Nga Gladiola Jorbus

Astrid Lindgren është një nga shkrimtaret më të përkthyera në botë, një emër i mirënjohur suedez dhe autorja e katërt më e përkthyer për fëmijë pas Enid Blyton, Hans Christian Andersen dhe Vëllezërve Grimm.

Astrid Anna Emilia Lindgren u lind më 14 nëntor 1907. Ajo u rrit në Näs, afër Vimmerby, Småland dhe shumë prej librave që shkroi, i referohen familjes së saj, kujtimeve të fëmijërisë dhe peizazheve të ndjeshme për autoren.

Në të gjithë botën njihet si shkrimtarja që krijoi personazhe të paharrueshme si Pipi Çorapegjata (Pippi Longstocking), Tomi dhe Anika.

Si një adoleshente 17-vjeçare, paksa e guximshme për vitet 1920, Astrid Lindgren aplikoi për pozicionin e gazetares, një karrierë e pazakontë për femrat asokohe. Ajo konfirmoi kështu zërat se reputacioni i saj ishte i dyshimtë dhe i një natyre antikonvencionale apo antikonformiste.

 Thuhet se ajo ishte vajza e parë në Vimmerby që preu flokët si shenjë rebelimi; një sjellje që së shpejti do të shkaktonte trazira dhe do të ngjallte thashetheme midis njerëzve, duke e detyruar atë të largohej nga shtëpia.

Astrid u zhvendos në Stokholm dhe ndoqi kurse që i mundësuan të punonte si daktilografiste. Në atë periudhë, solli në jetë djalin e saj Lars, në Kopenhagen (Danimarkë), por u detyrua ta linte nën kujdesin e një familjeje strehuese. Lindgren nuk ishte e martuar.

Edhe pse paguhej shumë pak, ajo kurseu gjithçka mundej për të udhëtuar drejt Kopenhagenit. Donte të shihte Larsin e vogël, mungesa e të cilit e dëshpëronte, ndaj pjesën më të madhe të kohës e kalonte nëpër trena.

Përfundimisht, Astrid arriti ta merrte të birin dhe prindërit e saj u zotuan të kujdeseshin për të, derisa ajo të kishte mundësi ta merrte pranë vetes, në kryeqytetin suedez.

Në 1932, ajo u martua me punëdhënësin e saj, Sture Lindgren. Pas pak vitesh, Astrid lindi fëmijën e saj të dytë, një vajzë të quajtur Karin.

Personazhi Pipi Çorapegjata u shpik enkas për të zbavitur vajzën e saj. Në dimrin e vitit 1941, në një apartament në Stokholm, vogëlushja Karin Lindgren vuante nga pneumonia. Ndërsa qëndronte e shtrirë në shtrat, nëna e saj Astrid, ia lehtësonte trishtimin duke i treguar bëmat e një vajze të vogël qesharake dhe të patrembur, por me një forcë të mahnitshme. Historitë u kthyen në mit, dhe jo vetëm Karin, por edhe miqtë e kushërinjtë e saj dëshironin të dëgjonin më shumë në lidhje me vajzën, e cila do të përshkruhej nga një kritik letrar suedez si “një përzierje e Huckleberry Finn dhe Supermenit”.

Lindgren prodhoi kështu një letërsi për fëmijë jashtë formës tradicionale të historive me princesha të bukura, princër të magjepsur dhe shtriga të liga, ku vajzat luajnë një rol pothuajse të padukshëm.

Pipi, heroina e krijuar nga Lindgren, është një vajzë me flokë ngjyrë karrotë, ka quka dhe hundë të spikatur, vishet në mënyrë shumë qesharake, jokonvencionale, është jetime me babanë pirat, nuk shkon në shkollë sepse nuk i pëlqen, fle kur të dojë dhe sa të dojë, sfidon autoritetin e përfaqësuar në policë e burra të ngathët, flet pa ndërprerje dhe gjithmonë ka arsyetime të shkëlqyera dhe shumë origjinale.

Lindgreni ka rrëfyer se Karin i kish thënë krejt papritmas: “Më trego një histori për Pipi Çorapegjatën”, dhe libri lindi për hir të kësaj kërkese.

