Peter Bradshaw

Josh Trank është filmbërësi që mori flatra më 2012 me filmin e tij brilant “Chronicle”, por ai pastaj e pa se era prapa krahëve të tij u mek me filmin e tij zhgënjyes “Fantastic Four”, vetëm tre vjet më vonë, që u përplas keqazi për dhé.

Tani ai është kthyer me një studim të zymtë e grandioz, por goxha besimplotë mbi gangsterin legjendar gjatë rënies përfundimtare në diellin e Floridas, i kruspullosur në përbuzjen e vet egërshane njësoj si një prej krokodilëve në liqenin përballë. Pos që e ka shkruar, Tranku ka bërë regjinë dhe montazhin, shkruan “The Guardian”.

Tom Hardy interpreton Al Caponen, që quhej prej familjes së vet si “Fonzo” (nga emri i tij i parë Alphonse). Është viti 1947, dhe ai sapo është liruar nga burgu pas dhjetë vjetësh për shkak të shëndetit të lig e pasi kishte pësuar sulm, transmeton KOHA. Ai u lejua të jetonte nën arrest shtëpiak, i përgjuar nga larg prej njerëzve të FBI-së, dhe i rrethuar nga anëtarët vigjilentë, e paksa përbuzës, të familjes – ani pse e shoqja e tij Mae (Linda Cardellini) duket se kujdeset me gjithë zemër për të.

Ai është vetëm në fund të dyzetave, por duket të paktën 20 vjet më i shtyrë në moshë. Filmi mbulon një vit, i shënjuar nga dy darka falënderimi, gjatë të cilit gjendja fizike e mendore e Capones merr tatëpjetën, tok me financat e tij. Prona e tij është zhveshur vazhdimisht nga orenditë, veprat e shtrenjta të artit e statujat, që ngjan në një paralele rrëqethëse me çakërdisjen mendore të Capones.

Sytë e Capones janë të kuqë si të një vampiri, zëri i tij është si hungërimë, duke këputur të shara në anglisht e italisht. Ai e fëlliq veten, që nënkupton se ai sorollatet rreth shtëpisë së vet në fustan e pampersa adoleshentësh, posi një bebe e madhe e dashakeqe. Dhe derisa rrëshqitja drejt dementisë bëhet më e rrëpirtë, ai vizitohet nga fantazma të së shkuarës, përfshirë edhe një armik të moçëm të quajtur Johnny (Matt Dillon) dhe telefonohet nga njerëz të vërtetë për të cilët familja e tij nuk di gjë prej gjëje. Një doktor i pasur me emrin Karlock (Kyle MacLachlan) bën telefonata në shtëpi, por ai punon fshehurazi për federalët, që duan të dinë atë çfarë do ta dijë edhe familja e tij dhe consiglieri (titull për këshilltarin në strukturat mafioze v.j.): a ka fshehur Capone një sasi të madhe parash dhe vetëm ka harruar se ku ndodhen?/koha.net/