Nga Ismail Arsllani

                Në verandën e flladshme të Bujtinës së Kasabasë, ku ditë për ditë në atë vapë vere bënte qejfin e mëngjesit, Baba Dijetari, pasi lexoi gazetën me datë të skaduar “The Gardian”, duke pirë kafenë turke dhe duke hequr tymin e duhanit vendas – dukat i verdhë – nga çibuku i tij prej fildishi; me lejen e pronarit të Bujtinës, Hafëz aga Hajrizit, preu me një palë gërshërë atë copë gazete të huaj, ku ishte botuar një lajm për ngjarjet e fundit në atë Kasaba. Zaten, ky shpesh e bënte këtë punë, duke mbledhur copat e gazetave me shkrim për Kasabanë që nga fillimi i vitit 1878 e këndej, që ishin botuar në gjuhën angleze, si në “The Gardian”, “The New York Times”, “The sun”, “Sunday News”, “The Times”, “The Washington Times” e disa të tjera, të cilat i kishte sistemuar në një dokumentacion të posaçëm; pastaj mori një zarf të kaltër, të cilin e kishte ngjitur dhe u nis për në Postehane. Aq sa e kishte shtrënguar letrën në xhepin e tij, po aq edhe bastunin magjik me një fishek të fshehur e me sustë, të cilin e mbante për të mbajtur imazhin e tij prej një personaliteti të lartë perandorak, po aq edhe për sigurinë e tij që ishte një sekret mes tij dhe shitësit të armëve.

                Në sportelin me xham të Postehanes nxori krye një nëpunës me fes të kuq, i cili me mjeshtri gishtash i binte pareshtur tastierës së telegrafit me alfabetin e Morzeut “ta…ta-ta, ta…”,  prej nga, pastaj, dilte një shirit i gjatë letre me vrima të vogla. Baba Dijetari, para këtij nëpunësi tek i cili kishte besim, nxori zarfin dhe grisi kreun e tij, prej nga nxori një copë letre me një tekst të shkruar në osmanishten e vjetër. Nëpunësi priste që Baba Dijetari ta diktojë tekstin. Kur adresoi tekstin me titull: “Shkëlqesisë së tij, Sulltan Abdylhamidit II”, nëpunësi sikur u përvëlua në karrigen e tij dhe përnjëherë u ngrit në këmbë, dukshëm i habitur, pastaj u ulë pa asnjë sqarim për atë veprim që bëri.

                Dijetari filloi me leximin, ndërsa telegrafisti sikur lozte me gishta në atë tastierë, me një shpejtësi marramendëse: “Në Kasabanë pranë payitahtit të Vilajetit të Kosovës, jo më larg se 4-5 orë kalërim, ndodhi një ngjarje e papëlqyer…Disa banda komitësh vranë një priftë te pragu i kishës. Ata u arratisën, pa nam e nishan. Presim rekomandimet e Portës së Lartë, për veprimet e mëtejme. Stop. Misionari Juaj në atë Kasaba, Baba Dijetari. Stop. Kasaba, 24 korrik 1878”.

                Pasi kreu punë, Baba Dijetari as nuk arriti të kthehet, kur atë e kapën për krahësh dy xhandarë me pushkë në krahë.

                “Ç’është kjo punë, unë jam njeri i Sulltanit…!”, shkrepi i befasuar, Dijetari.

                Xhandarët ishin të qetë: “Atë do ta sqarosh në Xhandarmeri…!”

                Baba Dijetari rrihte mendjen si në një havan për bluarje të kafesë, por s’gjente dot një shkas për këtë veprim. “Dikush dëshiron të ma nëpërkëmbë autoritetin, por do ta paguajë shtrenjtë…mos janë ata të Pashait të Kasabasë, siç ma tërhoqi vërejtjen berberi, Usta Ahmeti…?”

