Në dialogun e tij me poetin e madh francez Alain Bosquet[1], Jashar Qemal kujton rininë e tij dhe miqësinë me dy vëllezërit Arif dhe Abedin Dino. Arifin e cilësonte si frymëzuesin e tij shpirtëror, që siç shkruan “përmes tij unë zbulova rrugët që të çonin tek njeriu”. “Që para se Dino-t të vinin në Adana, unë e njihja emrin e tyre dhe kisha dëgjuar për ta. Kisha lexuar poezitë e Arifit dhe kisha parë vizatimet e Abedinit. Në fillim u njoha me Arifin dhe i dëgjoja shumë këshillat e tij. Arifi ishte një admirues i Rimbaud (Rembosë), madje e dinte pëmendësh. Bashkë kalonim orë të tëra, duke përkthyer poezi të Rembosë dhe duke folur gjatë për to. Kështu përkthyem poezinë e tij Anija e dehur (Bateau Ivre). Libri i parë që më ka tronditur ishte Don Kishoti. Isha shtatëmbëdhjetë vjeç, kur e lexova. Ishte Arifi që më bëri të lexoja atë dhe klasikët. Kur Arif Dino (1892-1957) shiti ca toka, më dhuroi nja njëqind libra të klasikëve. Kur hapa kutitë, gjeta tri kopje të Don Kishotit. Shkova dhe i thashë se gabimisht më kishte dhënë tri kopje, por ai më tha : “Jo, ti kam dhënë që t’i lexosh për gjithë jetën”.

Dhe në intervista të tjera në shtypin francez, si dhe në bisedat e ndryshme, Jashar Qemal nuk ka rreshtur dhe nuk rresht së foluri për familjen Dino, me të cilën e lidhte një miqësi gati mitike. “Arif Dino ishte një piktor i madh, si dhe vëllai i tij Abedini. Por ai nuk donte t’i ekspozonte veprat. Pikturonte për vete dhe mjaftohej duke u a treguar miqve të afërt. Miqësia me Arifin vazhdoi gjatë shtatëmbëdhjetë vjetëve, pa asnjë eklips, duke biseduar për romanin, artin, socializmin. Ai më njohu dhe me Homerin dhe tragjedianët e mëdhenj. Shkruante poezi në frëngjisht dhe në turqisht. Madje e njihte mirë gjuhën greke dhe e adhuronte Antikitetin grek. Bisedonim bashkë për letërsinë e pikturën. Më kujtohet një ditë kur Arifi nisi të na shpjegonte me bindje se romancierët e kohës sonë kanë frikë të krijojnë personazhe unikalë, se letërsia e këtij shekulli ka marrë fund dhe se asnjë nuk e kishte madhështinë e një Don Kishoti. Për të, romani botëror duhej të ishte në llojin e Don Kishotit… Idhujt e tij ishin gjithashtu Molieri dhe Çarli Çaplin. Në maj të vitit 1951 hyra në punë në gazetën Xhymhyriet, ku shkrova dhe reportazhin e parë mbi Anadollin. Kalova nga Ankaraja dhe vizitova Abedinin. Isha i gëzuar dhe e njoftova se kisha filluar punën e re. Arifi ishte mik me drejtorin e gazetës dhe për këtë i kishte shkruar: “Po të dërgoj një djalosh, një “terracote”, që ka kaluar dy herë në furrë”.

Portreti i Arif Dinos ka mbetur disi në mjegull. Ndoshta pse vdiq herët apo ndoshta pse ishte një njeri që synonte gjithnjë përsosmërinë. Prandaj dhe nuk i botonte poezitë e mrekullueshme të tij. Disa shkrime të tij kanë mbetur, por janë fare të pakta, si shkrime kritike p.sh., për piktorin tjetër me origjinë shqiptare, Sabri Berkel, një dishepull i Matisse, i cili është botuar në një gazetë shqiptare të viteve 30-të. Sensi i tij i kritikës ishte mjaft i mprehtë dhe me një kulturë të madhe. Sidoqoftë, ai ishte nga ata intelektualë që shihte nga Perëndimi dhe kultura perëndimore, dhe, së pari nga poezia, piktura e filozofia. Arifi punonte shpesh si dekorator, veçanërisht për panairet e Izmirit, ku e ftonin çdo vit. Pastaj, kohën e kalonte duke shkruar dhe pikturuar apo duke lexuar veprat e autorëve të mëdhenj, shumë prej tyre filozofë francezë. “Në kafene vizatonte gjithnjë, – kujton Guzineja, gruaja e Abedinit.  – Atëherë ai i mësoi Abedinit dhe boksin. Bashkë bënin boks. Më vonë, kur tregonte hundën e tij, Abedini qeshte dhe thoshte se hundën ma ka shtypur Arifi me grushtet e tij. Arifi e donte shumë vëllain e vogël. Madje ndikoi në shijet dhe formimin e tij”.

