Arti shqiptar ka humbur një prej këngëtarëve të vlerësuar në disa zhanre. Sali Brari ka vdekur të premten. Ai ishte 85 vjeç. Brari ishte një prej këngëtarëve të zotë të Ansamblit Popullor të Këngëve dhe Valleve. Në këtë institucion kishte ushtruar veprimtarinë e tij prej artisti. Kumti për vdekjen e tij është dhënë nga Tetari i Operës dhe Baletit në Tiranë.

Sipas biografisë që ka publikuar TKOB, Sali Brari u lind në Tiranë më 18 maj të vitit 1935. Që në shkollën fillore u shpërfaq talenti i tij me zërin e ëmbël e të ngrohtë, duke u aktivizuar në aktivitetet muzikore të asaj periudhe. Në vitin 1956, Sali Brari u emërua këngëtar pranë Estradës së Shtetit. Me krijimin e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore në vitin 1957, ai iu bashkua kësaj trupe derisa doli në pension. Gjatë kësaj periudhe ai kreu edhe Liceun Artistik pranë degës së kantos, transmeton KOHA.

“Në repertorin e Sali Brarit gjejmë një larmi këngësh popullore, këngë të përpunuara, këngë popullore të krijuara nga kompozitorët tanë, deri tek interpretimi prej tij në operetën ‘Vjeshtë e artë’ e kompozitorit Tish Daija, si dhe opera ‘Skënderbeu’, shkruhet në biografi.

Sali Brari shndriti në çdo shesh e në çdo skenë të vendit. Po aq i suksesshëm ishte edhe në turnetë e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore në Evropë, Azi e Afrikë, duke i mahnitur të huajt me fuqinë interpretative dhe zërin aq të veçantë e melodioz. Për aktivitetin dhe kontributin e tij në fushën e interpretimit të muzikës popullore, Kuvendi Popullor e ka vlerësuar me Urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të I-rë.

“Në emër të drejtuesve dhe artistëve, TKOB i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes, bashkëpunëtorëve dhe miqve të shumtë të artistit Sali Brari. I përjetshëm do të mbetet kujtimi i tij”, shkruhet në letrën e Teatrit. Këtë javë arti shqiptar ka humbur edhe dirigjentin me nam Milto Vako. Kësisoj, brezi i parë i muzikantëve profesionistë të Shqipërisë së pasluftës së Dytë Botërore ka mbetur pa dirigjentin eminent. Ai vdiq të martën në moshën 90-vjeçare. Lajmi për vdekjen e Vakos është komentuar si kumt se muzika shqiptare ka humbur një prej profesionistëve të vyer. Trashëgimia e Vakos, sipas Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Teatrit të Operës dhe Baletit, do të mbetet pjesë e çmueshme e historisë muzikore të Shqipërisë.