Nga: Tonin Gjuraj

Unë jam, të themi, ‘amator’ në fushën e gjuhësisë dhe të ekspertizës që rrek kjo audiencë e nderuar. Por, ndjehem se përkas në këtë tubim akademik, në nderim të një personaliteti si profesor Bahri Beci. Për disa arsye:

Së pari, sepse jemi në auditorët e Universitetit “Luigj Gurakuqi”, që është bash vendi i duhur për të nderuar profesor Becin; për mua, këta auditorë mbeten një thirrje malli, sa herë kolegët e nderuar të këtij universiteti organizojnë konferenca shkencore apo aktivitete që i bëjnë nder një institucioni të dijes. Ky aktivitet në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave është dëshmia e radhës.

Së dyti, profesor Beci, përveçse një shkodran që na jep gjithmonë motiv krenarie dhe besimi në vlerat e qytetarisë dhe intelektualizmit, mbetet modeli i profesorit që tejkalon dijen për t’u lartësuar si qenie sociale me rrezatim intelektual, dinjitet njerëzor dhe profesional, etikë pune dhe komunikimi, e gjithë tiparet e tij të skalitura në vite të gjata jete me kontribute të çmuara; profesorati i nderuar, me siguri, do t’i shpërfaqë plotazi në këtë konferencë, të gjitha dimensionet e kësaj figure emblematike në mjedisin akademik shqiptar.

Së treti, për një ndjeshmëri personale: Profesor Beci është për mua, jo vetëm një figurë njerëzore e shndritshme që ka ndikuar bukur në rritjen dhe optikën time për botën (atë të voglën e njeriut me veten, në përpjekjen për t’u formuar, për të shënjuar një gjurmë) dhe atë të madhen ( ku maten fuqitë, ku peshohet integriteti, ku vendosen rregullat dhe ku të duhet gjithsesi të gjesh mënyrat për t’iu përmbajtur asaj që e beson të drejtë). Profesor Beci është më shumë se kaq për mua; lidhet me rrugëtimin tim në botën akademike dhe mësimdhënien.

Pas rreth 30 vitesh në auditorë universiteti, e ruaj të freskët në kujtesë lëndën time të parë si pedagog titullar, pikërisht në Universitetin “Luigj Gurakuqi” – Shkrim Akademik – asokohe (viti 1995), kjo lëndë nuk ishte pjesë e kurrikulës universitare. Pas ndjekjes së studimeve pasuniversitare në Pragë, u ktheva i bindur se shkrimi akademik duhej të ishte pjesë e formimit të studentëve.

Do të ishte një instrument i rëndësishëm për të kultivuar tek të rinjtë aftësitë e të shprehurit, të mendimit kritik, të arsyetimit logjik dhe deduktiv. Sepse, komunikimi përmes gjuhës së kultivuar si instrument i rëndësishëm ndërveprimi, është një shteg gjithmonë i sigurt. Dhe në këtë përpjekje, të beh imazhi i disa korifejve që e përsosin këtë instrument – Gjuhën.

Gjuha nuk është thjesht ajo që e mësojmë prej djepit, ajo që na prin në njohjen me botën. Kur jepja shkrim akademik, jam ndalur të peshoj sa vlen “gjallnimi” i një gjuhe, si instrument shprehës për mendjen.

Jam kujdesur gjithnjë që në auditor, veçanërisht në lëndët e shkencave sociale, t’i ndihmoj studentët të dallojnë qartë tërësinë e informacionit nga kuptimdhënia. Kam dashur gjithnjë që të forcoj tek ata aftësinë e sintetizimit të informacionit, të përzgjedhjes, të artikulimit po ashtu, pasi në këtë mjedis global, ata duhet të jenë në gjendje të bëjnë dallimin mes një informacioni të rëndësishëm dhe të parëndësishëm, duhet të dinë ta shprehin atë që duan, të jenë në gjendje të mendojnë në mënyrë kritike dhe t’i japin zë mendimit të tyre. E pamundur ta arrish këtë pa zotëruar instrumente të shprehjes, pa zotëruar gjuhën.

Gjuhën si një organizëm i gjallë, tërësor, funksional, gjithmonë në përshtatje, përherë në shërbim të folësve të vet, mbartëse të një kulture identitare, shprehëse e tipareve antropologjike të një kombi, pasaportë e tij në botën e madhe.

Shkenca e Albanologjisë dhe Gjuhësia mbesin lëmi të vështira të dijes dhe sfidë përkushtimi intelektual e njerëzor për profesionistët, jo vetëm në Shqipëri.

Ndaj i kemi kaq të çmuar shkencëtarët e kësaj fushe; ndaj meritojnë nderimin dhe mirënjohjen tonë të thellë – sepse kujdesen, dëshmojnë, mbrojnë, përsosin gjuhën tonë, përtej tallazeve të kohës, historisë, politikës, kurbave zhvillimore të shoqërisë, mjedisit social.

Ne sot po flasim por një korife të Gjuhësisë, i cili është investuar gjithë jetën për ta kthyer në një disiplinë shkencore gjuhën, duke kapërcyer pengesa të shumta.

Duke lexuar autobiografinë e tij “Përjetime 1936 -2021”, botim i UET Press 2021, kam përjetuar emocionin e përballjes me përmasat e jashtëzakonshme njerëzore dhe intelektuale të një njeriu që është i përkorë, sa edhe i ngultë në debat, i paepur për të mësuar, sa edhe i matur për të peshuar cili është kontributi më i mirë që mund të japë.

Profesor Beci mbron pikëpamjen se shqipja është një gjuhë që mund t’i mirëpresë dialektet, mund t’i integrojë ato. Profesori mbron idenë se Kongresi i Drejtshkrimit dhe caktimi i Toskërishtes si gjuhë standarde ishte një veprim tipik politik, i diktuar nga koha. Studimet e tij, punimet, biografia e tij e gjerë shkencore, standardi ndërkombëtar dhe kontakti i përhershëm më Parisin, janë një dëshmi, e cila nuk mund të fshihet, nuk mund të zhduket nga ndryshimi i kohëve, nga zhvillimet politike, mediatike, gjeopolitike.

Sikur vetëm kaq, kontributi i tij në shkencën albanologjike shqiptare është i dorës së parë, sepse ai shkon përtej shkencores në debatin lidhur me gjuhën shqipe dhe profesori është figura emblematike e këtij debati.

“Bahri Beci nuk është i nxituar, as atëherë, as tani. As atëherë nuk e pranoi diktatin e kohës dhe as tani nuk është revanshist në lidhje me këtë ide, por mban të hapur shkencërisht dhe profesionalisht një debat me rëndësi dhe jetik për gjallërinë, kapacitetin apo mbijetesën e gjuhës shqipe; nevojën e saj që të hapet ndaj dialekteve, t’i mirëpresë ato, të presë forma të caktuara të të folmes, të fjalorit, të fonetikës apo gramatikës dhe çështjeve të tjera profesionale. “ – veçohet në parathënien e këtij libri.

Siç e thashë në krye, unë nuk jam specialist në këtë fushë, por më lejoni t’jua them publikisht: I dashur profesor! Sa herë që jam përballë studentëve, teksa gjakojmë të ndërtojmë instrumente shprehjeje dhe mendimi për ta, ka një prag të pakapërcyeshëm për mua – përgjegjësia për të respektuar Gjuhën! Ju keni një meritë të posaçme për këtë!