Faruk Šehić

(poemë reportazhi)

Për Mariannën

Eja në Berlin

Mund të humbim përgjithmonë në qendrat tregtare

Dhe të mos lëmë gjurmë të troshave të bukës pas vetes

Të largohemi pa përshëndetje, t’ua lëmë këtë botë atyre që duan ta shkatërrojnë dhe që do ta shkatërrojnë

Por ne atëherë do të jemi larg

Të humbur në U-Bahn, në atë stacionin e shtruar me mermer nga zyra e Rajhut të Hitlerit (bile ashtu thonë), në Mohrenstraß, aty gjendet një kalim i fshehtë

Eja në Berlin

Do të të çoj në Alex, do të të fus në Pandorë, ku do t’i lëshojmë fluturat e argjendta skandinave nga kutiçka verbuese, të cilat do të ulen në veshët tu

Ose mund të shkojmë te argjendari Krisht, në secilin vath do të dëgjosh si rrjedh lumi qiellor Jordan

Do të të pagëzoj me ndonjë unazë, me orën që ka mekanizëm kuarci

E mallkuar është bota në të cilën bëhen orët me mekanizma kuarc

Ç’alamet fyerje është kjo ndaj orëve mekanike

Veç ashtu kotsëkoti akrepat kërcejnë, kjo me të vërtetë është turp

Po të isha mekanizëm i orës mekanike, do të eksplodoja nga tërbimi

Ndoshta edhe kjo vaki do të shpallej akt terrorist nëse do të kisha emër dhe mbiemër të gabuar

Ngjyrën e errët të fushës së orës, gravurat që do të ishin të dyshimta, që tërheqin kah Lindja, kah Lindja e pistë, ku njerëzit sall rrinë shtrirë nëpër rrugë dhe i numërojnë ditët e tyre të lypësisë, të nënshtruar, duke u pajtuar me fatin e tyre; pluhuri dhe hiri i ri i qyteteve të lashta, death above

Eja në Berlin

Jam vetëm, dhe jam i mërzitur, Fire Girl Say You Will

Do të të çoj në Potsdamer Platz Arkaden, mund të hamë junk mondan, me siguri do të të çoj në Alexanderplatz, aty kam ngrënë Fish & Chips të hamamtë i frikësuar se mos po shkel dofarë zogjsh të çuditshëm, të cilët aspak nuk kanë frikë nga njerëzit

Sall një herë e kam parë një zog të tillë, në Londër, në Camden Town, kur po i njëjti zog këndonte aq bukur duke injoruar lumenjtë e dalldisur të njerëzve, të cilët bjerrnin ditën nëpër Camden, sepse jorealët bëjnë edhe gjëra të tilla

Nga kanë ardhur këta zogj, do ta pyes ndokënd, dikush duhet t’i njohë ata, shoh se të gjithë tashmë janë mësuar me ta, ama unë nuk jam zogofil, jam nga një galaktikë tjetër

Për çdo ditë shkoj në Alexanderplatz, nuk e di pse, vetë këmbët më çojnë përgjatë Leipziger Straße, pranë Qendrës Kulturore Bullgare, pranë hotelit të dështuar të boksierit Kubrat Pulev, fotografia e të cilit me fytyrë të zbrujtur zbukuron murin e jashtëm të hotelit të tij

Aty gjendet edhe një pension Varna, në një ndërtesë të ngushtë si karfica janë të ngjeshura dritaret

E në disa çaste sa e çakorduar është ajo rrugë, me myk dhe lagështi vjeshtore, e pastaj Mall of Berlin

Les Fleurs du Mal, Berlin ich liebe dich.

Eja në Berlin

I am bored, boring është në modë

Do të të çoj në qendrat tregtare të shajnitura, në lidlët për ultra të varfër

Nga vijnë ata zogj, nuk ka asgjë për ta në Google, e kam pyetur, ai nuk thotë asgjë

Ich bin ein Berliner

Ka gjallëri në Alexanderplatz, këtu jam sall turist, shikoj në vitrina si në lumenj të thellë, të errët të cilët padukshëm rrjedhin dikah

Ah, po, ky është Spree, Spree i dashur (përndryshe i gjinisë femërore), i vdekur, i përgjumur, pastaj i ringjallur në vitrinën e kafeterisë Tchibo dhe dyqanit ku shiten gjithfarë mallrash, ku ke parë a ku ke dëgjuar që këmishat dhe kafja e hazërtë të shiten së bashku

Ah, po, e pashë Spreen atje te Spittelmarkt, atje ku gjendet Fischerinsel, u ndala në Getraudenbrücke, u mbështeta në bërryla në parmakët e gurtë të urës në drejtim të Berliner Dome, shikoja në ujë, në atë rënkim të murrmë me të cilin derdhej Spree nga ndonjë rrjedhë, si prej pëllëmbe, e pashë, sall për një çast, zjarrin si ma bën me sy dhe thotë: mos i thuaj askujt, por unë jam këtu, veç po pres të më thërrasin

