Nga: Armand Plaka

Një artikull i botuar në 1 shkurt 1914, më shumë se një muaj para mbërritjes së Princ Vidit në Durrës, në një atmosferë potitive, kur tashmë duket se mosmarrëveshjet, qejfmbetjet dhe ambiciet për pushtet të krerëve shqiptarë në dukje ishin sheshuar, na rrëfen shumë gjëra të ditura e të paditura, rreth një periudhe nga më interesantet në historinë tonë kombëtare.

Ndërsa ishte lënë pas rrethimi i Shkodrës, por ishte dorëzuar “në fatin e vet” Janina, teksa shqiptarët kishin konsumuar tashmë prej më shumë se një viti një akt shumë të rëndësishëm, siç ishte “Shpallja e Pavarësisë”, po vuanin shumë pasojat e Luftës Ballkanike, duke iu frikësuar zhvillimeve të tjera, por njëkohësisht, duke shpresuar edhe për një erë të re ndryshimesh e plotësismi ëndrrash të mëdha.

Roli i ish-Perandorisë dualiste Austro-Hungareze sa vinte e rritej dhe interesi i saj shihej jo vetëm në politikat që ndiqte, por edhe në rritjen e raportimeve dhe interesit për Shqipërinë dhe shqiptarët. Si pasojë vinte në kohë reale edhe furnizimi i publikut vjenez me informacione rreth krerëve më të rëndësishëm shqiptarë, emrat e të cilëve ai i njihte prej kohësh për “bëmat” e tyre.

Por, çfarë shkruante më konkretisht revista vjeneze (shih: “Moderne Illustrierte für Reise und Sport”, Nr. 3, 1914, fq. 9-11.) për figurat më të lakuara të kohës ndër trojet shqiptare? Cili ishte – sipas tyre – Esat Pasha, Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Dervish Hima dhe Prenk Bib Doda? Cila ishte historia “e errët” që vërtitej rreth familjes së kapidanit të mirditorëve? Cilat ishin dyert më në zë në vend, të cilat kishin hequr dorë tashmë nga pretendimet e tyre për të qenë në krye të fronit shqiptar, ndërsa Fuqitë e Mëdha me shumë vështirësi, në unison kishin rënë tashmë dakord për modelin “mbret gjerman për shqiptarët”, sikurse kish ndodhur më parë fundja edhe me Greqinë, Rumaninë dhe Bullgarinë.

Më poshtë materiali i plotë i përkthyer nga gjermanishtja, shoqëruar me faksimilet e artikullit origjinal:

Krerët shqiptarë

Personazhe nga Durrësi dhe Vlora

Qeverisja e Princ Vidit u dha fund të gjitha ëndrrave të krerëve shqiptarë. Siç dihet, nuk kishte mungesë të familjeve fisnike që pretenduan ndërkaq fronin shqiptar. Përveç princërve të mirditorëve, Shqipëria ka pesë familje fisnike:­

Toptanët, derë nga e cila rrjedh edhe Esat Pasha; në Shkodër Bushatllinjtë, pasardhësi i fundit i të cilëve, Xhelali, u martua me një vajzë të Abdyl Hamidit; në Epir janë Delivinjotët, Libohovitët, të cilët qeverisën Janinën për gati 600 vjet dhe që shef të tyre aktual kanë Myfit beun, janë dhe Vlorajt më i moshuari i të cilëve, është Ismail Qemal beu.

Esat Pasha, i cili është nga familja Toptani, e cila është me origjinë veneciane dhe që u konvertua në islam më 1450, është në të pesëdhjetat e tij; ai u bashkua me ushtrinë turke si një ushtar i thjeshtë pa asnjë shkollim, pastaj shkoi në xhandarmëri, pasi atje vuri re se kishte më shumë për të fituar dhe ishte një mbështetës besnik i Abdyl Hamitit. Në vitin e Revolucionit Xhonturk 1908, ai u përmbajt me kujdes. Kur Shkodra u rrethua nga malazezët në Luftën Ballkanike, Esati u turr atje me trupat e tij ndihmëse shqiptare. Komandanti turk, Hasan Riza beu, u qëllua me pabesi, pas një darke të organizuar nga Esati; Esati thuhet se ka urdhëruar vrasjen për të shtënë në dorën e vet drejtimin e kalasë (qytetit) të rrethuar.

Para dorëzimit të Shkodrës te rrethuesit, Esati nënshkroi një marrëveshje të fshehtë me mbretin Nikollë, i cili thuhet se i siguroi atij një bakshish të majmë. Pastaj Esati u tërhoq me ushtrinë e tij të vogël në Shqipërinë e Mesme, ­u kthye dhe ngriti atje qeverinë e tij; pushteti i tij u rrit dukshëm dhe malësorët u bashkuan gjithashtu me të. Puçi i dështuar i Vlorës, i kryer përveçse nga Ismail Qemali, edhe me ndihmën e dyshuar të Esatit, prishi më pas çdo plan. Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit përfundoi një pakt me Esatin, i cili hoqi dorë nga ëndrrat e tij princërore dhe e vendosi veten në krye të delegacionit shqiptar që i ofroi Princ Vidit kurorën e mbretit.

