Fatmir Sulejmani

Bota është ding me njerëz që s’jetojnë dot pa kulte, pa padronë, pa baballarë jobiologjikë… Të tillëve u veshin veti të jashtëzakonshme dhe u përunjen. Nga ky ilet nuk jemi imunë as ne, natyrisht. Prandaj kemi kaq shumë ekselenca e izmeqarë, të hymnizuar e hymnizues, shtypës e të shtypur, poshtërrues e të poshtërruar, ndrydhës e të ndrydhur, zhvatës e të zhvatur, vjedhës e të vjedhur…

Më të neveritshmit prej kultaxhinjëve janë sojsëzët që, për interese meskine, sillen si miza rreth idhujve pa krena; që vetëdijshëm bëhen rapsodë oborresh për aq kohë sa obortarët janë lart, për të ngulur pastaj të parit hanxharët në shpinat e cezarëve të rënë fuqie dhe për t’u qepur “me dinjitet” pas cezarëve të rinj.

Në një shkrim të mëhershëm e kam thënë se sojsëzët janë në fakt krijuesit e faraonëve – ata që e bëjnë jetën nën hijen e yjeve prijës – shpinave mbrojtëse të jetës pa mund e plot luks. Të tjerët, ndërkaq, janë të sëmurit për mend, që nuk e dinë as pse i adhurojnë as pse i varrosin totemët e deridjeshëm. Për ta kuptuar këtë mjafton pyetja: a njeh dikush ndonjë kapidan Shqiptarie të epokës së tranzicionit të pafund, të cilin nuk e himnizuam, nuk e shpallëm hero dhe nuk e ngjitëm në fron me hosanna skajshmërisht qesharake, apo ndonjë që nuk e shembëm pastaj përtokë dhe nuk e pështymë si tradhëtar me barabba skajshmërisht poshtërruese? Sigurisht jo, sepse historia e kulteve është historia jonë qeshite, jemi vetë ne – sovrani që mendon se ua ka borxh jetën të zgjedhurve të tij – sovrani me tipare Sizifi që shtynë kodrës engjëj dhe rrokullis teposhtë djajë.

Këtë ilet me pamjen e kësmetit ogurzi, që nuk i shqitet njerëzimit të ndarë që nga zanafilla në klasa shoqërore, të cilat nuk ndajnë asnjë interes dhe nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën, e kanë portretuar me kohë edhe krijuesit shqiptarë, kurse, në nivel global këtë e ka bërë më së miri Emil Siorani – filozofi francez me prejardhje rumune, autori i thënies që ngjeth mishrat: Provo të jetosh i lirë, do ngordhish urie.

Në sprovat e tij perla, Siorani sfidon prometejshëm idhujt e pangijshëm me djersën e qenieve shpresëhumbura. Të shijojmë bashkë vetëm disa rreshta prej tyre:

Gjithkah shoh të udhëhequra nga një ideal vetëm dele të tubuara nëpër kope për t’i blegëruar shpresat e tyre…

Askush s’qe më i hapur se Diogjeni; rastit në kufi të sinqeritetit e luciditetit dhe njeriut shembull të asaj që mund të jemi, nëse edukata dhe hipokrizia nuk do t’i frenonin dëshirat dhe sjelljet tona.

Një ditë një neri e dërgoi në një shtëpi përplot salltanet dhe i tha: Ki kujdes të mos pështysh poshtë. Diogjeni, që ndjente nevojë për të pështyrë, e pështyu në fytyrë, duke i thënë se ishte vendi i vetëm i papastër që e gjeti për të pështyrë.

Cili është ai që nuk e ka përbirë pështymën nga frika që të mos e ngjesë në fytyrën e ndonjë vjedhësi të respektuar?