Nga: Luan Rama

Beppe Costan e njoha para dy vjetësh në festivalin ndërkombëtar të poezisë në Rahovec të Kosovës dhe që në leximin e poezive të para e kuptova se kisha të bëja me një poet të shquar, me një bard modern të poezisë bashkëkohore dhe me një eksperiencë të gjatë poetike.

Kur ishim në Prizren, pas një vizite emocionuese në varret e Krushës së Madhe për të cilat shkroi dhe një poezi emocionuese kundër vrasësve të një populli të pambrojtur, pleq, gra e fëmijë, i thashë të ngjiteshim në kështjellën mesjetare, në majë të kodrinës së lartë që ngrihej pingul mbi qytetin e vjetër. Dhe, ai vërtet kishte dëshirë, pasi arkitektura e atij qyteti e joshte dhe po ashtu jeta qytetare me ato femra të bukura që shëtisnin me fëmijët e tyre, çka e largoi për një çast nga barbaritë e ushtrisë serbe. Dhe, ashtu duke qeshur lehtë hapi jelekun dhe më zbuloi fashot e plagës së tij pas operacioneve, ku tubat nuk ishin hequr ende. Nisi të më tregonte për infaktin që kishte pësuar para disa viteve dhe një anevrizmi abdominal nga i cili gati kishte vdekur. Por, poeti kishte mbetur çuditërisht gjallë, edhe pse kohë të gjata u detyrua të qëndronte shtrirë. Pra, për të, kjo ngjitje ishte e pamundur, edhe pse gjatë gati gjysmë shekulli jeta e tij kishte qenë në një dinamikë të jashtëzakonshme dhe lëvizje të pandërprerë midis librit dhe muzikës, midis skenës dhe librarive.

Ne u kthyem në Shqipëri bashkë me të dhe Olimbi Velajn, pasi ai donte të qëndronte disa ditë në Tiranë e Durrës, të cilin e kishte vizituar para dy vjetësh dhe ku kishte takuar mjaft poetë, mes të cilëve mikun e tij që e çmonte shumë, Mirush Kabashi. Poeti sicilian donte tashmë të shikonte jetën shqiptare, njerëzit, të kuptonte shqetësimet e tyre dhe si e mendonin ata ardhmërinë.

Pas këtij takimi, për shumë kohë më mbeti imazhi i plagës së tij, duke menduar se dikush tjetër do t’i braktiste festivalet, takimet poetike, madje dhe shkrimin poetik. Por, Beppe ishte një njeri i një lloji tjetër, siç janë në fund të fundit poetët e vërtetë; një poet që dobësinë e trupit e kompensonte me forcën e shpirtit dhe të mendimit, me shqetësimin e madh rreth njeriut, botës dhe rolit që duhet të luajë poezia në këtë botë problematike dhe në udhëkryq.

Një vit më pas ai organizoi në mes të pandemisë takimin e Roccagorgas, jo larg Romës ku ai jeton, “Dita e Poezisë Botërore”. Pra, pandemia nuk do ta pengonte që ta organizonte atë takim virtual duke ftuar poetë të botës, nga Amerika dhe Japonia, nga Irlanda, Spanja, Italia e nga Ballkani, duke ftuar poetë nga Shqipëria, Maqedonia, Bosnja, Sllovenia etj., si dhe poetët nga Izraeli apo Gaza e Palestinës. Po kaq interesante ishin dhe dy takimet poetike internacionale që organizoi në mars dhe shtator të vitit 2021 ku përsëri miqtë e tij shqiptarë do të ishin të shumtë. Padyshim të binte në sy dëshira e tij për të promovuar poetët shqiptarë, duke lexuar ai vetë poezitë e tyre, duke realizuar për ta video poetike me muzikantë të shumtë siç ishin miqtë e tij të afërt Nicola Alesini etj.

I pëlqente sigurisht që poetët e rinj t’i vinte në kontakt me poetë të botës dhe kjo i jepte një lloj gëzimi të brendshëm, edhe pse kështu, nga ky përkushtim, ai e linte disi mënjanë krijimtarinë e tij për të qenë në manifestet e përbashkëta poetike. E, unë mendoja se me siguri, kjo i jepte forcë ti rezistonte dhimbjeve të trupit në luftën që ai bënte kundër vdekjes. Më dukej sikur kishte ngritur një lloj muri që ta pengonte vdekjen të kalonte, një mur fjalësh, një mur poetik të pakalueshëm, pasi ai duhej ti shërbente ende poezisë dhe përmes saj, vetë frymës së botës. A nuk shkruante ai më parë në poezinë “Agli umani” (“Njerëzorëve”) se “këtu poezia është ende e dobishme”? Në një letër që i dërgonte mikut të tij Buonasera, ai i shkruante se “ne poetët nuk jemi si gjithë njerëzit e tjerë, por jemi si engjëjt që Zoti na ka thirrur për të tharë lotët e luftërave dhe për të fashuar plagët” …

