Nga Mimoza Kelmendi

Autori i librit, Dr. Pandeli Pani, ka studiuar Gjuhë dhe Letërsi Shqipe dhe Gjermane në Tiranë dhe Gjuhësi të Krahasuar Indo-Evropiane në Universitetin e Bonit, ku edhe ka mbrojtur doktoraturën me temën “Bazat indo-evropiane të diatezave në gjuhën shqipe”, botuar në kolanën “Botime Balkanologjike” të shtëpisë botuese Harrassowitz.

Ai është autor i një sërë artikujsh e studimesh që lidhen me aspekte të ndryshme të albanologjisë.

Ndër shumë libra kushtuar gjuhës dhe historisë së shqiptarëve, shtëpia botuese gjermane Harrassowitz ka botuar edhe librin “Albanisch Intensiv”. Si erdhi bashkëpunimi juaj me këtë shtëpi botuese?

Që prej konstatimeve të Franz Boppit se gjuha shqipe bën pjesë në familjen gjuhëve indoevropiane, gjuha dhe kultura e shqiptarëve kanë tërhequr vëmendjen e mjaft gjuhëtarëve gjermanofonë. Në vendet gjermanishtfolëse ka pasur gjithmonë njerëz të interesuar për gjuhën shqipe dhe ndër botimet për tema të caktuara të historisë apo kulturës shqiptare kishte edhe libra për mësimin e shqipes.
Ndryshimet politike në Ballkan dhe mundësitë për të vizituar apo investuar në trevat shqipfolëse e kanë shtuar interesin për gjuhën shqipe edhe përtej gjuhëtarëve apo studiuesve të Ballkanit.
Dhe bashkë me kurset e gjuhës, lindi edhe nevoja për të përpiluar një libër të ri për shqipen. Nisma për këtë libër erdhi në vitin 2004 nga shtëpia botuese gjermane Harrassowitz, e cila është e specializuar për botime akademike librash dhe revistash shkencore ndër të tjera në lëmin e studimeve ballkanike, atyre sllavistike apo orientale.
Shtëpia botuese Harrassowitz ka një përvojë të gjatë edhe në botimin e studimeve që lidhen me albanologjinë, historinë dhe kulturën e shqiptarëve. Ndër to kolana “Albanische Forschungen” (Studime Shqiptare) themeluar në vitin 1964 nga Georg Stadtmüller, apo kolana “Balkanologische Verëffentlichungen” (Botime Balkanologjike) themeluar në vitin 1979 nga Norbert Reiter.
Unë kisha nisur të jepja shqipen si gjuhë të huaj në Universitetin e Bonit, në vitin 1990, për të vazhduar më pas në Shkollën Federale të Gjuhëve të Huaja dhe në Universitetin e Jenës. Dhe kjo përvojë si dhe botime të ndryshme, që kam bërë në fushën e albanologjisë, besoj ishin motivet pse kjo shtëpi botuese më bëri ofertën për të shkruar librin “Albanisch Intensiv”. Po ashtu në këtë shtëpi botuese ishte botuar në vitin 1997 edhe punimi im i doktoraturës në Universitetin e Bonit.

Në tregun gjerman, edhe pse fare pak, nuk mungonin librat për mësimin e gjuhës shqipe. Vetë shtëpia botuese Harrassowitz kishte botuar dy libra të Martin Camajt për mësimin e gjuhës shqipe. Përse u pa e nevojshme të botohej një libër i ri?