Arifi ishte shtatlartë dhe i pëlqente shumë boksi. Sa xhentëllmen, aq dhe i thjeshtë e proletar në shpirt. Kishte dëshirë të hante mirë, por kur s’kishte, nuk ankohej dhe hante si një i varfër. Kur kishte para blinte gjithnjë një duhan hollandez që i  pëlqente; kur nuk kishte, atëherë mjaftohej me duhanin më të keq, 4-5 paketa në ditë. Madje nuk i bënte përshtypje të flinte dhe për tokë. Asnjëherë nuk vinte kravatë, edhe pse i kishte me shumicë. Ishte i heshtur, i pëlqente më shumë të dëgjonte të tjerët. Ç’thoshte bota përreth ? Me llumin e kafesë vizatonte mbi kapakët e paketave të cigares apo në copa të vogla letrash. Prandaj dhe ato vizatime që kanë mbetur prej tij janë të përmasave të vogla, vizatuar në kafene, por me një art të madh. I pëlqente të rrinte me njerëz të çmendur, të njihte botën e tyre : ç’mendonin ata, cili ishte mekanizmi i metafizikës së tyre? Kjo i kishte ndodhur dhe në Paris, në Athinë apo Stamboll. Bota në pragun tjetër. “Ai ishte një filozof, – kujton Abedini, në librin “Arif Dino”, – megjithëse asnjë rresht nuk shkroi për filozofinë. Ai donte ta përjetonte artin, të përjetonte të qenit artist, pak rëndësi kishte momenti i krijimit. Ja, pse, ai nuk donte të linte gjurmë me veprat e tij. Ai fliste, të tjerët shkruanin për të. Tek xhamia Sulejmanie, afër sheshit Bajazit, në kafenenë prej druri që ne e quanim Forum, Arifi shkonte shpesh. Atje shkonin plot artistë mes të cilëve dhe Orhan Veliu, Fiqret Mualla apo Bedri Rahmi. Të gjithë artistët e kishin bërë zakon që poezitë apo vizatimet e tyre së pari t’i a tregonin Arifit, të dëgjonin mendimin e tij”. Arifi ishte si mjeshtri i artit. Të gjithë donin të dinin nëse atij i pëlqente apo jo. Etaloni i së përkryerës”.

Kur Abedini shiti pikturën e parë të tij dhe erdhi gjithë qef në shtëpi, ai i bërtiti. Sipas tij, ai që bënte art për të shitur, bënte një lloj prostitucioni. Ai e shihte artin si diçka të shenjtëruar: atë mund ta dhuroje por jo ta shisje. Vite më vonë, kur ishin në Paris, sa herë i shiteshin pikturat, Abedini ndjente një lloj boshllëku apo faji dhe gjithnjë i kujtohej reagimi i vëllait të tij në Adana.

Arifi ishte një njeri me virtyte të larta dhe episodi që do më tregonte Guzineja e vërtetonte plotësisht këtë. Në Stamboll, kur Arifi jetonte pranë xhamisë së famshme Sulejmanie, një nga më të mëdhatë dhe më të bukurat e Stambollit dhe të gjithë epokës otomane, në katin përdhes të godinës së tij jetonte një shofer bashkë me familjen. Arifi ishte njeri i thjeshtë dhe demokrat. Edhe pse intelektual i njohur, ishte mjaft i afrueshëm dhe me njerëzit e thjeshtë. Një ditë, shoferi po i qante hallet dhe në një moment i kishte thënë: “Nëse më ndodh ndonjë gjë, kush do të kujdeset për familjen time të gjorë. Fëmijët do më mbesin në katër rrugët”. Për ta qetësuar Arifi i kishte thënë se do të kujdesej ai, dhe se s’do ta linte në rrugë familjen e tij. Çuditërisht, të nesërmen e asaj dite, shoferi kishte vdekur. Kjo vdekje Arifin e tronditi shumë, pasi këtë lajm e mori si një mesazh hyjnor, dërguar nga një fuqi e mbinatyrëshme. Dhe me të vërtetë ai i u përkushtua asaj familje që të mos mbetej nëpër rrugë. Ky ishte Arifi, me një zemër të madhe…

