Qyteti i Beratit, i ngritur buzë lumit Osum, rreth 2400 vjet më parë, falë Rilindjes Urbane në arrin të tërheqë në vit mbi 150 mijë turistë prej gjithë botës, nga 39 mijë turistë në vit që arrinte të tërhiqte më 2013.

Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me një video me pamje nga ndryshimet e kryera në qytetin e një mbi një dritareve.

“Mirëmëngjes dhe me një pasqyrë të çfarë Rilindja Urbane ka bërë për të ruajtur e zhvilluar më tej vlerat e Beratit, ju uroj një ditë të mbarë”, – shprehet kryeministri Rama

Një i ri pronar i një “Snack Bar” në qytetin e Beratit shprehet se “pjesa e pedonales më parë ka qenë rrugë kalimi makine , pluhur nuk kishte të njëjtin impakt dhe komoditet. Por edhe vizualisht nuk ishte e bukur, si është sot. Unë vazhdova studimet e larta për Ekonomik, mbarova shkollën jetova dhe për shumë vite në Tiranë. Arsyeja e vetme që u ktheva në Berat ishte pikërisht për këtë pronë”.

“Duke parë që në Berat filluan investime, u rregullua pedonalja, turizmi dhe perspektiva po rritej mendova të investoja. Nuk është një lokal i zakonshëm si gjithë të tjerët. Kam bërë diçka që Pedonale si nevojitej dhe qytetit të Beratit. Është “Snack bar” ofroj koktele. Arsyeja ishte gjithmonë për turizëm dhe pas investimit që u krye në pedonale, lulishte dhe kryesisht në qytetin e Beratit”, shprehet ai.

Më tej ai thekson se “tani ka më qetësi dalin familjarë, dalin fëmijët luajnë , argëtohen, turistët janë të mahnitur me qytetin tonë. Pothuajse çdo paketë që vjen në qytetin përfshin një ditë apo gjysmë dite në Berat”.

Berati me një potencial të jashtëzakonshëm natyror e kulturor dhe historik që duhet të udhëhiqte zhvillimin ekonomik të vendit vuajti pasojat e mungesës së investimeve që prodhuan veç shëmtisë edhe izolimin social dhe ekonomik të banorëve të këtij qyteti.

Llambrini Dëna, skulptore tha se “ investimet e fundit në qytetin tonë duhen parë si një urë komunikimi . Duke qenë se qyteti ynë është një qytet e trashëgimi të lashtë kulturore atëherë këto ura komunikimi do t’iu vijnë në ndihmë këtyre zejeve për të përparuar dhe ecur sa më para dhe për ti ardhur në ndihëm sa më shumë jetës turistike të qytetit tonë”.

““Siç e dimë Berati është qytet fantastik dhe i mrekullueshëm, nga viti në vit turizmi vjen duke u rritur dhe duke u shtuar me njerëz nga e gjithë bota. Kjo është një krenari për ne. Ky moment ne na vuri në detyrim për të bërë diçka për Beratin, qytetin tonë. Menduam që ambientet ekzistues t’i kthenim në hoteleri. Në ndihmë të kësaj ideje ne na erdhën këto arka të Poliçanit dhe menduam që këto arka ti riciklonim në forma nga më të ndryshmet për të veshur këto dhomat tona modeste të hotelerisë”, – thekson Dëna.

Më tej ajo tha se “këto arka i përdorëm në tavane, veshje mobiljesh, krevate dhe tavolina, të cilat i dhanë një formë ndryshe nga hoteleritë e tjera. Kjo është pjesa më karakteristike e hotelerisë sonë që e bën edhe më të veçantë.”

“Arti është brenda meje sepse unë jam qeramiste . Pasionin më të bukur mua ma dha zhvillimi i turizmit në qytetin tonë. Më dha një shtysë që këtë element të bukur që unë ruaj në duart e mia, të cilën e ledhatoj dhe e ndërtoj me shumë dashuri ta ndaj edhe me botën e jashtme me turistët e huaj që na vijnë në Shqipëri dhe sidomos në Berat. Kjo u bë shtysa kryesore që ne kompletuam këtë hoteleri”, u shpreh ajo.

Rilindja urbane përmes 18 projekteve me vlerë 10.6 milionë euro do të zgjonte potencialin turistik të qytetit për ta kthyer atë në nxitës të fortë të zhvillimit ekonomik.

Projekti për shëtitoren “Republika” dhe ai për sheshin qendror “Teodor Muzaka” erdhën si dallëndyshet e  para të transformimit të madh për qytetin.

Impakti ishte i menjëhershëm, qyteti i bardhë arrin të tërheqë në vit mbi 150 mijë turistë prej gjithë botës, nga 39 mijë turistë në vit që arrinte të tërhiqte më 2013.  Vetëm në periudhën 2017-2018 numri i vizitave në kala nga 74 mijë në 134 mijë. Ky bum i numrit të turistëve solli një tjetër kërkesë fituese për qytetin.

I  menjëhershëm ishte katërfishimi i njësive akomoduese përfshirë hotele dhe bujtina që do të duhej ti përgjigjeshin sa më shpejt kërkesës së turistëve me një ofertë të mirë turistike.  Në 2012 ishin 13 hotele, ndërsa në 2018 60 hotele.

Një tjetër projekt që e ka transformuar infrastrukturën ndërlidhëse në zemër të qytetit është rikonstruksioni i segmentit rrugor Ura e Varur deri në Urën e Gorricës, tani është rikonstruktuar edhe rruga “Mihal Komeno” aksesi më I shkurtër që lidh Beratin me lagjen e bukur të kalasë. Rruga akomodon atelie të punimeve artizanale , shërbime hotelerie, restorante dhe muze.

Tani që qyteti është më lehtë i aksesueshëm me një infrastrukturë më  të mirë e më dinjitoze në pjesën urbane duket se janë shtuar arsyet për të bërë biznes në qytet. Rikonstruksioni i shëtitores “Republika” dhe sheshit qendror “Teodor Muzaka” nxitën shtimin e plot 75 sipërmarrjeve  të reja ku do të shënoheshin jo pak, por plot 200 të punësuar të rinj.

Në bashkëpunim me partner si Banka Botërore po ndërhyhet në restaurimin e lagjeve të vjetra, që janë edhe zemra e qytetit. Vetëm në këtë mënyrë duke mbrojtur dhe ruajtur me fanatizëm lagjet e vjetra dhe trashëgiminë, ndërkohë që investohet për jetëzimin e pjesës tjetër të qytetit, është bërë e mundur që pasurisë kulturore ti kthehet dinjiteti i nëpërkëmbur për shumë vite. Por mbi të gjitha që qyteti të ecë me hapa të sigurt drejt shndërrimit në kryeqendër të turizmit kulturor dhe natyror./atsh /