Pastaj i prekja me gishta vrimat e granatave dhe plumbave nga Lufta e Dytë Botërore, ajo luftë që kurrë nuk do të përfundojë

Përpiqesha të kuptoja ngjyrën e ujit që e dua, ama unë nuk di si ta shpjegoj atë

Pse është Spree aq i errët, a janë të gjithë lumenjtë gjermanë kaq të errët

Eja në Berlin

Do të pres, kudo dhe kurdo, unë jam këtu, i kamufluar si turist, kam edhe aparat fotografik, unë di mirë të hesht dhe të ec denjësisht, me ditë të tëra shikoj orët luksoze në Friedrihstraße, atje te Wempe dhe Bucherer, kudo që ka orë, nuk duhet të jenë as luksoze, mund t’i shikoj bile edhe ato të kuarcit, me rëndësi është të jenë orë, e ato nuk janë të njëjta njashtu siç janë njerëzit, me rëndësi është të mos iu dukem i dyshimtë shitësve prapa xhamit të blinduar, gjithmonë kërkoj atë të pamundurën, orën time Gral

Eja në Berlin për të pirë Balzac Coffee në Potsdamer Platz, aty ku dilet nga U-Bahn, ndërsa mund të pimë edhe Einstein Kaffee në Friedrihstraße, Banakieri me kutizat e renditura të kafes përgjatë mureve të larta thuajse shitorja është bibliotekë, ama nuk është

Do t’i tregoj mbetjet e Murit të Berlinit, në park, pak para Mall of Berlin, konstelacionin e bërë nga çamçakëzët, të cilët turistët i ngjesin në mbetjet e murit

Dhe një varg të gjatë ndërtesash të shëmtuara, nga koha e socializmit, të braktisura, të cilat më zgjojnë ngrohtësinë rreth zemrës sime, Berlini diku-diku është i konzervuar, udhëtim nëpër kohë, të cilit me gjithë qejf i jepem

Eja në Berlin

Për të shikuar gjermankat e bardha tamblore, të brishta, të tejdukshme, të holla si Fernsehturm, ose kulla Rundfunk te ZOB, atje ku prita autobusin për Wroclaw kur ende besoja se bukuria e grave polake mund të shpëtonte botën time, thuajse ka nevojë për ndonjë shpëtim, të fundosemi bashkë deri në fund, poshtë ka llum, ari i anijeve të shpuara dhe poshtë peshqit më të mëdhenj, e unë e kam shpirtin e peshkatarit, megjithëse, do të doja të isha peshkatar shpirtrash si Jezusi në botën multipolare të produktit të shenjtë dhe blerjes së shenjtë

Berlin ich liebe dich.

Eja në Berlin për të ikur së bashku në Lindje me ata zogj të çuditshëm që këndojnë aq bukur në mes të rrëmujës konsumeriste, zhurmës dhe tërbimit, një epoke që as emrin ende nuk ia dimë; a do të duhej që secili ferr të ketë shpjegimin e vet të përshtatshëm

Disa migrime duhet të nisen drejt Lindjes

Është koha që bile ne t’ia mësyjmë Tokës së Premtuar, e cila nuk është më e tillë

Oh, Berlin, ashtu të kam i lumtur.

Eja, lirisht eja në Berlin, ai është tash Tokë e Premtuar

Këtu jam, po studioj hartën e shinave nëpër të cilat fluturojnë vagonët e U-Berlinit

Në Alexandplatz një tip me baseta të kuqe po këndon, Comfortably Numb, edhe pse mua për një çast m’u duk se ishte kënga Wish You Were Here, gërvijnë vargjet nën qiellin e Berlinit, berlinerët thonë se qielli mbi këtë qytet është më i shpejtë se qielli mbi qytetet tjera, po dëshmoj se ashtu është, atje ku retë fluturojnë drejt rrafshinave të pafundme të Polonisë, atje ku kam shkelur Nysu nga ana e Gjermanisë ulur në autobusin Polskibus, ende askush nuk e ka shkruar vjershën Gjermania po futet në Poloni

Berlin, du bist so wunderbar, me theks të veçantë në këtë r si njerëzit me çrregullime në të folur, r rrokullisëse si zinxhir tanku

Nuk e di nëse njerëzit e bardhë në baraka druri në periferitë e Berlinit ëndërrojnë blitzkriegët e ri, nëse idetë ruse do të gjejnë pikëmbështetje në urrejtje kundruall Europës, Berlini do të jetë patjetër një qytet-republikë

