Përtej mbulesave artistike, tekstet e këngëve ngërthejnë brenda vetes mesazhe të ndryshme. Kanë shërbyer shpeshherë edhe si një “armë” për të kundërshtuar padrejtësitë. E tillë është kënga “Zombie” nga grupi i njohur irlandez “The Cranberries”.

“Në kokën tënde, në kokën tënde, ata janë akoma duke luftuar. Me tanket e tyre dhe bombat e tyre, bombat e tyre dhe armët e tyre. Në kokën tënde, në kokën ata janë duke vdekur. Në kokën tënde, në kokën tënde, zombi, zombi, zombi-e-e-e-o…”, janë disa prej vargjeve të këngës së lansuar në vitin 1994.

Teksti ishte shkruar si një përgjigje ndaj vdekjes së Johnathan Ball 3-vjeçar dhe Tim Parry 12-vjeçar. Dyshja ishte vrarë gjatë sulmit në qytetin Warrington në Anglinë Veriperëndimore, që u shkaktua nga dy bomba të kurdisura në koshat e mbeturinave. Johnathan Ball vdiq në vend e pesë ditë më vonë, Tim Parry humbi jetën si rezultat i lëndimeve fatale në kokë.

Dy djemtë kishin shkuar në qytet për të blerë kartolina për Ditën e Nënës. Pesëdhjetë e katër veta të tjerë ishin plagosur, shkruan KOHA.

Dolores O’Riordan, ajo që shkroi tekstin e këngës me nam, njëherësh edhe vokalistja e grupit “The Cranberries”, kishte thënë se e kishte parë të nevojshme si irlandeze që të distancohej nga sulmi që u bë nga Ushtria e përkohshme Republikane Irlandeze. Kjo është kënga e parë, të cilën ajo që njihet me emrin artistik Mimoza H e kishte kënduar para publikut.

E kishte bërë në vitin 1999 në koncertin e parë të madh menjëherë pas çlirimit, që u mbajt në platonë e Pallatit të Rinisë në Prishtinë. Bazuar në kontekstin e këngës dhe situatën në Kosovë në vitin 1999, mund të thuhet se interpretimi i atyre vargjeve ishte një ritual i veçantë, sa çlirues aq edhe i guximshëm. Këto dy veti pasqyrohen edhe sot në projektet muzikore të artistes kosovare, që aktualisht jeton dhe vepron në Kanada.

Muza e Montrealit

Kantautorja Mimoza H (Mimoza Hajdini) ka kujtime të shumta nga fëmijëria që asociojnë me muzikën, që ajo bën sot. Më të veçanta i ka ato kur këndonte bashkë më babanë e saj nëpër udhëtime. Fillimisht si fëmijë ia tha këngës në korin e “Akordeve të Kosovës”.

Adoleshenca e gjeti në ujëra krejtësisht të tjerë. U zhyt me muzikën alternative, soul, blues-rock. Me një mikrofon të improvizuar me lehtësi interpretonte këngët e preferuara. Si 14-vjeçare ishte dhënë pas rep-it.

Me dy shoqet e shpirtit, siç i quan kantautorja, Blerta Zeqirin dhe Anila Berishën, do të themelonin grupin “BAM” aktiv nga viti 1993 deri në vitin 1999. Vajzat ia dolën të merrnin edhe çmime. Fituan vendin e parë në “Kënga e Pranverës” në vitin 1995 dhe në “ShowFest”, në vitin 1996.