Po, Beppe nuk mendonte për plagët e tij, por për plagët e botës, aq të shumta në të gjithë kontinentet dhe ja pse poezia e tij ka qenë dhe është gjithnjë antikonformiste, pasi gjithë qenia e tij është e ngjizur me një materie speciale, gjaku, mishi drithërues dhe hekuri, që të mund t’i rezistojë dhunës dhe të luftojë kundër saj, të luftojë kundër barbarisë dhe fanatizmit si në poezinë e tij “Gratë e Kabulit”, kundër terrorizmit dhe luftënxitësve të të gjitha ngjyrave, të luftojë kundër dhunuesve të lirisë së njeriut dhe të fjalës së lirë.

Është e habitshme që në poezinë e tij qëndrojnë në një mënyrë shumë harmonike dy tipare themelore të krijimtarisë së tij, lirikat e dashurisë, aq të bukura në botimet e tij si në “Poeti që donte gratë”, apo “L’ultima nuvola” (Reja e fundit) etj., dhe nga ana tjetër, poezia e tij e revoltës, ajo qytetare, ajo që e bën atë të klithë. Beppe ka afro gjysmë shekulli që jeton midis këtyre dy ndjesive, edhe kur është poet, romancier apo botues i veprave të shkrimtarëve të shquar. Ai jeton midis këtyre dy ndjesive pasi që t’i këndojë bukur njeriut, dashurisë së femrës apo dashurisë njerëzore në tërësi, i duhet njëkohësisht dhe të luftojë ata që e dhunojnë këtë.

Beppe i do të ngjashmit e tij, i frymëzon, i propagandon duke i vënë në skenë dhe duke i prezantuar në libraritë e Italisë apo botës së sotme virtuale si kampionë të fjalës së lirë. Kështu kishte ndodhur shumë vite më parë me mikun e tij izraelit, arab e druz njëkohësisht, Naim Araidi, rritur në kufi me Sirinë, duke propaganduar fjalën e tij poetike, duke mbështetur misionin e këtij poeti që luftonte kundër urrejtjes dhe triumfit të paqes në këtë zonë të nxehtë të globit. Beppes i pëlqente që ky dekan në universitetin e Haifës, luftonte për një bashkëjetesë paqësore e solidare midis izraelitëve dhe arabëve. Ja pse në takimet e tij janë të pranishëm këta lloj poetësh, siç kanë qenë së fundmi dhe Ali Ameri apo Said Abu Tabanja. Beppe ka besim në misionin fisnik të poezisë. Mjafton të lexosh në blogun e tij tekstet poetike për të kuptuar thelbin e asaj se ç’është një poet dhe cili duhet të jetë roli i tij në shoqërinë e sotme. Ja pse ai adhuron gjithnjë poetë si Lorka, Neruda, Maçado, Salinas, Hiqmet, Verlaine, Pesoa, Benedeti, Merini apo Prevert e të tjerë.

Një ditë në blogun e tij Beppe bënte një pyetje sa reale dhe filozofike: “Jeta e mjerë e poetit apo jeta e poetit të mjerë – kjo është zgjidhja që duhet bërë”. Beppe është një poet që ka ditur ta ruajë gjithnjë integritetin e tij pa u tunduar nga konformizmi dhe një jetë më të mirë. Në fakt, që në fillimet e tij poetike ai e kishte bërë zgjidhjen e tij, duke i qëndruar gjithnjë besnik asaj çka u bë motoja e një jete dhe e një vepre.

Në fillim e gjejmë si një pasionant të muzikës që adhuronte Pasolinin dhe luante si baterist në një grup orkestre, pastaj si gazetar në Sicili e më vonë poet me vëllimin e tij të parë “Una poltrona comoda” e më pas me librat e tjerë. Një miqësi e veçantë e lidhi me Alberto Moravian, duke u përkujdesur dhe për përkthimet e veprave të tij, e më pas me shkrimtarin e shquar spanjoll Fernando Arrabal si dhe me shumë shkrimtarë italianë veprat e të cilëve i botoi në shtëpinë e tij botuese “Pelicanolibri”, apo duke i promovuar në librarinë e tij siç ishin veprat e autorëve italianë Dario Belleza, Arnaldo Fa, Adele Cambria, Lia Levi, Ana Maria Ortese apo Jodorowsky, pa harruar miqtë e tij francezë Leo Ferré, Senghor, librat e Gisele Halimi, Georges Sorrel, Fernand Pellontier etj.