Eja të hamë rostbratwurst për një euro e shtatëdhjetë centë në rrugën te Grillrunner, që e ka ujdisur skarën për trupi dhe ecën me të si nëna me foshnjë në qese kanguri

Eja, do ta tregoj Kreuzbergun, parkun Treptower, do të vozitemi nëpër Spree me anije që transportojnë dru dhe qymyr diku përgjatë shtresave të kuqe të diellit, që të vënë në lëvizje makinën me avull, dinamon yjore të natës, të ndezin revolucionet e tetorit të qiellit dhe Tokës, që një herë e përgjithmonë të mposhtim fashizmin

Eja, në Wannsee, në sipërfaqen e tij vallëzojnë cullak Valkiret, kur fryn era atëherë anijet me vela i hapin velat e bardha dhe lundrojnë si në kartolinë

Ngandonjëherë në S-Bahn me shikim epshndjellës më shikon ndonjë Valkirë lokale, me flokë kaçurrela të verdha, me alamet cica, me kofshë të pakundshoqe në krejt tërësinë e vagonëve

Atëherë e di se jam gjallë, gjallë se jo mahi, e di edhe kur qaj me gjithë takatin që kam, plot jetë dhe vetmi, e di se sall Spree mund të më kuptojë, ai rrjedh vetvetiu, nuk ia ndien për rrjedhat e lumenjve të tjerë

Eja në Berlin, sall ti mund të më shpëtosh nga kjo gjendje

Derisa nxiton nëpër Grunewald, nëpër pyje me të vërtetë të gjelbra që më mbushin me oksigjen, prej nga i kanë transportuar me vagona të kafshëve çifutët në tym

A e ke ditur se bash në Berlin gjatë Luftës së Dytë Botërore kanë qenë rreth treqind burgje të vogla dhe kampe të përqendrimit, e tash gjërat kanë ndryshuar

Eja në Berlin dhe ndërpreje këtë vetmi që e bart me vete me vite të tëra, anise askujt nuk i kam bërë kurrgjë të keqe.

Në besim

Berlini mbrëmë nuk ishte bash tamam

Kudo lypësa, të pastrehë, në secilin vagon është nga një

E dinë tekstin e historive të tyre përmendësh, për bukuri e deklamojnë dhe më pas futen në mesin e udhëtarëve me gotë kartoni për të kërkuar para të imëta

Cioran tregon se si njëherë kishte njoftuar njëfarë gjermani, i cili sapo ishte kthyer nga India, i kishte treguar gjermani se si ishte shoqëruar me të pastrehët, se si kishte lypur rrugëve të pluhurosura në tokën e elefantëve, pas takimit Cioran konkludon se ai tipi gjerman tingëllonte sikur sapo të kishte përfunduar kursin për lypësi

Unë nuk e di për të pastrehët e Berlinit, disa thjesht rrinë shtrirë si Buda rruge, plot me birra dhe nikotinë, harlisen natën si sythe të qenieve fantastike që po përgatiten të nënshtrojnë Alexanderplatz, sa për fillim

Mos më thuaj: ata janë polakët e mjerë, sepse unë i dua poetët polakë të infektuar me vdekje

Berlini mbrëmë nuk ishte bash tamam

Edhe një grua e re shtatzënë merrej me lypësi, kishte veshur një fanellë të shkurtër përfundi se cilës dallohej tuma për qenien e ardhshme njerëzore, kishte buzë të fryra e të bukura, dhe e rregullonte shprehjen e fytyrës duke u bërë gati të dilte në mesin e udhëtarëve të S-Bahnit, aspak nuk ishte e lehtë për të, thënë shkurt, më dhimbsej

Por unë jam një berlinez, gjithsesi, më duhet të shkoj në ndonjë rrugë elegante, për të hequr qafe peshën e të kuptuarit bardhë e zi të botës, e të qaj përpara ndonjë vitrine të ndritshme që do të më ulte në masën e duhur të vizionarit të varfër shpirtmirë, kësisoj do të përjetoj katarzë, e pastaj do të mund t’i kthehem zisë dhe mërzisë njerëzore

E sheh, e kam ruajtur turpin njerëzor

Berlini mbrëmë nuk ishte bash tamam, ama ti mos i trego askujt.