E kështu që Esati e ka siguruar tashmë të ardhmen e tij.  Ismail Qemal Beu, nga familja Vlora, është e kundërta e Esatit; ai flet dhe shkruan në gjuhë të ndryshme, përfshirë frëngjishten, ndërsa Esati është analfabet. Esati është një autodidakt dhe njeri i dhunshëm, Qemali është një diplomat, politikan, orator dhe, në një farë mase, edhe burokrat. Qemali i detyrohet një pjesë të madhe të karrierës së tij ish vezirit të madh, Ferid Pashës, i cili është gjithashtu kushëri i Qemal Bej Vlorës. Ismail Qemali ishte kryetar i grupit parlamentar shqiptar në Parlamentin e Turqisë së re; gjatë kundërrevolucionit më 1909, ai i qëndroi pranë Abdyl Hamidit, dhe si pasojë u dënua me vdekje për këtë vendim. U arratis dhe agjitoi intensivisht në Evropë për një Shqipëri të pavarur.

Sikurse Esati për dorëzimin e Shkodrës, Qemal Beu dhe trupat shqiptare iu drejtuan Janinës në Luftën Ballkanike; por në vend që të hidhen përkrah garnizonit të rraskapitur turk,­ u tërhoq mënjanë, duke pritur; gjuhët e liga pretendojnë se ­ai pati marrë rryshfet në monedha ari nga grekët dhe sot e kësaj dite faji për atë që Janina sot është e Greqisë, i vishet atij. Sidoqoftë, ndikimi i Qemal Beut në jug të vendit ishte aq i madh saqë ai ishte në gjendje të krijonte një “qeveri të përkohshme” për të gjithë Shqipërinë në Vlorë; Esati, si ministër i Brendshëm, gjithashtu ishte pjesë e kësaj qeverie për disa kohë. Por ngaqë të dy nuk i hapnin rrugë njëri-tjetrit, Esati sërish u largua dhe që nga ajo ditë të dy janë tashmë kundërshtarë të hapur.

Qemal beu gjithmonë kishte një kokë të vetën e, megjithatë, nuk posedonte autoritet të mjaftueshëm për t’i bërë gjërat që donte.­ Kur Qemal beu e gjeti veten gjithnjë e më të vetmuar, ai bëri gabimin të merrej me politikë, duke marrë me vete gjithë rrezikun; ai negocioi me Turqinë në lidhje me mbështetjen e Shqipërisë, kështu ai u përfshi në çështjen “Beqir Grebeneja” dhe u detyrua të jepte dorëheqjen. Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, s’kishte ndër mend të bënte shaka. Në Durrës, në hotel “Adriatik”, shpesh mund të rastisësh të takohesh me një njeri gjigant nga shtati, që mban ca kaçurrela të zeza në kokën mbi qafën e një “demi”, e i cili është kërcënuar njëzet e gjashtë herë me “litarin e mëndafshtë”: Dervish Hima beu. Si redaktor i gazetës “Skipetari”, Hima beu e sfidoi shpesh regjimin xhonturk, pa iu dridhur qerpiku; guximi i tij i madh në këtë luftë gazetareske, e cila i vuri dhe jetën në rrezik të vazhdueshëm, i siguroi atij një pozitë të shkëlqyer në vendin e tij të ri.

Prenk Bib Doda, kreu i mirditorëve, është krejtësisht ndryshe nga tipat e përshkruar më parë; ai ka shtëpinë e tij mikpritëse në Shkodër, pasi u kthye në atdheun e tij nga shumë vite “burg i artë” pas rënies së Abdyl Hamitit nga Stambolli e tani është mbi gjashtëdhjetë vjeç. Si kryetar i fisit të mirditorëve, luftoi kundër malazezëve në rininë e tij të hershme; arsimimi i tij vlerësohet si i gjerë; një bibliotekë e pasur, veçanërisht në italishte, zbukuron studion e tij; ai u përpoq t’i kultivonte mirditorët, të njohur si cuba; Donte të pajtonte 250 familje që ishin në gjakmarrje,­ por plani dështoi e, madje, vetë Prenka u kërcënua me vdekje.

Një histori e errët ka qarkulluar ndërkaq në gjirin e familjes së tij: martesa e parë e Prenkës ishte pa fëmijë; e ngaqë e ëma e tij nuk po e duronte dot më turpin (pasi në Shqipëri është turp për një grua të mos ketë fëmijë) dhe ngaqë martesa nuk mund të përfundonte dot në divorc (mirditorët janë katolikë), mbrojtësja e nderit të familjes, atëherë rrëmbeu pushkën dhe qëlloi mbi nusen e saj. Vetëm kohët e fundit Prenk Bib Doda u martua për herë të dytë, me një grua bjonde e të bukur, e cila ndiqet në çdo hap nga një truprojë. Një luftëtar i vjetër endet çdo ditë në rrugët e Vlorës; trupi i tij është i përkulur përpara, kostumi kombëtar zbulon patriotin e vërtetë dhe gjithçka që ai ndesh i përkulet, duke e përshëndetur me frikë (respekt): Isa Boletini. Në rini ai shkëlqeu në qitje dhe u mbiquajt “qitësi i zogjve” pasi mund të shtinte i sigurt mbi një zog edhe gjatë fluturimit.

Aventurieri u bë tmerri i qarkut të Mitrovicës, deri sa Abdyl Hamiti e thirri atë më pas në Stamboll. Ai i refuzoi titujt dhe ofiqet që iu ofruan, por mori një pension përkundër premtimit për t’i qëndruar besnik sulltanit; por ai e theu premtimin e tij­ kur Shefqet Turgut dhe Mahmud Shefqet Pasha kryen ekspeditat e tyre mizore kundër Shqipërisë, e u bë kësisoj kreu i lëvizjes revolucionare. Pas shtypjes së kryengritjes shqiptare, ai iku në Mal të Zi dhe prej andej organizoi një kryengritje të re, e cila zgjati deri në shpërthimin e Luftës Ballkanike.  Isa Boletini është një kalorës shqiptar i prerjes së vjetër, një karakter i tillë i ashpër fshatar, një gjigant i qeshur.