Nuk ka shumë albume që e shprehin aq qartë qëllimin, sa “Different Class”.

“Po e bëjmë një lëvizje, po e bëjmë tash, po dalim nga skajet”, thoshte Jarvis Cocker në këngën “Misshapes”, në një si manifest për vet grupin. “Vëllezër, motra, a nuk po shihni? E ardhmja është bërë për ty dhe mua”. Ishte kjo një thirrje e guximshme, nga një grup që e dinte se më në fund kishte ardhur koha e tyre.

Koha kur Pulp e lansoi albumin “Different Class”, në tetor 1995, paraqiste kulmin e Britpopit – më pak një lëvizje kulturore dhe më shumë një lëvizje muzikore e grupeve (kryesisht me anëtarë të bardhë ku dominonte kitara) që pushtonin top-listat e mesit të viteve 1990. Ishte kjo një shprehje e re muzikore britanike, pas ndikimit disavjeçar të skenës amerikane të njohur si “Grunge”.

Ai vit kishte albume të shumta në vendin e parë, të grupeve si Elastica, Supergrass, The Charlatans, Black Grape dhe The Boo Radleys. Atë verë Britpop-i kishte arritur – në varësi të këndvështrimit – ose zenitin ose nadirin e tij, kur grupet Blur dhe Oasis u përfshinë në një betejë që mbizotëronte gazetat dhe lajmet. Disa javë më vonë, Blur fitoi raundin e parë me ​​albumin e tyre të pestë, “The Great Escape”. Oasis vazhdoi me “(What’s the Story) Morning Glory?”), që do të jetë albumi më i shitur i dekadës në Britani të Madhe (duke fituar kështu “luftën” me rivalët).

Megjithatë, më e mira akoma nuk kishte ardhur. Pulp nuk kishte interes për etiketën Britpop (“Edhe sot kjo më ngjeth”, thotë bateristi Nick Banks), megjithatë, 25 vjet më vonë “Different Class” jo vetëm që shihet si imazhi më i qartë i Britanisë së mesit të viteve 1990, por është i rëndësishëm edhe sot.

Për një adhurues të muzikës, mund të duket se Pulp u shfaq nga asgjëja më 1995, kur brenda disa javësh kënga “Common People” zuri vendin e parë në top-lista. Fillimisht me emrin Arabicus, pastaj Arabus Pulp, e në fund veç Pulp, grupi kaloi nëpër disa ndryshime në përbërje dhe më shumë se një dekadë në errësirë, para se të merrte vëmendje në fillimin e viteve ’90. Në atë kohë ata kishin këtë përbërje: Jarvis Cocker (vokal), Russell Senior (kitarë, violinë), Candida Doyle (tastierë), Nick Banks (bateri) dhe Steve Mackey (bas). Në vitin 1994, albumi i katërt i grupit, “His ’n’ Hers”, zuri vendin e nëntë në top-lista, këngën e parë në top-40-she (“Do You Remember the First Time?”) dhe nominim për Çmimin Mercury. Pastaj, më 1995, suksesi i “Common People” dhe një ftesë nga festivali Glastonbury, ndryshoi gjithçka.

“Deri në fund nuk i ngrita sytë nga tupanat, sepse kisha shumë frikë mos po bëja diçka gabim. Por, në kohën kur arritëm te ‘Common People’, zhurma e turmës që këndonte me ne ishte shumë e fortë. Mbaj mend se shikoja dhe bërtisja. Ishte e mahnitshme”, thotë Nick Banks.

Kur grupi shkoi në studio për të përfunduar incizimin e albumit të tyre të pestë. Ata ishin në dijeni se më në fund e kishin audiencën që shumë gjatë e kishin pritur.

“E ndienim se disku tjetër ishte shansi ynë, ishte koha jonë, ishte trampolina jonë në ndërgjegjen e publikut, një shans për të arritur te ata njerëz”, thotë Banks. “Pulp ishte për një kohë të gjatë në margjina. Ideja se më në fund do të ekspozoheshim te një audiencë më e madhe, ishte një ndjenjë e mirë”.

Pjesa më e madhe e këngëve u shkrua mbi një depo qeramike, në pronësi të familjes së Banks.

