Salih Zogiani

Mërgimtarët tanë nuk janë më vetëm ata sharrëxhinjtë e dikurshëm, siç i përshkruante Esat Mekuli në poezitë e tij, por janë edhe veprimtarë e krijues të lëmenjve të ndryshëm, si: shkrimtarë, gazetarë, piktorë, artistë e sportistë të dalluar.
Rrugëtimi i popullit tonë gjatë historisë ishte shumë i rëndë, nën sundimin shumëshekullor të perandorive: romake, bizantine, osmane, e sidomos okupimi sllav ishte më i egri, i njohur për projektet famëkëqija të zhdukjes së popullit shqiptar dhe trashëgimisë sonë. Edhe në luftën e fundit, sikur para 120 vjetësh (kur u shpërngul me dhunë popullata shqiptare nga Toplica), pasi u shpërngulën mbi një milion banorë nga Kosova, filloi zhdukja e gjurmëve të trashëgimisë duke përdorur edhe ekskavatorët.
Gjatë këtij rrugëtimi kaq të rëndë, një pjesë e popullatës u detyrua të emigronte jashtë atdheut, në shumë vende të Botës, duke filluar me arbëreshet e që vazhdoi deri në ditët e sotme. Në këtë mënyrë, në vazhdimësi, tkurrej territori dhe zvogëlohej popullata. Kjo e dhënë mund të dëshmohet me toponimet e shumta, të ngelura në vendet përreth, si dhe me begatinë e trashëgimisë kulturore shumë të larmishme, në një hapësirë kaq të vogël, ku jetojnë sot shqiptarët.
Mërgimtarët tanë, kur shkuan në mërgim, si duket, me vete morën një pjesë të trashëgimisë shpirtërore – anekdotat, e ato sikur u shuanin mallin për atdheun. Një mërgimtar nga Amerika më tha njëherë: “Edhe pse jetoj gjatë në Amerikë, asnjëherë nuk i kam parë ëndrrat në Amerikë, por gjithnjë në vendlindje”. 
Me qellim të ruajtjes së gjuhës dhe traditës, në mungesë të përkrahjes institucionale të diplomacisë së shtetit shqiptar, intelektualët mërgimtarë, të bashkuar, u angazhuan në organizimin e jetës shoqërore.

Ne shqiptarët kemi trashëgimi kulturore me të cilën mund të krenohemi para botës. Mirëpo, jemi vonuar shumë në prezantimin e saj. Një pjesë e trashëgimisë sonë ka hyrë në regjistrin e thesareve botërore, siç janë: Lokaliteti arkeologjik i Butrintit, Gjirokastra, Berati dhe Kënga polifonike, të cilat tani janë edhe nën mbrojtjen e UNESCO-s. Gjithashtu, kur na është mundësuar që të marrim pjesë në manifestimet e ndryshme ndërkombëtare, kemi marrë vlerësime dhe çmime të rëndësishme (rapsodët Salih e Feriz Krasniqi, në Festivalin Botëror të Folklorit në Langolen të Anglisë, Vallja e Shqipeve në Festivalin ndërkombëtar në Dizhon të Francës, Ansambli Autokton Rugova, Ansambli Shota, stolitë tona në një ekspozitë ndërkombëtare në Nju-Jork etj.). Me angazhim më të madh mund të arrihet që edhe vlerat e tjera të trashëgimisë sonë, si: këngët kreshnike, veshjet, vallet, stolitë dhe anekdotat të përfshihen në regjistrin e thesareve botërore. 
Është mrekulli se si në rrethana të tilla të rrugëtimit kaq të rëndë, pa liri dhe pa shkollë, arritëm ta ruanim gjuhën dhe traditën tonë. Ne jo vetëm qëndruam dhe i përballuam të gjitha katrahurat, por arritëm t’i jepnim botës njerëz me famë, si: 2 papa, Skënderbeun, Jan Kukuzelin, Sami Frashërin, Hasan Tahsinin, Nënën Terezë, Kadarenë, bile edhe mbretër e perandorë.
Trashëgimia kulturore, qoftë materiale qoftë shpirtërore, është thesar pa të cilin nuk mund të shkruhet historia, prandaj kemi për detyrë që këtë thesar ta ngremë në piedestal. Populli që vlerëson trashëgiminë dhe kulturën, pra të shkuarën, ai popull ka prosperitet, ka të ardhme.
Trashëgimia është tapia e kombit, thotë Lasgush Poradeci. Sa më e fortë të jetë kjo tapi, aq më i fortë do të jetë kombi. Ndërsa, Gjergj Fishta thotë: “Tradita jonë dhe Kanuni janë palca e kombit”. Falë Kanunit, populli ynë nuk iu nënshtrua ligjeve të okupatorëve. Të rralla ishin rastet kur kërkohej këshilla nga Kadiu, por kërkoheshin nga urtarët, si: Binak Alija, Xhemajl Abria, Ramadan Shabani, Tahir Berisha etj. Rroli i odës dhe i krijuesve të trashëgimisë është shumë i madh në ruajtjen e identitetit kombëtar. Është interesante anekdota për bisedën e Tahir Berishës me oficerin serb, kur i përgjigjet me metaforë: – këtu jemi para dreqit, ose kur Ramadan Shabani, në Shkodër, i thotë delegacionit evropian: -ne shqiptarët, në bazë të traditës, edhe rrogëtarit, kur punon gjatë, i japim hise, kurse ju, në tokën tonë po doni me na lanë pa hise. 
Anekdotat, që në popull emërtohen si: mesele, heqaje, bende, rrotulla, janë margaritarë të urtisë dhe të filozofisë popullore. Në anekdota trajtohen cilësitë e virtytet njerëzore, si dhe veset e dukuritë negative individuale apo shoqërore. Ato shprehen përmes afirmimit të vlerave, si; urtia, drejtësia, trimëria, patriotizmi, puna, morali etj. dhe qortimit e denoncimit të dukurive negative, si: marrëzia, lakmia, tradhtia, egoizmi, përtacia, hajnia, imoraliteti etj.
Anekdotat janë komunikim i shkurtër, përmbajtjesor, ku me pak fjalë thuhet shumë. Kanë veçori komike-argëtuese, ku, përmes humorit e satirës, gjuhet fjala në shenjën e imagjinuar. Syzheja duket e thjeshtë, por në vete ka mesazhe të forta. Janë të lehta për lexim për të gjitha moshat. Janë edhe ushqim shpirtëror, ngase të relaksojnë.
Anekdotat dallojnë shumë nga barsoletat: Ato tregohen me fjalë që peshojnë, vetëm kur u hapet shtegu, kur kanë lidhje logjike e kontekstuale me bisedën, prandaj gjithnjë janë aktuale. Edhe të qeshurit e anekdotës dallon nga ai i barsoletës, ngase të shtyn të mendosh për dukuritë për të cilat flitet. Barsoleta është humor i lehtë, tregohet kudo e kurdo, sa për disponim të çastit.
Tradita jonë, në përgjithësi, dhe anekdotat, në veçanti, me mesazhet e tyre, tejkalojnë vlerat etnofolklorike të shumë popujve të Botës.