Kur bashkë me Jusuf Vrionin takuam Abedinin në Paris, duke folur për Arifin, ai na tha: “Arifi ishte një talent i madh. Kam disa vizatime të tij në shtëpi. Por ai ndryshonte nga unë. Qëndronte në hije…”.

Abedini e kishte adhuruar gjithnjë të vëllain e tij. Po kështu edhe miku i tij Jashar Qemal. Në një shkrim të tij në revistën Taha Toros të vitit 1994, bashkëkohësi dhe miku i Abedinit, Tarih ve Toplum, kujton se si Jashari i vogël afrohej pranë tavolinës së tyre dhe se si mrekullohej nga fjalët e Arifit në kafenenë e sheshit të qytetit. “Kur s’kishte vend në karrike, ai ulej në tokë dhe e dëgjonte”.

Vite më vonë, Jashari nuk do të ndahej nga Arifi. “Pikërisht, në një cep kafeneje, me Arif Dinon përkthyem “Anijen e dehur”. E përkthyem në sajë të frëngjishtes së tij dhe turqishtes sime… Lexonim shkrimtarët antikë grekë e diskutonim për Don Kishotin, flisnim për Xhojsin, Kafkën, Folknerin… I mësonim përmëndësh poezitë popullore : Jonuz Emre-në, Karaxha-ogllan, poetët e mëdhenj kryengritës, Pir Sulltan dhe Dadalogly. Ne nuk ishim indiferentë as ndaj mjeshtërve më të mëdhenj të marksizmit, si Marksi dhe Engelsi”. Në bisedë me Alain Bosquet, duke kujtuar Arifin, Qemali tregon: «Atëherë lexoja gjithçka që më binte në dorë mbi socializmin. Shpejt, u krijua një grup militantësh socialistë. Hymë në lidhje me punëtorët socialistë dhe intelektualët e tjerë. Natë e ditë flisnim për socializmin. “Manifesti i Marksit”, i kopjuar dhe i shtypur në një makinë shkrimi, qarkullonte dorë më dorë…”

Në ato kohë Arifi dashurohej me një turke të bukur që quhej Guli, portrete e së cilës Arifi na i ka lenë të vizatuara me një sensibilitet dhe sensualitet të jashtëzakonshëm. Ishte i dashuruar tmerrësisht pas saj dhe shkruante për të poezi. Arifi ishte në fakt një poet i dashurisë. Një mbrëmje vonë, në Jenikoi buzë Bosforit, ku banonin, ai shkroi poezinë kushtuar Guli-t. Figura e gruas, e femrës së dashuruar, është shpesh në poezitë e tij: ajo është enigmatike, sensuale, epshndjellëse dhe nënë, sigurisht…

Flokët e tu

Sytë e tu

Buzët e tua

Ç’udhëtim i bukur

I erës

I qiejve

I detrave

I frutave

dhe pastaj…[2]

Vargjet e tij ishin lirike dhe moderne. Mjaft poezi të tij duket që janë të ndikuara nga Guillaume Apollinaire apo Rimbaud. Veçanërisht nga “calligrammes”, ku vargjet krijojnë figura gjeometrike apo floreale. Megjithatë, pas kësaj serie poezish, ai shkruan një lloj poezi edhe më të ndjerë dhe moderne. Kur ishte në Paris, ishte njohur dhe me poezinë e bashkëpatriotit të tij, Jean Moreas apo ndryshe Jani nga Morea, një pinjoll i familjes arvanitase Tombazi, e cila kishte ndihmuar shumë në revolucionin grek për pavarësi. Ai i adhuronte poezitë e këtij simbolisti mjaft të njohur të epokës, që ishte mik i afërt i Verlenit dhe i Malarmesë. Moreas ishte poet i dashurisë. Ashtu ishte dhe Arifi.  Madje kishte patur fatin ta njihte personalisht Moreasin në “Closerie de Lilas”, në bulevardin e Montparnasit. Ç’njeri i çuditshëm, ç’poet i madh! Që nga takimi me të, Arifi do të ulej të shkruante poezitë e tij…