“I caktuam detyrat e shtëpisë, meqë në provën tjetër duhej të shkonim me ndonjë ide për këngë – një fjalë, pak melodi, një frazë, një skenar, çkado”, thotë Banks.

Ashtu si në albumin “His ‘n’ Hers”, “Different Class” e ktheu Cocker-in te një nga temat e tij të preferuara, seksin – në këngët si “Underwear” dhe “Pencil Skirt”. Por, vëzhgimet e tij u zhvendosën gjithashtu nga dhoma e gjumit për t’u përqendruar në ndarjen klasore, diçka për të cilën ai dhe anëtarët e tjerë të grupit ishin të vetëdijshëm.

Në “betejën” e top-listave midis grupeve Blur dhe Oasis, jo vetëm këngët e tyre ishin vënë përballë njëra-tjetrës, por edhe klasa e tyre. Oasis ishin djemtë e klasës punëtore nga veriu që donin të pinin birrë dhe të futeshin në probleme. Blur ishin jugorë të klasës së mesme e të shkollës së artit, tekstet e të cilëve citonin Balzakun. Këto dy versione të jetës në Mbretërinë e Bashkuar tregonin problemin me Britpop-in. Duke folur së me Adam Buxton-in, shkrimtari Zadie Smith ka thënë: “Blur vs Oasis, e gjithë ajo skenë… nuk kishte idenë se çfarë po ndodhte në muzikën e zezë, me muzikën aziatike. Ishin thjesht të pavëmendshëm. Dhe, nëse do të merrnit pjesë në frymën e viteve 1990, do të duhej të merrnit pjesë në këtë – në këtë muzikë për të cilën shpesh nuk kishit interes ose njohuri dhe që nuk kishte të bënte me mënyrën se si do të rriteshit”.

Ndërkohë, grupi Pulp ishin të zënë duke shkruar për luftërat e klasave e jo duke marrë pjesë në të.

Te “Common People”, Cocker këndon: “Kurrë nuk do ta kuptoni se si është ta jetoni jetën tuaj pa asnjë kuptim ose kontroll, e ku nuk ka mbetur vend për të shkuar”. Zemërimi i tij është më i dukshëm te kënga “I Spy”, ku dikush që nuk ka asgjë vëzhgon ata që kanë gjithçka për të “hedh në erë parajsën (e tyre)”.

Pulp e kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës, jashtë, duke kërkuar, duke u bërë kampionë të atyre pa fuqi.

“Të jesh në gjendje të vëzhgosh pa u vëzhguar vetë, mund të shihni të vërtetën”, thotë Banks.

Asnjë detaj nuk i kaloi Cocker-it. Historitë e tij ishin specifike, por pasqyronin një shoqëri më të gjerë.

Albumi zuri vendin e parë dhe ditoi Çmimin Mercury. Një turne e suksesshme pasoi. Pulp nuk ishin më të jashtmit.

“Kur je në shkretëtirë për një kohë të gjatë dhe e arrin oazën, hidhesh në të”, thotë Banks.

Cocker e arriti ambicien e tij të jetës për të qenë yll muzikor, por më vonë do ta krahasonte këtë me “alergjinë në arra”, sepse fama shndërrohet në makth.

“Në Mbretërinë e Bashkuar, papritmas u bëra shumë i njohur dhe nuk mund të dilja më. Më futi në një nivel të të famshmëve që nuk e dija se ekzistonte e unë nuk ishe i përgatitur për këtë. Kishte një efekt masiv, përgjithësisht të dëmshëm për shëndetin tim mendor”, ka thënë ai.

Zhgënjimin e tij me famën, madje neverinë, e shprehu në albumin tjetër të grupit, “This Is Hardcore”, që fliste për “sulmet e panikut, pornografinë, frikën e vdekjes dhe plakjen”. Në këngën e parë, “The Fear”, ai këndon: “Ky është tingulli i dikujt që humb narracionin, duke u shtirë se është në rregull edhe kur nuk është”.

Pas albumit të shtatë më 2001, “We Love Life”, Pulp bëri një dekadë të gjatë, duke u ribashkuar më 2011 për disa koncerte. Koncertin e fundit e dhanë në dhjetor 2013.