Akademia e Shkencave botoi veprën monografike “Banda kombëtare ‘Vatra’, një histori unike shqiptaro-amerikane” shoqërua edhe me CD, të akademikut Vasil S. Tole.

Kjo vepër i kushtohet historisë së ardhjes së vullnetarëve shqiptaro-amerikanë në vitin 1920 për të nxitur ndjenja entuziaste besimi dhe frymë atdhetare në popull, pas rikonfirmimit të Pavarësisë me Kongresin e Lushnjes dhe në mënyrë të veçantë me ngritjen më këmbë të popullit për t’i marrë në duar fatet e vendit, me përpjekjet e suksesshme për rikthimin e Korçës dhe Shkodrës nën sovranitetin e shtetit shqiptar dhe me luftën heroike të popullit të Vlorës dhe të gjithë Shqipërisë.

Banda “Vatra” u bë pjesë e historisë së luftës së Vlorës me kurajën e saj për të inkurajuar shpirtin luftarak popullor ballë për ballë me rrezikun, me repertorin e këngëve marshe që mobilizonin ndërgjegjen atdhetare.

Kënga “Vlora-Vlora”, që u krijua nga drejtuesi i kësaj bande Thoma Nasi, me tekst të poetit Ali Asllani, i dha identitet kësaj lufte.Autori i këtij studimi akademiku Tole ka marrë në vështrim lidhjet dhe dallimet midis bandës muzikore “Vatra” dhe shoqatës atdhetare “Vatra”; duke gjetur rastin të theksojë rolin e shqiptaro-amerikanëve në jetën e Shqipërisë shtetërore, ndryshimet që solli në rrjedhat e historisë sonë kombëtare shfaqja e interesimit amerikan për çështjen shqiptare me mbarimin e Luftës së Parë Botërore dhe sidomos me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy shteteve më 1922.

Kjo monografi është në të njëjtën kohë edhe histori e themelimit dhe e rrugëtimit të gjatë njëqindvjeçar të bandës muzikore shtetërore, krijuar mbi bazën e bandës “Vatra”, me një vendim të qeverisë së Sulejman Delvinës.Botimi shoqërohet edhe me një CD, ku janë regjistruar interpretime të bandës.