Siç përmendet më lart, Astrid Lindgren, përpara se të bëhej shkrimtare me kohë të plotë, punoi fillimisht si gazetare, e më pas si sekretarja e kriminalistit Harry Söderman (oficer policie, një pionier i kriminologjisë moderne në Skandinavi dhe kreu i parë i Laboratorit Kombëtar të Shkencës Ligjore në Suedi midis viteve 1939 – 1953);  kjo përvojë është cituar si frymëzim për detektivin e saj imagjinar Bill Bergson, një djalë i jashtëzakonshëm, tejet i apasionuar pas kriminalistikës, i cili identifikon të dhëna, heton enigma dhe zgjidh gjëegjëzën që rrethon një të panjohur misterioz, ndërsa policia dhe të rriturit e tjerë e hedhin poshtë çështjen. Ai dhe miqtë e tij, disa herë shoshitin krime të vërteta, përfshirë vrasje dhe rrëmbime.

Duke nisur që nga viti 1944, Astrid Lindgren fitoi çmime të njëpasnjëshme, por çmimin e parë ia dha titulli ‘Pipi Çorapegjata’, njëri ndër librat më të dashur për fëmijë në mbarë botën, i përkthyer në 60 gjuhë.

 Ndërkohë që Lindgren sakaq u bë një shkrimtare shumë e vlerësuar, qëndrimi i parespektueshëm ndaj autoritetit të të rriturve ishte një karakteristikë dalluese e shumë prej personazheve të saj dhe ky fakt shkaktoi zemërimin e konservatorëve.

Në librat që shkroi për fëmijë, spikat prirja për të shkruar nga këndvështrimi i personit të tretë. Kjo pikëpamje lejon lexuesin të bëjë një hap pas dhe të mbledhë informacione rreth personazhit, në mënyrë që ta njohë atë dhe të argëtohet nga veçantia e personalitetit të tij. Stili i Lindgrenit është i thjeshtë, i drejtpërdrejtë dhe me tone humoristike.

Në letrën që shoqëronte dorëshkrimin e saj origjinal për botuesin, Astrid Lindgren përshkroi personazhin e saj të parë, Pipi Çorapegjatën, si “një mbinjeri të vogël në formën e një fëmije, që jeton në një mjedis krejtësisht normal”.

Personaliteti i Astrid Lindgren, arsimimi, leximi, fëmijët dhe Lufta e Dytë Botërore ndikuan në librat e saj për fëmijë. Pikësëpari, ajo ishte një lexuese e mrekullueshme.

Në artikujt e shkruar për autoren, citohet se Lindgreni ka pohuar se “Uria, një roman nga Knut Hamsun shërbeu si një burim frymëzimi për të. Gjithashtu dhe Bertrand Russell dhe Alfred Adler duket se kanë pasur ndikim të konsiderueshëm  tek ajo.  

Në një nga letrat që i drejtohen botuesit të saj, ajo do të shkruante:

‘Bertrand Russell shkroi se fëmijëria dominohet nga dëshira për t’u bërë i rritur, ose më mirë vullneti për pushtet. Sipas Russellit, një fëmijë normal jeton në fantazinë që lidhet me vullnetin për pushtet. Nuk e di nëse Bertrand Russelli ka të drejtë. Duke gjykuar nga popullariteti, praktikisht patologjik që Pipi Çorapegjata ka gëzuar përgjatë dy viteve midis fëmijëve të mi dhe miqve të tyre të së njëjtës moshë, unë jam e prirur ta besoj atë’.

Pipi Çorapegjata, një vajzë me gërsheta të ashpra dhe çorape të gjata, fitoi menjëherë zemrat e fëmijëve, të cilët u njëjtësuan me aventurat e personazhit, që e jeton realitetin në një mënyrë të mrekullueshme, pa përfshirë domosdoshmërisht, elemente magjike apo përrallore.

Suksesi i librit befasoi dhe kritikët më skeptikë, sepse ata e konsideronin Pipin si një figurë kërcënuese për të rriturit dhe të dëmshme për sjelljen etiko-morale të fëmijëve.