                Stacioni i xhandarmerisë ishte afër, mes dy konakëve të pashallarëve, bri lumit të Kasabasë. Një godinë dykatësh, përpara derës ishin në kujdestari dy xhandarë të tjerë me uniforma të bardha dhe me pushkë në krah. Aty në atë godinë, me 12 dhoma, ishin postuar 124 xhandarë gjithsej. Pasi hyrën në zyrën e Komisarit, u lutën dy xhandarët që të dalin jashtë.

                “Kërkoj ndjesë për një sjellje të këtillë, por procedurat janë këto, si për ty edhe për mua!”, prishi heshtjen në dhomë, Komisari, kur pa se Baba Dijetari, një njeri i besuar i Sulltanit, kishte bashkuar sy e vetulla.

                “Ne ngremë autoritetin e xhandarmerisë para miletit, kur arrestojmë njerëz me nam!”, shtoi ai.                 “Atëherë, ku vajti autoriteti im, më thuaj, pra!”, u përgjigj me një ton të ashpër, Baba Dijetari, duke i bërë me dije se dikush do të merret në përgjegjësi.

                “Ti duhet të merresh me kapjen e vrasësve e jo ta mbulosh këtë me arrestimin tim”, qortoi Baba Dijetari.

                “Pikërisht për këtë të kam sjellë këtu. Si i dërguar i Sulltanit, të gjejmë zgjidhje bashkërisht!”

                “Nëse do zgjidhje, ma sjell këtu tellallin!”, preu shkurt Dijetari.

                “Ç’të duhet tellalli?”, pyeti.

                Dijetari, i cili nuk e vazhdoi më tej muhabetin, përgatiti një tekst që do ta lexonte tellalli para miletit. Komisari e kundërshtonte me ngulmë atë përmbajtje të tekstit: “Si do t’i themi miletit se i kemi arrestuar komitët që vranë priftin, kur në të vërtetë nuk i kemi në dorë?!”, shfaqi dilemën ai.

                “Vëre gishtin në kokë, bluaj, bluaj…!”

                “S’po të kuptoj fare!”

                “Dëgjo këtu, o Komisar, nëse s’veprojmë kështu, ata komitë do të ngelin në ilegalitet dhe kurrë s’do të arrish t’i kapish…!”

                “Eeee…!”

                “Posa ta japim lajmin me tellall se komitët janë arrestuar, ata do të rehatohen dhe do të dalin në shesh, atëherë ti do të veprosh dhe me njerëzit e tu do t’i kapish…!”, ishte kategorik Baba Dijetari.

                Pas gjysmë ore behu tellalli në zyrën e Komisarit. Atij i dorëzuan tekstin që duhej ta lexonte në sheshin e Kasabasë. Kur Baba Dijetari doli nga xhandarmeria, dëgjohej tupani i tellallit: “bam, bam e bam…!”

                Ajo ditë ishte mjaft e lodhshme për Baba Dijetarin. U shtri në kanape për çlodhje. Përnjëherë, s’e kuptoi edhe vetë se si u gjet në malësinë e Kasabasë, përplot me pyje të dendura. Ec e vrapo, ec e vrapo, më në fund doli nga pylli. Kaloi nëpër Livadhin e Zajdes dhe u ngjit në një tatëpjetë. Gjoksi i tij ishte bërë si një ballon i fryrë, nga balli kullonin djersë, por ai ashtu i veshur si për pazarin e çarshisë; me kapotë deri te gjunjët, me fes të kuq, me rroba zyre dhe me këpucë të zeza të lustruara, veç bastunin me një fishek sekret që s’e kishte, e kërkonte djathtas-majtas, por s’e gjente dot; vazhdoi, nuk ndalej në këtë rrugëtim misterioz, në këto kodra të larta me shumë shpate. Me bisht të syrit hidhte shikimin në do liqene të vogla nga të dyja anët, që i përngjanin do syve të mëdhenj depërtues si të një kuçedre. Në ecje i doli përballë një masiv i madh shkëmbinjsh, që anamalasit e quanin “Kepi i Shqiponjës”. Aty u step. Deshi ta pyes veten me gjithë zërin që kishte: “Nga po shkon, o i mjerë?!”, por zëri i tij ishte i mekur.

