Në faqet intime, autentike dhe transparente, si në një bisedë me një mik, Sharon Stone flet për veten në autobiografinë “Il Bello di Vivere Due Volte” (Bukuria e të jetuarit dy herë), që do të dalë globalisht më 30 mars.

Ajo është historia e rrugës së rilindjes, plot kokëfortësi dhe dashuri, e një prej aktoreve më të famshme në botë.

Në 2001, Sharon Stone pësoi një goditje të rëndë në tru, që, përveç shëndetit të saj, i shkatërroi karrierën, familjen, trashëgiminë financiare dhe famën ndërkombëtare.

Në autobiografinë e saj, ajo ripërshkon rrugën e ashpër dhe të lodhshme që iu desh të bënte për të rindërtuar jetën e saj dhe për të rikthyer gradualisht shëndetin fizik dhe qetësinë.

Në një sektor ku krizat ose dobësitë nuk pranohen, në një botë ku shumë njerëz janë të detyruar të heshtin, aktorja ka gjetur forcën për t’u kthyer, guximin për të bërë të dëgjohet zëri i saj, si edhe dëshirën për të lënë gjurmë për të drejtat dhe mirëqenien e çdo qenie njerëzore në planet.

Stone, të cilën e kemi parë në filma, si “Basic Instinct”, tregon për rolet e saj më të mëdha, miqësitë që i ndryshuan jetën, dështimet e saj më të këqija, si edhe arritjet e saj më të mëdha.

Në të njëjtën kohë, zbulon se si, pas një fëmijërie të shënjuar nga trauma dhe dhuna, ajo arriti një karrierë të suksesshme, në një botë ku të njëjtat abuzime u kryen në forma të ndryshme dhe u fshehën pas ekranit të parave dhe magjepsjes.

Në fund, tregon se si vetëm fëmijët e saj dhe iniciativat e saj humanitare i kanë dhënë asaj forcë për të ndërmarrë një rrugë rilindjeje, që e ka lejuar atë të pajtohet me familjen e saj dhe t’i kthehet kultivimit të dashurisë.
Aktorja, por edhe aktivistja për të drejtat e njeriut, artistja, nëna, vajza, motra dhe shkrimtarja Sharon Stone, e cila tani jeton në Los Anxhelos me familjen e saj, vlerësohet jo vetëm për bukurinë dhe talentin e saj, por edhe për betejat e saj për të mbështetur idetë vetjake./atsh /