Nga: Mitro Çela

Për Mihallaq Luarasin, Edi Luarasin dhe Minush Jeron

1.

Në vjeshtën e vitit 1968 isha student. Kisha miqësi me Vangjush Furxhin. Një ditë mora “dy gisht letër” .

– Mitro! Nëse do të “shijosh” teatër. Eja në Korçë.

Brenda zarfit një fletë palosje.

Drama: ”Njolla të murrme”. Autor: Minush Jero. Regjisor: Mihal Luarasi. Në role: Edi Luarasi, Vangjel Furxhi etj.

Duke pasur një motër të martuar në Maliq vendosa: Një rrugë e dy punë.

Duke parë Edi Luarasin në skenë, mu kujtua Brizhit Bardo!

2.

Viti 1969. Festivali Kombëtar i Teatrove. Në skenë “Njollat e murme” nga teatri “Çajupi” – Korçë.

Në llozhë: Mehmet Shehu me Ramiz Alinë. Ra sipari. Kryeministri i bëri duart “gjak”. Ishte çudi për një kryeministër nursës. Pas shfaqjes mblodhi aktorët. I përqafoi dhe tha një metaforë:

– Gol i artë, në minutën e 90-të.

Me këtë metaforë, juria i dha çmimin e parë dramës. Regjisorit. Aktores.

3.

Fituesit qëndruan disa ditë Tiranë. Kryeministri e kishte bindur shokun Enver për të parë: “Këtë mrekulli”.

Në llozhë u ul shoku Enver.

Ra sipari. Shoku Enver përplasi duart. Ftohtë. U largua duke thënë: “Përgëzoni aktorët.”

Në shtëpi lexoi dramën. Rrudhi buzët dhe tha:

– Një dramë e gabuar. Heronjtë pozitivë në periferi. Në qendër mentaliteti mikroborgjez.

… Mbledhje e Byrosë Politike. Drama dhe autori ne “gijotinë”. Për aktorët: goditje me pambuk…

4.

Në vitet ‘70-të në skenë doli Todi Lubonja. Liberal. Mik i Ramiz Alisë. Ftoi në Korçë Mirush Jeron. Folën. Thurën plane; këshilla dhe Minushi shkroi një dramë të re. “Të pamposhturit”.

Drama u vu në skenë… Dhe, autori u rehabilitua.

5.

Në vitet ‘70-të, Todi Lubonja, Fadil Paçrami dhe Ramiz Alia e kthyen teatrin në “ring” mes regjisorëve. Lanë te zhvillohen dy shkolla:

– Mihallaq Luarasi, i shkollës së Brehtit. Normale. Student në Hungari.

– Kujtim Spahivogli i shkollës Stanisllavski. Normale. Student në Bashkimin Sovjetik.

– Le të lulëzojnë 100 lule– thoshte Ramiz Alia me humor, duke bëre ironi me një nga teoritë e Mao Ce Dunit.

… Dy vjet në vonë. Festivali i 11-të në RTSh….

Kaq u desh dhe Todi Lubonja, Fadil Paçrami, Mihal Luarasi, Minush Jero, Sherif Merdani etj. – në burg. Kujtim Spahivogli në fshat. Sheri Mita në Berat. Pirro Milkani, Piro Mani, Xhevahir Spahiu, Moikom Zeqo… – në edukim!

Vetëm Ramiz Alisë nuk i “hyri gjëmbi në këmbë.”

6.

Shënim i parë:

Aktorja Edi Luarasi. Lindi në Tiranë, në vitin 1940. Në vitet 1950-‘73 ishte një nga femrat më të famshme në Shqipëri. Seksi. Rebele. Moderne. Ekstravagante. E nisi karrierën si këngëtare. Në skenën e estradës këndoi me motrën. Dhe “Motrat Mirdita” – në Tiranë – si “Motrat Kesler” në Gjermani e Itali.

La këngën për teatrin.

Një ditë u fut në hollin e hotel “Dajti”. Pa një djalë. E tërhoqi bukuria? Jo. Mënyra si kishte lidhur shallin. Ishte Mihallaq Luarasi. Sa ishte kthyer nga Budapesti. Ishte regjisor. Kur Edi e kishte harruar, Mihallaqi shkoi ne estradë. E ftoi Edin të luante në skenë? … Disa herë … Ai e nxiti të vazhdoi shkollë për aktore.