                Nata hidhte krahët e gjerë mbi atë shpat. Nga ajo errësirë që bëhej me çdo minutë edhe më e errët, skëterrë, si një hije e frikshme nxori krye Malësor Deda. Baba Dijetari buzëqeshi me dhembshuri. Malësori s’i vuri vesh, ishte mërrolur dhe avitej sikur po rrëshqiste nëpër atë tokë me kullosë të imët dhe aty-këtu me shkurre. Ai mbante në dorë një kamë të madhe me këllëfin e shpërthyer dhe i afrohej gjithnjë më shumë këtij që ishte shtangur si një statujë. Dijetari dëgjonte vetëm rrahjet e zemrës, prej thembre deri në maje të kresë. Frymëmarrja i ngufatej te njerithi i gabzherrit që ishte tkurr nga terja e gojës dhe, në atë gjendje, kur sytë i mbuloi terri, i lëshuan këmbët duke u shtrirë në tokë sa ishte i gjatë…

                Në atë çast, sikur bëri një udhëtim të  rrufeshëm, gati hyjnor, prej një bote përplot tmerr, në një tjetër më të kthjellët. Atëbotë bëri një “brof”, një kërcim instinkti nga vendi, me rrahje të fuqishme të zemrës dhe me rrëke djerse që kullonte nga balli, duke e gjetur veten të ulur në kanapenë e tij. Nuk mund të besonte. “Oh, oh…ç’po ndodh me mua, shyqyr Allahut të Madhërishëm që qenkësha në gjumë dhe e gjithë kjo qenkësh një akth i tmerrshëm…!”, belbëzoi në vete Baba Dijetari, i cili mezi u kthjellua nga ai trishtim i madh.

                “Pse Malësori deshi të më vrasë, pse…?”, bloi sa herë me kokë. “Pas gjithë atyre të mirave që m’i ka bërë, duke më shëruar nga zgjebja e dreqit të mallkuar, që s’ më linte rehat as në gjumë, me ilaçin e tij sekret?!”, rrihte mendjen Dijetari, duke iu përgjigjur vetes: “Jo, jo, s’ka faj Malësori, ai e bëri të veten, por unë ç’bëra, e harrova krejt, as një falënderim nuk i bëra…Duhet ta përmirësoj këtë lëshim trashanik, duhet ta thërras e të shihem sy më sy…!”, i kaluan këto mendime në rradaken e tij tashmë më të qetë.

                Një ditë prej ditësh kishte behur Malësor Deda në Bujtinë, pasi kishte marrë haber nga Selman Samarxhiu, se duhej të takohej me të dërguarin e Sulltanit.

                “Perandoria ka shumë punë saqë s’mund t’i japë xhevap secilit përnjëherë!”, deshi të arsyetohet Baba Dijetari, për injorimin që i kishte bërë Malësorit, duke kërkuar ndjesë për këtë lëshim të tij. “Ti, me ilaçin tënd magjik, më ke shpëtuar nga dergjja prej një sëmundjeje tepër të mërzitshme, këtë s’ta harroj kurrë…më lejo që të të ofroj një kundërshpërblim…!”, shkrepi fjalë miradije për Malësorin.                 S’kaluan shumë ditë, Malësor Deda, i ngazëllyer në fytyrë dhe shpirt, pasi ishte përshëndetur me nënën e tij në atë fshat thellë në parzmën e bjeshkëve, kishte zbritur në Kasaba dhe pa u vonuar ishte ulur në një tavolinë me Baba Dijetarin, në tavernën e gjerë të Bujtinës përplot mysafirë. Malësori tashmë kishte ndërruar këllëfin e veshjes së tij. Kishte marrë pamjen e një truproje. Ata të dy, kokë më kokë bluanin fjalë hollë e hollë, ashtu gojëmbël, sa që njerëzit pranë tavolinave shikonin me cep të syrit përplot kërshëri. Diçka e re kishte ndodhur.