Nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë, muaji shkurt është shpallur Muaji i Kujtesës për shumë figura të shquara intelektuale që u përndoqën dhe u ekzekutuan nga regjimi komunist në Shqipëri. Më poshtë është kujtesa për kontributin e At Bernard Palaj.

Lindi më 2 tetor 1894 në gjirin e një familjeje të shpërngulur nga Shllaku në Shkodër, i cili u pagëzua me emrin Zef. Mësimet fillore e të mesme i kreu në shkollën e etërve françesanë, ndërsa Liceun e kreu në Salsburg e ato teologjikë e filozofike në Insbruk.

Gjatë periudhës studentore, tregoi interes të veçantë për albanologjinë, kultivuar deri atëherë nga autorë të huaj. Për disa vjet mësoi në liceun Ilyrikum në gjuhën shqipe dhe latinisht, pastaj shërbeu në famullitë e Toplanës, Palcit, Shalës, Bushkashit dhe të Rubikut. Iu kushtua poezisë, prozës, muzikës, duke punuar për të mirën e atdheut.

Më 15 prill të vitit 1923, bashkë më vëllezërit Mjeda, Fishtën, Anton Harapin e disa të tjerë, botuan në Shkodër gazetën “Ora Maleve”. Ka botuar në organet “Leka”, “Tomori” etj. Gjithashtu Palaj ishte anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare që prej 1940.

Puna e tij shkencore si dhe aktivitetiti i tij fetar u ndërpre kur e arrestuan në më 22 tetor 1946. Gjatë kohës që kryente dënimin kërkonte t’i bënte të qartë mbarë botës për ekzekutimin e intelektualëve shqiptarë pa asnjë shkak vetëm për faktin se ishin pionierë të mendimit të lirë dhe demokratik. U akuzua prej sistemit komunist për “agjent dhe bashkëpunëtor i fashizmit”.

Vdiq në burg, para se të “gjykohej” më 2 dhjetor të vitit 1946, sepse u mbajt lidhur me tela dhe dha shpirt nga tetanozi (vuante edhe nga sëmundjet e zemrës).