Një ditë ajo e ftoi në shtëpi. E ëma e pyeti:

– Je i zoti ta bësh zap Edin?!

Martesa. Dy fëmijë: djalë e vajzë.

Dhe erdhi lumturia në qiellin e shtatë.

Festival i teatrove.

Kujton Edi:

– Kryeministri shtroi një darkë për trupën e teatrit në Shtëpinë e Oficerëve. Vendi im? Në krah të Mehmet Sheut! Më zunë ethet.

– Çfarë ke? – më pyeti ministri i Shëndetësisë, Llambi Ziçishti. Ishte aty. Ruante nga helmimi kryeministrin?!

– Nuk mund të rri pa pirë cingare?

– Mos! Po të pa shoku Mehmet duke pirë, ta shuan cingaren në lule të ballit?!

Zgurdullova sytë …

– Pas katër viteve burri im u dënua me tetë vjet burg. Pas 12 viteve: kryeministri vrau veten. Ministri Llambi Ziçishti u pushkatua?!

Ironi e fatit?!

… Burri në burg. Edi në shtëpi. Me dy fëmijë. Punonte në rrobaqepësinë ushtarake. Pak para.

Herë pas here i vinte një zarf. Pa adresë. Brenda asnjë shënim. Vetëm lekë. Enigmë. Në vitin 2000 krejt rastësisht i thotë Bebi Kristidhi:

– Zarfet i dërgoja unë! Me frikë, zarfin e hidhja në një kuti poste larg shtëpisë.

Gjeti një makinë. Qepte me “lepurin në bark” në shtëpi. Puna private ishte herezi.

Nga puna “makina u lodh”. Ju këput një vegël. Gjeti një usta. E rregulloi.

– Sa lekë?

– Nuk dua para. Kur të luash në teatër dua dy bileta falas.

Profecia e ustait u bë realitet. Në vitin 1992 Edi Luarasi u kthye në teatër….

Shënimi i dytë:

Regjisori Mihallaq Luarasi. U godit si me “pambuk” nga partia si regjisor në teatër. Por, lideri luante. Priste që regjisori të gabonte. Ishte i sigurt. Dhe i erdhi dita.

Festivali i 11-të në RTSh.

Festival ndryshe. Këngë pa parti. Këngëtarë që imitonin në skenë Adriano Çelentanon. Bitëllsat. Rafaela Karan. Rinia në sallë: në delir!

Shoku Enver pyeti të bijën, Pranverën:

– Si të duket festivali?

– Imitim i Sanremos?!

Partia bëri strategjinë. Mbledhje. Debate të ashpra. Dënime të egra. Pastaj vija e masave: Populli thuri letra kundër festivalit. E para u shkrua nga kooperative bujqësore e Krutjes. Pastaj nga e gjithë Shqipëria.

Mihallaqi u arrestua. Në dhjetor 1973, gjyqi. Pas burgut – bojaxhi.

Viti 1992. Përsëri regjisor. Mik me presidentin e Hungarisë – A. Goncz ( 1990-2000). Në vitin 1997, kur në Shqipëri mbretëronte kallashi, presidenti e ftoi regjisorin të jetonte në Budapest. Familjarisht ndenjën dy-tre vjet. Disa kohë u shtrua në spitale.

Vdiq në vitin 2017.

Shënimi i tretë:

Autori Minush Jero. Punonte aktor në Durrës. Shkëlqeu dhe u rrëzua në Korçë.

Në vitin 1973, dramaturgu u dënua me tetë vjet burg. Nga burgu punëtor në fabrikën e gomës – Durrës.

Në vitin 1993 takohet në Durrës me regjisorin francez Domenic Dolenie. Ai e vuri në skenë, në Paris, dramën e tij.

Bën një aksident. Tetë vjet nuk dolli nga shtëpia. Shkroi para vdekjes dramën: “Një hap para vdekjes”…

Vdes në vitin 2006. …

I harruar …