Nga: Xhelal Zejneli

Paulo Coelho lindi më 24 gusht 1947 në Rio-de-Zhanejro të Brazilit. Ndoqi shkollën fetare të jezuitëve. Kur ishte tinejxher, i tha së ëmës se dëshiron të bëhet shkrimtar. Ajo ia ktheu: “Babanë e ke inxhinier, njeri logjik dhe të arsyeshëm, me koncept të definuar për botën. E di të se ç’do të thotë të jesh shkrimtar?” Në kërkim të përgjigjes për këtë pyetje, erdhi në përfundim se “shkrimtari gjithmonë mban syze dhe kurrë s’i kreh flokët. Detyra dhe detyrimi i tij është të mos e kuptojë gjenerata e vet”.

Kur ishte 17-vjeçar, për shkak të sjelljes introverte dhe kundërshtimit të mënyrës tradicionale të jetesës, prindërit e dërguan në spitalin psikiatrik. E liruan kur i mbushi 20 vjeç. Ndërkohë, nga spitali kishte ikur tri herë. Më vonë pohon: “Nuk është se donin të më lëndonin. Thjesht, nuk dinin ç’të bënin me mua. Nuk e kanë bërë këtë për të më shkatërruar, por për të më shpëtuar.”

Sipas dëshirës së prindërve, u regjistrua në Fakultetin e Drejtësisë. Hoqi dorë për t’u bërë shkrimtar. Pas një viti i la studimet dhe nisi të udhëtojë nëpër Afrikën e Jugut, në Meksikë dhe në Evropë. Jetonte si hipik dhe pinte drogë.

Pas kthimit në Brazil, nisi të shkruajë poezi për këngëtaren braziliane të muzikës popullore dhe të xhazit, Elis Regina Carvalho Costa (1945-1982), për këngëtaren e muzikës rok, shkrimtaren dhe kompozitoren braziliane Rita Lee Jones (1947-) dhe për kompozitorin brazilian të muzikës rok Raul Santo Seixas (1945-1989). Në vitin 1974, për këto poezi të cilat pushteti i konsideronte majtiste dhe të rrezikshme, u burgos dhe u torturua.

* * *

Edhe pse fitonte dhe u afirmua si autor poezish, në vitin 1986 vendosi që plotësisht t’i kushtohej shkrimit të romaneve. Kthesën e bëri gjatë pjesëmarrjes në shëtitjen ceremoniale fetare Rruga për Santiagon në Spanjë.

Në vitin 1982 botoi librin e parë “Arkiva nga ferri”, por libri nuk pati sukses të duhur. Librin e vet të ardhshëm, “Doracak praktik i lugatërisë“ (1985) e karakterizoi si të dobët, ndaj tentoi ta tërheqë nga shitja. Në vitin 1986, pas kthimit nga Rruga për Santiagon, shkroi “Pelegrinazhin”. Në vitin vijues, një shtypshkronjë e vogël e boton “Alkimistin” në 900 kopje. Vepra popullarizohet vetëm pasi u botua “Brida” në vitin 1990.

“Alkimisti” u shit në mbi 65 milionë kopje dhe u bë një nga librat më të shitur në histori, i përkthyer në 67 gjuhë të botës. Kjo u regjistrua në Librin e Ginisit të rekordeve si libër i një autori të gjallë, i përkthyer në numër më të madh gjuhësh.

Pas kësaj, shkruan libra çdo dy vjet. Pohon se çdo libër të ri e fillon vetëm pasi të gjejë pendë të bardhë në janar të vitit tek. Kjo ndërlidhet me kthesën e tij për t’u bërë shkrimtar. Derisa e shtynte kalimin e përhershëm në shkrime pas kthimit nga Rruga për Santiagon, ai tha: “Po qe se sot gjej një pendë të bardhë, kjo do të ishte shenjë që ma dërgon Zoti që të filloj të shkruaj libër të ri”. Pendën e gjeti në ekspoziturën e një dyqani dhe nisi të shkruajë po atë ditë.

Deri tani ka botuar 26 libra. Dy prej tyre janë autobiografikë: “Pelegrinazhi” dhe “As Valkirias”. Veprat e tjera janë bazuar në përvojën personale të vet. Disa prej veprave të tij janë prezantuar si përmbledhje esesh, artikujsh gazetareskë apo ligjëratash.