Me vdekjen e poetit dhe mikut të tij të vjetër, antikonformist Jack Hirschma, ai i kushtoi një ditë poetike. Padyshim që një nga lidhjet më pasionante ka qenë me Anna Maria Ortese, kjo shkrimtare e shquar dhe eseiste e përkthyer, e botuar në disa gjuhë, të cilën pikërisht ai e nxiti të shkruante librin “Il treno russo”, që gjeti jehonë në publikun italian dhe jashtë Italisë. Po kështu ishte ai që bashkë me miqtë e tij Dario Bellezza dhe gazetarja Adele Cambria e ndihmoi në jetën e saj private sa tronditëse aq dhe antikonformiste.

Beppe vazhdon udhën e tij poetike ku veç poezisë së revoltës, shpesh i kthehet lirikës dhe këngëve të dashurisë. “Asnjë dashuri nuk më ka trishtuar”, thotë ai, ndërkohë që luftërat, pushtimet, dhuna kundër fjalës së lirë e bën atë të revoltohet dhe të luftojë përmes “armës” poetike. Në vargjet e vjershës “Poezia”, ai shkruan: “Poezia kërkon miq e dashnorë të një fjale të harruar / që shpesh është e heshtur dhe e shurdhët / shkruar me gjakun e derdhur / dhe fjalë të pasigurta që shumë shpesh janë të padukshme …” E pra, kur shkruan për dashurinë, si në poezinë “Zgjimi” të përkthyer nga mikja e tij Valbona Jakova – mes shumë poezive të tjera përkthyer nga ajo – ky poet i ngjan dashnorëve të zjarrtë: “Sikur ta dija orën kur do të zgjoheshe / do të mundja të merrja frymë e të filloja të jetoja / duke vendosur lule poshtë hapave të tua / Sikur ta dija se kur do të zërë gjumi / do bëja gjithçka që të gjendesha në ëndrrën tënde / duke marrë me vete muzikën që të pëlqen / Po të më kërkoje një orkestër, dhe atë do ta sillja …”!

Libri “Anche ora la luna” u prezantua në një spektakël më vete bashkë me këngëtaren franceze Eva Lopez, duke përkujtuar njëkohësisht dhe Jacques Brel apo Georges Brassens, këngëtarë e poetë.

Beppe Costa është nderuar e çmime të shumta poetike dhe vlerësuar nga kritika si një nga poetët e veçantë modernë të Italisë. Duke shkruar për romanin e fundit të tij, “Romanzo Siciliano” (për të cilin është shkruar më vete në World Literature Today) dhe ku Beppe denoncon me forcë mafien, gazetarja italiane Alessandra Tucci shkruan se vepra e tij “është një plumb që qëllon … dhe nuk vret”, ndryshe nga ç’vret mafia. Po, fjalët e Beppes godasin, por nuk dinë të vrasin. Fjalët e poetëve godasin për të shkatërruar të keqen e botës dhe për të krijuar një botë të paqes e dashurisë, fjalë që kanë forcën e rilindjes për të realizuar ëndrrën e vjetër të popujve të botës për të jetuar në paqe e solidarë, në harmoni me historitë, kulturat dhe traditat e tyre, për një botë e cila në fillimet e këtij mijëvjeçari gjendet para sfidave të mëdha të ekzistencës humane përballë luftërave atomike, ndryshimeve klimatike e demografike …

E, megjithatë, me plagët në trup, ky bard modern i poezisë nuk rresht së kënduari: “Sa vuajtje tani / kur shoh kaq kërdi dhe hi / o hi i mallkuar / ndërsa liria e ëndërruar / edhe pse e thjeshtë / nuk mbërrin/ më mbetet veç sëmundja për ty / përvëluese shigjetare e pashërueshme / që nuk gjen ilaç e shpëtim / një dëshirë absurde / por e vetdijshme”!

Dhe, të ngjan kështu se Beppe ecën në gjurmët e profetëve për të cilët këndonte poeti Arthur Rimbaud.

Ja pse ai beson gjithnjë në misionin e poezisë dhe fjalën e poetëve të botës.