Në Gjenevë miku i tij më i afërt ishte shkrimtari Nurullah Ataç. Që të dy netët i kalonin duke folur për poezi dhe për artin. Në vitin 1926, Arifi shkoi në Athinë, tek i vëllai, Aliu, ku u njoh me mjaft personalitete artistike të kësaj periudhe. Mes tyre, një shoqëri të ngushtë pati me aktorin Jorgji Papas si dhe me birin e një armatori meksikan, poet, i quajtur Iturbi. “Ishin shokë të ngushtë, – tregon Abedini, – të tre jetuan edhe në Athinë, edhe në Paris. Që të tre e dinin gjuhën frënge si gjuhën e nënës. Që të tre çmendeshin pas Rembosë. Që të tre i donin shumë gratë…”  Madje shumë poezi i a kushtoi mikut të tij meksikan, siç dëshmon dhe në hyrje të ciklit të tij “Poezi orale”, ku shkruan: “Mikut tim, mecenit meksikan” :

kokë asteku

sy moskoviti

ti ëndërron nostalgjik

madje dhe në Akropol

duhmat e kalimtarëve në bulevardet

e Parisit.

Për këtë

ne jemi

vëllezër siamezë…

 Grekët atje e njihnin për një mjeshtër të madh të vizatimit, siç e pikasën në tabllotë e ekspozuara në Athinë apo dhe në afishen e Festivalit të Delfit të pikturuar nga ai, në maj të vitit 1930. Arifit i pëlqente shumë dhe Apollinaire, miku i shqiptarit të madh Faik Konica. Madje dhe në revistën Albania të Faikut, ai kishte botuar shkrime në mbrojtje të Shqipërisë. Shkruante vargje nën frymëzimin e poetit Apollinaire:

NE

OREN

BLU

LENGU

NGJITET

NGA

DEGA

DREJT

MOLLES.

EVA

E KAFSHON.

LENGU

KERCEN

HYN

DHE

LAG

BUZE

ZJARRI

QE GJITHNJE

KANE

ETJE.

Edhe kinemaja ishte gjithashtu një nga pasionet e tij: amerikani Grifith, sovjetiku Eizenshtein si dhe gjermani revolucionar Piscator.

Shpesh, poezia e tij është dhe enigmatike, si në poezinë Gota e thyer.

Poezia e tij e frymëzonte gjithnjë Jashar Qemalin, ashtu si dhe linja poetike e vizatimit të tij. “Ditët që nuk shkoja në punë qëndroja me Arifin, nga mëngjesi në mbrëmje. Bisedonim për teatrin antik, Homerin, epopenë hitite të Kumarbi, Gilgameshin, dhe si gjithnjë për pikturën, – kujton Jashar Qemal. – Edhe Arif Dino ishte një piktor i madh. Ai nuk ekspozonte dhe nuk ua tregonte pikturat e tij veçse miqve. Shkruante poezi në turqisht dhe në frëngjisht”. Shumica e poezive të Arifit, të shkruara drejtpërdrejt në frëngjisht, kanë humbur apo janë grisur nga vetë ai. Poezia Triptik çifut mund të cilësohet si një poezi e nivelit të lartë, e po të njëjtit nivel me poetët e mëdhenj modernë të asaj kohe në metropolet e Europës. “Buza tënde është refleks / i pjatës së artë e të përgjakur të Salomesë, shkruan poeti. Në këtë poezi është jo vetëm forca e fjalës dhe e figurës, por edhe kultura e tij mbi historinë biblike dhe judaizmin. Historia e kokës së prerë të Jean Baptiste, rivjen dhe ulet në poezinë e tij, midis ngazëllimit dashuror dhe përgjakjes së një pjate të artë.


[1] Entretiens avec Bosquet, botimet „Gallimard“.

[2] Poezia e titulluar Poezi me porosi.