“Alkimisti” ka fituar publik të zgjedhur në mbarë botën. Rrëfimi që të kënaq me thjeshtësinë dhe të inspiron me urtinë e vet, e përcjell bariun e ri andaluzian, Santiagon, i cili nga Spanja e vet niset për në shkretëtirën e Egjiptit, për ta gjetur thesarin e fshehur përballë piramidave.

Askush s’e di se për çfarë thesari bëhet fjalë. Nuk dihet në do t’ia dalë Santiago t’i tejkalojë pengesat që do t’i dalin gjatë rrugës. Por, ajo që fillon si kërkim pasurish të kësaj bote, shndërrohet në kërkim pasurie që ndodhet te vetë ai.

Entuziazmues, piktoresk dhe thellësisht njerëzor, ky rrëfim është dëshmi e përhershme e forcës së ëndrrave tona për të na transformuar, dëshmi se sa është e rëndësishme ta dëgjosh zemrën tënde.

* * *

“Alkimisti” është një prej romaneve më të popullarizuar të njëzet viteve të fundit. Coelho ia ka treguar lexuesit rrëfimin për domosdoshmërinë e kërkimit të fatit që ka impresionuar mijëra adhurues të tij në mbarë botën.

Në qendër të ngjarjes ndodhet bariu Santiago, i cili me pasion të madh dëshiron ta gjejë thesarin me vlerë marramendëse. Rruga jetësore që e ka caktuar, i premton shumë zbulime të reja. Një prej tyre është njohja e vetvetes. Mëso ta dëgjosh veten, mendimet tua, dëshirat tua, sidomos – zemrën tënde. Vjen momenti dhe Santiago mëson se ëndrra e tij nuk i takon vetëm atij – ajo është pjesë e Shpirtit të Gjithësisë.

Dalëngadalë Santiago e kupton lidhjen e pashkëputur që ekziston midis nevojës për realizimin e dëshirave njerëzore dhe asaj që është shpirtërore. Santiago ishte një bari modest. Pak a shumë modeste i kishte edhe dëshirat. Nga jeta nuk kërkonte përveç se vullnet të lirë për vete dhe për delet e veta, pak verë si dhe librin fascinues, ngashënjyes, magjiplotë që do ta mbajë në strajcë. Por, fati e çoi në një rrugë tjetër, në formë bredhjesh të paparashikuara, për të kërkuar dhe për të gjetur thesarin e paçmueshëm, të fshehur në themelet e piramidave egjiptiane.

Santiago e njohu mbretin e urtë, Melhizedekun. Ky e shtyri bariun që të tregojë vendosmëri dhe të vihet në veprim. Të nesërmen i shiti dhentë, la vendlindjen dhe u nis në kërkim. Duke ndjekur ëndrrën e jetës së vet, djaloshi u nis për në Afrikë.

“Alkimisti” është një prej fenomeneve letrare më të rëndësishme të shekullit XX, për arsye se historia e bariut Santiago është një lloj rrëfimi shpirtëror që në jetën e përditshme mund të shfrytëzohet në çfarëdo përsiatjeje racionale, pavarësisht nga statusi shoqëror i tij.

Episodi vijues i librit që e ka goditur botën është mbërritja e Santiagos në Afrikë. Këtu, personazhi kryesor e kupton se rruga jetësore e tij nuk do të jetë aq e lehtë siç e kishte paramenduar.

Që ditën e parë, bariu i varfër u plaçkit. Duke mbetur fare i vetëm, nuk kishte mundësi as të bisedojë me dikë ngase nuk dinte arabisht. Pas ngjarjeve të tilla, bariu ishte në humbje të plotë, ndaj i duhej të kthehej, pa e realizuar ëndrrën e vet. Por, në ato çaste iu kujtua biseda me të urtin Melhizedek, i cili ende e takonte në shtëpi. Dalëngadalë, dyshimet e tij filluan të zhduken.

“Alkimisti” është një udhërrëfyes i shkurtër për njeriut për t’i realizuar dëshirat e veta, është udhërrëfyes jetësor i Santiagos. Santiago nuk heq dorë nga synimi i tij, para se të arrijë qëllimin e vet dhe para se ta realizojë ëndrrën e vet.