Kreuzberg ishte aty ku i kisha lënë para shumë vitesh

Vagonët e metrosë kutërbojnë thartë në erë alkooli, udhëtarët kishin të veshura rroba të lirshme

Shurra dhe të vjellat ma urojnë mirëseardhjen në këtë Mitte të përmbysur

Në Berlinin e kthyer mbrapshtë si dorezë nga e cila zvarriten bacilet dhe qeniet e brishta si anemone

Hëngra falafel në Bagdad Bistro në Schlesische Straße, shkova deri te Cuvrystraße

U mbështeta në rrethojë dhe ia bëra nderimet e mia Oberbaumbrückeit, vështroja Spreen

Një bitnik në stacionin e metrosë Kottbusser Tora rruante hundën me brisk rroje prej plastike

Kam udhëtuar nëpër natën e jetës së dikujt tjetër, U-Bahn më çoi në shtëpi me një dorë të sigurt

I mirë është Kreuzberg, por unë jam plakur për skena të potershme të vetmisë dhe pamjeve të stacioneve të shkretuara të hapësirës nga filmat sci-fi me buxhet të ulët

Spleeni i tij është i mirë, por më molis rraskapitja e boksierit që pavarësisht nokautit ende mbahet në këmbë, dhe nga e gjithë kjo krijon shkathtësi të leverdishme, nuk më pëlqejnë hipsterët që i kanë futur këmbët e pantallonave në çorape të bardha; është e pahijshme për të bërë brand për turistët amerikanë nga dekompozimi i kontrolluar

Kur dal nga stacioni i S-Bahn në Wannsee më pret fërshëllima e erës, gjethet, hijet e pemëve që lëkunden, gjysmë errësira

Afërsia e liqenit të madh e të errët më bën të qetë

Vishem si Jezusi me mushama Menego, të cilën me ngjyrë bezhë e popullarizuan Peter Falk dhe Humphrey Bogart

Nata është pa yje, unë po ec nëpër ujë në drejtim të Kladowës.

Unë isha në anën tjetër dhe u ktheva, ajo tha

Dua të them, kam qenë ndër të vdekurit në Postdamer Platz si Bowie

E sheh, kjo është vrraga ime, dhe ma pate treguar vrragën

Pastaj mua m’u desh t’i tregoja të miat: njërën vrragë në dorë, tjetrën në këmbë

E di se e kam ndier se si je në të njëjtën kohë në dy botë derisa shëtisnim avenyve Alex, sikur të flisje nga e ardhmja në të cilën të gjithë tashmë jemi të vdekur, dhe nga koha e tanishme ku kemi qenë të verbuar nga vitrinat, dyshemenë e mermertë të lustruar, në mauzoletë modern ku shtrihen dëshirat tona të balsamuara, në gjithçka që blejmë është një Lenin i vogël

Çfarë shkalle e lartë e dinjitetit, mendova për ty, çfarë krenarie para vdekjes, përvoja ime ishte qesharake në krahasim me përvojën tënde

Kjo është arsyeja pse ne i krahasuam vrragat në shtratin e zhubrosur

Jashtë, anijet lundronin nëpër liqen dhe i lëshonin sirenat e tyre të trishta

Shiu godiste rrasët majat e llamarinta të çative të kështjellës sonë

Berlini ishte aty, në largësi të dorës, por magjia ishte zhdukur, sepse kam menduar sall për ty, për zërin tënd që vinte nga ana tjetër e pasqyrës të mbushur me gjak

Tash unë jam i shpëtuar, të gjitha frikërat e mia janë qesharake para fuqisë tënde

Sepse askush nuk qëndron kaq drejtë kur shikon përditë vdekjen në sy, ndoshta sall në luftë kemi qëndruar ashtu, ama kjo ishte goxha moti, dhe njeriu nuk e di se çfarë ka ndodhur me të vërtetë dhe çfarë ka shkruar kujtesa, në fund të fundit, lufta ka mbaruar qysh moti, është shumë më e vështirë të jesh i guximshëm dhe i drejtë në kohë paqeje

Derisa ti buzëqesh e shtrirë në shpinë, edhe unë jam shtrirë në kokërr të shpinës dhe me fuqinë e fundit të vullnetit po përpiqem t’i ndaloj lotët, sepse lotët janë të panevojshëm

Dekoratë prej kripe dhe uji për trimëri

Dëgjoj si punon makina e motorit të anijes në linjën e rregullt drejt qytetthit fqinj

Nga altoparlanti pa tel dëgjohet Unknown Pleasures

Ky liqen është i madh dhe përfshin krejt botën tonë

Në të ne të dy jemi të vetmit banorë

Ne mund të jemi heronj për më shumë se një ditë

Përktheu: Fadil BAJRAJ

Shënim për autorin:

Faruk Šehić (1970) është një ndër autorët më të shquar të gjeneratës së nëpërkëmbur.  Është autor i romanit  Knjiga o Uni, i cili është botuar në disa gjuhë të huaja. Šehić është laureat i dsa çmimeve prestigjioze ndërkombëtare. Po ashtu është autor i përmbledhjes me poezi Hit Depo dhe i librit me tregime Pod Pritiskom.  Aktualisht jeton në Sarajevë.