Por ajo që kritikët nuk parashikuan dot, ishte fakti që ky libër iu përgjigj kërkesave të kohës dhe se ‘Pipi Çorapegjata, vajza që sfidon mësuesit, që nuk njeh asnjë shqetësim financiar, që përqesh autoritetin e policisë’, do të përkthehej në më shumë se 60 gjuhë, do të ekranizohej dhe do të shenjtërohej si vepra më e kërkuar nga fëmijët.

Para se të fillonte të shkruante, vetë autorja u lexoi shumë libra fëmijëve të saj të vegjël. Astrid Lindgren mbetet një promovuese entuziaste e letërsisë skandinave për fëmijë, e vetëdijshme se dashuria për librat duhet të mëkohet herët, në rastet më të mira, që me qumështin e nënës.

 Një zakon i dashur dhe i hershëm në botën e fjalëve, një vazhdim harmonik në po atë rrugë, do të ishte një një nga mënyrat më efikase për të stërvitur lexuesin e ardhshëm të librave.

 Të gjitha personazhet e saj janë të pajisura me një imagjinatë dhe krijimtari të fuqishme, dy elementet më thelbësore, në ndihmë të zhvillimit emocional e intelektual të fëmijës, të cilët jo vetëm që i stimulojnë ata të eksplorojnë mjedisin përreth, por edhe ta kuptojnë e të përfshihen në aktivitete reale.

 Kritikët e specializuar në veprën e saj pikëtakohen duke nënvizuar se letërsia Lindgreniane frymëzohet nga aventurat dhe lumturia e fëmijërisë së autores.

Astrid Lindgren arriti të shihte se si librat e saj u hapnin fëmijëve dyert e një kopshti sekret, në të cilin ata bëheshin pjesë e ‘komplotit’ sikur të ishin një tjetër personazh, të bindur se lumturia nuk gjendet vetëm brenda ëndrrës, por edhe në subjektet e shkrimtarëve.

Vetë Lindgreni e kaloi fëmijërinë në një shtëpi të vjetër, të mbuluar me pllaka të kuqe, të rrethuar me pemë molle, midis një natyre të gurtë, ku bredhat dhe pyjet e pishave kufizoheshin me shkëmbinj.

 Së bashku me dy motrat dhe vëllanë e saj, ajo jetoi një jetë të lirë dhe të sigurt, duke u ngjitur në pemë e duke shëtitur nëpër fshat. Luleshtrydhet dhe cicërimat e mëllenjave e hijeshonin, akoma më tepër peizazhin piktoresk – panoramë të cilën Lindgren, e ka shfrytëzuar si një burim të vlefshëm në krijimtarinë e saj letrare, së bashku me përvojat më të mira të fëmijërisë.

 Lindgren e ka quajtur veten “kafshë e vogël që thith vetëm atë që është natyrë”. Ajo është shprehur se u shndërrua në qenie njerëzore pasi dëgjoi përrallën e saj të parë. Kjo ngjarje nxiti ndërgjegjësimin e saj për fuqinë e fjalëve dhe botën e imagjinatës.

Nga një lexuese e zhurmshme, ajo do të bëhej një treguese (duke marrë pseudonimin ‘Selma Lagerlöf e Vimmerby-t’ (gruaja e parë e vlerësuar me çmimin Nobel në letërsi), historitë e së cilës pasqyrojnë rrënjosjen e fëmijërisë së saj.

Duhet theksuar se temat e librave dhe personazhet e Lindgrenit nuk respektojnë rregullat e edukimit moralist, por mënyra e rrëfimit sipas nevojave emocionale dhe fantazisë fëminore, zgjon interesin e lexuesve të vegjël.

Librat e Astrid Lindgrenit përshkohen nga nota anarkike dhe një sens rebelimi kundrejt autoritarizmit të familjes e të shkollës. Ajo është pa​dyshim një nga shkrimtaret pëefaqësuese të letërsisë për fëmijë dhe të rinj, arkitektja e një universi të mrekullueshëm letrar që nuk njeh moshë apo kufi.

 Veprat e saj të mbushura me humor dhe ngrohtësi njerëzore, jo vetëm që shërbejnë për të nxitur fantazinë, por edhe për të trumbetuar se leximi është aventura më e jashtëzakonshme që mund të përjetohet.