Pasi u vendos në një dyqan, Santiago fitoi do para që mjaftonin për të blerë kope të re delesh. Djaloshit i sillet ndërmend kthimi në shtëpi. Por, në çastin e fundit vendos t’i vë në rrezik të gjitha paratë që i kishte fituar. Ai është i vendosur të realizojë ëndrrën e vet, të kërkojë dhe të gjejë thesarin, atje, mu te këmbët e piramidave. Nga synimi i vet, nuk heq dorë.

Në shkretëtirë Santiago takon udhëtarin me prejardhje angleze. Ky i flet për sekretet e alkimisë. Këto vise qenkëshin të njohura për punë alkimie. Santiago dhe anglezi kalojnë kohën duke folur për çështje shpirtërore. Ndërkohë, përhapen lajme për shpërthimin e një lufte fisesh.

Ndër ngjarjet më të rëndësishme është mbërritja në oazë, përjetimi i ndjenjës së vërtetë të dashurisë, përfytyrimi i luftës që pritej të shpërthente si dhe biseda e rëndësishme me alikimistin i cili ishte i gatshëm ta shoqërojë Santiagon deri te thesari.

Aventurat e mëtejme të Santiagos kanë të bëjnë me sfidat e tij shpirtërore dhe fetare. Alkimisti edhe një herë dëshmi ekzistimin e Shpirtit të Gjithësisë, që është në gjendje të bëjë punë të mëdha.

Kjo vepër i zgjon ato mendime të njeriut i cili në jetën e përditshme nuk ka mundur t’i kushtojë vëmendje të duhur vetes.

* * *

Romani mahnitës për herë të parë botua në vitin 1988. Kjo vepër ka inspiruar miliona njerëz në mbarë botën. Është një histori e mrekullueshme, njëherazi e thjeshtë dhe përplot porosi dhe urti jetësore. Flitet për bariun e ri nga Andaluzia, pra Santiagon, i cili për ta gjetur thesarin të fshehur te piramidat, niset nga shtëpi e tij në Spanjë, për në shkretëtirën e Egjiptit. Rrugës takon Ciganen, njeriun që e quan veten mbret, si dhe alkimistin. Ata e udhëzojnë se në ç’drejtim duhet të niset për kërkim. Udhëtimi që e ndërmerr për të mira materiale, i shndërrohet në zbulim të thesarit të brendshëm. Ky rrëfim i çmuar dhe motivues për djaloshin Santiago dëshmon se sa është e rëndësishme ta dëgjosh zemrën tënde dhe t’u besosh ëndrrave, për arsye se ato mund ta ndryshojnë jetën tonë.

Vepra është alegori për bariun i cili është nisur në udhëtim, me dëshirë për ta plotësuar misionin personal. Inspirim për veprën ka qenë tregimi i shkurtër i tregimtarit, poetit dhe eseistit argjentinas Jorge Luis Borges (1899-1986) me titull “Tregim për dy ëndërrimtarë”. Vepra u shkrua në gjuhën portugeze.

Në vitin 2003, kompania shumëkombëshe amerikane për mediume dhe argëtim Warner Bros i bleu të drejtat për këtë libër për ta xhiruar si film. Por, projekti kurrë nuk u realizua, siç thuhej, për shkak të problemeve rreth skenarit ngase në një moment është paraqitur një betejë me mbi 10 mijë luftëtarë, gjë që nuk është poenta e librit. Në vitin 2008, në Festivalin e Kanës u bë publike se producenti amerikan i filmit, i dënuar për abuzim seksual, Harvey Weinstein (1952) i ka blerë të drejtat e librit, ndërsa regjisor do të ishte aktori dramaturgu, producenti, skenaristi dhe regjisori amerikan Laurence John Fishbun (1961). Buxheti i paralajmëruar ka qenë 60 milionë dollarë amerikanë, ndërsa regjisori dhe shkrimtari iu gëzuan bashkëpunimit.

Cornish Theatre Collective. “Alkimistin” e shfaq me sukses në teatër.

The Guardian për këtë vepër ka thënë: “Libër i shkruar në mënyrë të shkëlqyer. Ka të bëjë me secilin prej nesh dhe na mëson se e gjithë pasuria e botës ndodhet në zemrat tona”.

Ndërsa, prozatori japonez, laureat i çmimit “Nobel” më 1994, Kenzaburo Oe (1935), ka thënë: “Paulo e di sekretin e alkimisë letrare”.