrë pjesë si i ftuar nëpër dasma në të gjitha qytetet e Maqedonisë Perëndimore, në Kosovë dhe Luginën e Preshevës. Karrierën si valltar e ka bërë në SHKA “Xheladin Zeqiri” të  Tetovës. Më se katër dekada ka qenë aktiv dhe i palodhshëm në këtë shoqëri artistike, duke marrë pjesë në festivale në të gjitha ish-republikat jugosllave, si dhe në Shqipëri, Turqi dhe Bullgari. Si veteran i valleve burimore shqiptare, Cen Berisha ka qenë edhe koreograf në SHKA “Rexhep Voka” të Shipkovicës, por edhe në Sellcë, Nerashtë, mbi të gjitha në SHKA “Xheladin Zeqiri” të Tetovës, ku e bëri karrierën jetësore.

Baca Hisen duke biseduar me një sens humori, më tha se ndoshta më kishte mërzitur duke folur, por më bëri me dije se kishte për të folur deri në mëngjes, sepse kjo ishte vetëm një pjesë e rrëfimit. Cen Berisha ishte një artist i popullit dhe një figurë e njohur në gjithë trojet shqiptare, por nuk harroi të thotë që pleqëria tashmë e kishte mbërthyer. Se vizitat e njerëzve po rralloheshin, se dita më ditë i iknin shokët dhe moshatarët e farefisit. Njeriu, duke u mplakur, bëhet më afër Zotit. Ai thotë se të jetosh gjatë sjell edhe dhimbje, vuajtje, agoni. Duhet të jesh një hero dhe shpirt-ngritur, që të durosh se si të treten shokët, shkojnë në amshim, ndaj dhe fiton një përshtypje se jeton në një ishull, me njerëz të huaj. Kur në jetë konsumon gjithçka, jeta të  duket shumë e gjatë, ndonëse ndonjëherë të duket edhe shumë e shkurtër.   

Në foto: Cen Berisha mbi lodër, në një festival folklorik në Stamboll