Fotografja Poulomi Basu, me serinë e saj të fundit “Xixëllonja”, përqendrohet te raporti me nënën për të reflektuar për dhunën patriarkale. Fotografitë e përzgjedhura nga ditorja “The Guardian”

Artistja dhe nëna e saj shfaqen duke u luhatur mes figurave të vetmuara, të izoluara në terrene të gjera, deri te portretet e kompozuara me delikatesë në të cilat trupat përqafohen. “Ia kam borxh grave që janë hapur ndaj meje”, thotë Basu. “Dua ta dinë se po e luftojmë së bashku këtë shtypje”.

“Vepra është përgjigje ndaj traumës së prejardhjes sime, siç tregohet përmes marrëdhënies mes nënës dhe meje. Kjo vepër lundron nëpër linjat e gjakut të traumës kolektive, duke hartuar një udhëtim të mbijetesës”.

“’Xixëllonja’ flet për lirinë për çështjet e turpit; t’i shohim trupat tanë si hapësirë lufte politike dhe dashurie për veten”.

“Vepra është akt i aktivizmit të mishëruar. Është akt i ndarjes së mënyrës së dëgjimit të trupit, dëgjimit të tokës dhe njëri-tjetrit, në një mënyrë që i mbështet të tjerët ta bëjnë të njëjtën gjë”.

“Nga klaustrofobia e shtëpisë, deri te ëndrrat e arratisjes dhe transcendencës, është vepër kinetike dhe shpirtërore që ngec në brishtësinë e kohës dhe parëndësinë tokësore, në kontrast me mrekullinë qiellore të botës natyrore”.

Frymëzuar nga realizmi magjik, eko-feminizmi dhe distopia e fantashkencës, Basu orkestron me kujdes imazhet ndaj bukurisë qiellore të botës natyrore. “’Xixëllonja’ është ndërgalaktike, përballet me fantashkencën dhe fantastiken. Ofron mënyrën për ta parë botën tuaj në dimension tjetër – një hapësirë lirie dhe transcendence. E shoh këtë si botë të re të guximshme ku të mbijetuarit e dhunës në familje mund ta gjejnë veten në një hapësirë që është e tyre, hapësirë që ata mund të ndërtojnë dhe ushqejnë”.

Basu bashkon realen dhe fantastiken për ta krijuar një peizazh të ngarkuar psikologjik: kapjen e momenteve të dashurisë dhe afërsisë, intensitetin e kujtesës traumatike dhe përvojën që nuk mund të përshkruhet me fjalë. “Gratë janë të fuqishme dhe magjike, megjithatë ka shumë luftëra në historinë tonë dhe një fushëbetejë e vazhdueshme e mizogjinisë dhe patriarkalizmit. Ka kaq shumë dhimbje, ankth dhe frikë pas shumicës së grave që kam takuar në jetë, përfshirë mua. Dua t’i shfaq këto dualitete”.

“’Xixëllonja’ është kombinim i ideve dhe përvojave të grumbulluara, të cilat më bënë të ndihem i detyruar ta kthej kamerën mbi veten time; të tregoj historinë time të rezistencës dhe të solidarizohem me gratë që kanë hapur jetën ndaj meje”.

“Për mua, një nga betejat më të rëndësishme është të përpiqemi të rikuperojmë zërat tanë dhe, duke e bërë këtë, të kuptojmë se heshtja nuk do të na shpëtojë. ‘Xixëllonja’ është udhëtim për të dalë dhe për të rimarrë veten, për të rimarrë trupin dhe për të rimarrë zërin tuaj”.

“Kur isha 17 vjeçe, nëna më tha të largohesha nga shtëpia që të mund të kisha jetë të lirë dhe zgjedhje që i ishin mohuar asaj dhe gjyshes sime, të dyjat që u bënë nuse si fëmijë dhe më pas mbetën vejusha të reja”.

“Trauma është kaq e vështirë për t’u përpunuar dhe shkaktarët janë aq të egër sa thuajse shmang çdo hapësirë të vetme dhe çdo bisedë të vetme që mund të shkaktojë traumën, derisa ta gjesh veten në një ditë kur je gati ta përballosh. Tek tash unë dhe nëna ime ndihemi gati”.

“’Xixëllonja’ lundron në kryqëzimet e mishërimit dhe drejtësisë sociale dhe, duke bërë kështu, bëhet fjalë për çmontimin e shtypjes dhe ringjalljen të cilat formojnë temat më të mëdha në vepër”.