Përfaqësues të institucioneve dhe subjekteve politike në Kosovë e Shqipëri, kanë përcjellë ngushëllimet për ndarjen nga jeta të politikanit, studiuesit dhe shkrimtarit Moikom Zeqo.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shkruar se me pikëllim ka marrë lajmin për vdekjen e shkrimtarit erudit Moikom Zeqo.

“Me dijet e shumta nga fusha e letërsisë, historisë dhe shkencave humane, Moikom Zeqo ka lënë gjurmë të pashlyera në kulturën shqiptare. Moikom Zeqo ishte përkrahës i fuqishëm i çështjes së Kosovës, veçanërisht mbështetës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës qysh në ditët e para të veprimit të saj. Bota shqiptare me vdekjen e tij humbi një kolos të mendimit dhe dijes enciklopedike. Ngushëllimet më të sinqerta familjes së Moikomit dhe gjithë miqve të tij”, ka shkruar ai në Facebook.

Kurse, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka shkruar se sot bota shqiptare është më e varfër pa dijetarin mendjendritur e atdhetarin e përmasave të tejkohëshme.

“Moikom Zeqo kaloi në amshim, ndërsa neve na mbetet dhimbja për mungesën e tij fizike, për gjurmimin e pandalshëm për të vërtetat tona ndër shekuj. Ngushëllime të sinqerta Familjes Zeqo, botës akademike, miqve dhe të gjithë dashamirëve të historisë, kulturës dhe artit tonë. Lamtumirë mik”, ka shkrur Veseli.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka përcjellë ngushëllimet për ndarjen nga jeta të politikanit, studiuesit dhe shkrimtarit Moikom Zeqo.

Në postim në facebook, Meta shprehet se është thellësisht i tronditur për ndarjen nga jeta të Moikom Zeqos, mendimtarit të vyer, eruditit, zërit të fuqishëm, penës së fortë dhe poliedrike, intelektualit të angazhuar e të përkushtuar ndaj së mirës publike e interesit kombëtar, dhe njërit ndër shkrimtarët më prodhimtarë të letërsisë sonë.

“Me një personalitet njerëzor dhe intelektual të jashtëzakonshëm, dishepull i mirësisë, i miqësisë dhe humanizmit, i përkushtuar me fisnikëri ndaj virtytit dhe lirisë, përmes një jete të mbushur me kontribute të shumta e të çmuara, si shkrimtar, studiues, poet, arkeolog, politikan, eseist dhe si filozof, trashëgimia tepër e vyer akademike dhe kulturore që la pas Moikomi do shërbejnë përherë si piketa të rëndësishme në kulturën dhe historinë e së ardhmes të kombit tonë.Ngushëllimët më të sinqerta Lidës së dashur, fëmijëve, të afërmve, miqve e bashkëpunëtorëve të panumërt, për këtë humbje të madhe që le pas shumë dhimbje.Kujtimi dhe veprat e Tij do të mbeten të paharruara”, ka shkruar ai.

Edhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, e vlerësoi ish- deputetin, shkrimtarin, shkencëtarin dhe publicistin e shquar Moikom Zeqo si një enciklopedi të gjallë.

“Me trishtim të thellë mësova ndarjen nga jeta të ish deputetit, shkrimtarit dhe shkencëtarit dhe publicistit të shquar Moikom Zeqo. Moikom Zeqo ishte një personalitet erudit i rrallë, një enciklopedi e gjallë. Shkrimtar, historian, arkeolog, studiues e kritik letrar, përkthyes dhe publicist, mbi të gjitha një intelektual i shquar dhe patriot i madh. Ai i shërbeu Shqipërisë dhe kulturës shqiptare deri në ditët e fundit të jetës, me një dashuri e përkushtim të pashoq. Mikom Zeqo luftoi me stoicizëm ndaj sëmundjes për një kohë të gjatë, duke mos e ndërprerë për asnjë çast kontributin e tij intelektual për Shqipërinë. Mikom Zeqo u zgjodh dhe shërbeu si deputet i Kuvendit të Shqipërisë në legjislaturën 1992-1996 dhe u shqua për thellësinë e mendimit, largpamësinë e vizionit, urtësinë për dialog, përkushtimin për qytetarët dhe angazhimin sipëror për kulturën dhe çështjet e mëdha të shoqërisë dhe të kombit shqiptar. Gjithë erudicionin e tij Moikomi ua kushtoi dhe ua shpërndau Shqipërisë dhe shqiptarëve. Lamtumirë Moikomi ynë i dashur”, ka shkruar ai.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shkruar ‘lamtumirë Mokom”, duke postuar edh enjë fotografi të shkrimtarit.

Është ndarë nga jeta në moshën 71-vjeçare politikani, studiues dhe shkrimtari Moikom Zeqo. Ai ndërroi jetë pasi vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë.

Më 31 janar-10 maj 1991, Zeqo u emërua kryetar i Komitetit të Kulturës dhe drejtoi Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Më 1991 dhe 1992 ai ishte kandidat për deputet, kur dhe u zgjodh dhe shërbeu deri më 1996 si deputet i PS-së

Veprat- Moikom Zeqo ka qenë drejtor i Muzeut Kombëtar për periudhën 1997-2005 dhe mban Urdhrin e Lartë ‘Mjeshtër i Madh’.

Zeqo është autori i 62 librave me poezi, studime arkeologjike, për historinë e artit, si dhe të nje numëri skenaresh për filma kinematografike e televizivë me karakter arkeologjik dhe kulturor. Ka marrë disa herë çmime të para për librat e tij.

Krijime të Moikom Zeqos janë përkthyer në gjuhët anglisht, frëngjisht, greqisht, italisht, sërbokroatisht, bullgarisht, rumanisht, polonisht, danisht, esperanto, gjermanisht si dhe në gjuhën tonë.

Është autor i tre ekspozitave vetiake në pikturë. Ka përfaqësuar Shqipërinë në Konferenca Shkencore Ndërkombëtare me dhjetra herë dhe është vlerësuar nga personalitete të larta të kulturës shqiptare dhe të huaj.

Moikom Zeqo është sot një nga personalitetet e njohura të kulturës sonë kombëtare. Veprat e tij dallohen për një stil lakonik, të ngjeshur dhe eruditë dhe mbahet si pionier i postmodernizmit në letrat shqipe.