Vlerësimet kombëtare dhe ndërkombëtare kanë qenë më se të merituara për veprën e saj letrare dhe luftën e lavdërueshme në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve.

Autorja ishte më se e vetëdijshme se letërsia është një mjet i fuqishëm, përmes të cilit mund të transmetohet respekti ndaj të drejtave të njeriut. Ndaj nuk reshti kurrë së shprehuri vendosmërinë e saj, në favor të mbrojtjes së paqes, mjedisit apo feminizmit, por dobësia e Lindgrenit mbetet padyshim përkushtimi ndaj fëmijëve dhe respekti për individualitetin e tyre. Këto vlera të veprës së saj konsiderohen unikale sot e kësaj dite.

Edhe pse karrierën si shkrimtare, Lindgren e ndërmori rreth të dyzetave, për shkak të popullaritetit dhe famës së saj, pati një impakt të jashtëzakonshëm në çështje të rëndësishme dhe njerëzit e dëgjuan atë që kishte për të thënë.

Në moshën 68 – vjeçare, ajo paraqiti një artikull në të përditshmen suedeze ‘Expressen’ mbi boshllëkun në sistemin e taksave, që do të thoshte se ajo, si një shkrimtare e vetëpunësuar apo freelancer duhej të paguante 102 përqind taksë mbi të ardhurat e saj. Lindgren e shkroi pjesën në stilin e një përralle. ‘Pomperipossa në Monismania’, botuar në 1976 si lajm në faqen e parë të gazetës, tronditi opinionin publik dhe solli revolucion në ligjin e taksave.

Mendjemprehtësia e saj dhe qartësia e shprehjes ushtronin një ndikim tek të gjithë ata që e dëgjonin e lexonin. Përsa i përket një tjetër ligji të rëndësishëm, siç është ai që ndalon goditjen e fëmijëve ( i implementuar në vitin 1979 në Suedi), shkak ishte fjalimi i Lindgrenit në ‘Peace Prize of the German Book Trade’, në 1978. Ai gjeneroi një vëmendje të madhe në Suedi, Gjermani dhe më gjerë dhe ishte faktor që Suedia të bëhej i pari shtet që vendoste këtë ligj.

Astrid Lindgren argumentonte në platformën e saj, se nëse fëmijët rriten midis dhunës, ka shumë mundësi që ata të përdorin dhunë kur të rriten. Dhe nëse ata janë njerëz me pushtet, kjo mund të jetë shumë e rrezikshme.

Synimi i Lindgren për të mbrojtur të pafuqishmit arriti deri te kafshët. Ajo u bë një avokate e parandalimit të mizorisë ndaj kafshëve. Sipas saj, nëse duam ta ruajmë njerëzimin, ne duhet të trajtojmë qeniet e tjera të gjalla me respekt.

Fushata e Lindgrenit bëri që qeveria të shpallte të ashtuquajturin ‘ligj për mirëqenien e kafshëve’ Lex Lindgren si një dhuratë për tetëdhjetë vjetorin e lindjes së shkrimtares.

Në fund të jetës së saj të gjatë dhe aktive, Lindgren kishte një ndikim aq të jashtëzakonshëm, saqë gazetarët i kërkonin mendim për gjithçka, që nga kujdesi dentar deri te paqja në botë.

Jeta modeste dhe puna e Astrid Lindgren dokumentojnë shqetësimin e vazhdueshëm për mirëqenien e jetës së atyre që nuk mund të ngrenë zërin dhe që janë viktima abuzive të pushtetit.

Trashëgimia e Lindgrenit për Suedinë nuk janë vetëm librat e saj të çmuar, por edhe qëndrimet që mbajti në lidhje me çështje të ndryshme. Astrid Lindgren ishte shumë më tepër sesa një bestseller, konsiderohej një opinioniste e rëndësishme që ndikoi në largimin e një qeverie suedeze, solli ndryshime në ligje dhe madje frymëzoi anarkistët.

Ajo gëzonte një ndërthurje midis arsyes së shëndoshë, komunikimit të drejtpërdrejtë dhe ngrohtësisë, edhe pse ishte e moshuar, pothuajse e shurdhër dhe e verbër.

Astrid Lindgren u nda nga jeta më 28 janar 2002, në moshën 94 – vjeçare.