Vërtet që në tregun gjerman kishte disa libra për mësimin e shqipes. por disa syresh nuk bazoheshin vetëm në shqipen letrare, të tjerë mbanin ngjyrimin ideologjik të realitetit shqiptar para viteve 1990, apo kishin mangësi të tjera.
Si para edhe pas viteve 90-të libra për mësimin e shqipes nga të huajt dhe shqiptarët jashtë atdheut, janë botuar edhe në Shqipëri. Por nga përvoja ime intensive e mësimdhënies së shqipes për të huaj, këto metoda, janë pak të përshtatshme për të mësuar shqipen si gjuhë e huaj, sepse nuk hyjnë në detajet që i nevojiten një të huaji, kur mëson shqipen. Në vështirësi për mësimin e shqipes standarde me disa nga këto metoda duhet të hasin edhe fëmijët e emigrantëve, që duan të mësojnë gjuhën letrare, sepse shpesh shumica e tyre janë të ekspozuar në familje ndaj gjuhës së prindërve, e cila në varësi të zonës nga ata vijnë bart tipare e ngjyrime të ndryshme dialektore.

A mund të na jepni ndonjë shembull për këto vështirësi dhe specifika të mësimdhënies së shqipes si gjuhë e huaj?

Si shembull të tillë mund të jap sistemin foljor të shqipes. Në shkollë të gjithë mësojnë se shqipja ka tri zgjedhime: I, II dhe III, pa hyrë në hollësitë e nënklasave dhe tipeve të ndryshme të këtyre zgjedhimeve. Këto detaje të shqipes mësohen në lëndën e morfologjisë, kur studion gjuhë dhe letërsi shqipe në fakultet. Por për dikë që e mëson shqipen si gjuhë të huaj, apo për një fëmijë shqiptar që rritet jashtë atdheut, ndryshimet që pësojnë foljet e të njëjtit zgjedhim në kohët apo vetat e ndryshme, sipas nënklasave dhe tipeve, nuk janë të vetkuptueshme si për dikë që rritet me shqipen letrare. Për këtë arsye në librin tim unë kam përdorur p.sh. një klasifim tepër të detajuar të sistemit foljor, duke u nisur nga përvoja konkrete me të cilën ndesheshin studentët kur mësonin shqip. Këto përjashtime nga rregulli – dhe shqipja nuk ka pak të tilla – janë elemente të domosdoshme që duhen mbajtur parasysh nga kushdo që harton një libër për gjuhën shqipe për të huajt ose për fëmijët e shqiptarëve që rriten jashtë atdheut.

A është “Albanisch Intensiv” një libër i mirëfilltë gjuhësor apo përmban edhe elemente të tjera?https://gjc.gjirafa.com/Home/Index?type=3&gjid=85209012&v=2.1&guid=abe0508b2bba4878861b7e9e6984b79a8b6adea741904779aa52434d65a49825

Si çdo libër për mësimin e një gjuhe të huaj edhe “Albanisch Intensiv” synon të përçojë tek përdoruesit jo vetëm gjuhën, por edhe një pjesë të kulturës, të historisë dhe të letërsisë shqipe. Libri përmban pra edhe tekste kushtuar qyteteve karakteriste, tekste të përshtatura nga letërsia shqipe dhe madje leksionet e fundit u kushtohen karakteristikave dialektore të shqipes në krahasim me gjuhën letrare.
Përfshirja e këtyre kapitujve në libër bazohet po ashtu në përvojën time si mësimdhënës i shqipes për të huajt që do të shkonin në Kosovë. Pas luftës pati shumë gjermanë apo të huaj të tjerë që filluan të mësonin shqip, sepse do të punonin në misionet e ndryshme të UNMIK-ut apo KFOR-it. Për këdo nga ne është shumë i qartë dallimi i madh mes shqipes standarde që përmbajnë librat dhe realitetit gjuhësor dialektor në Kosovë apo në Shqipëri. Pra për t’i përgatitur ata që mësojnë shqipen për këtë realitet jashtë librave dhe rregullave të gjuhës standarde, në libër janë përfshirë sqarime për dallimet mes dialekteve dhe gjuhës letrare si dhe disa tekste dialektore. Disa kolegë – madje edhe ti Mimoza – u kanë dhënë jetë faqeve të librit – duke lexuar tekstet dhe dialogjet e ndryshme si në gjuhën letrare edhe në dialektet e ndryshme.

Cilit auditor i drejtohet ky libër?

Ky libër u drejtohet në radhë të parë të huajve që duan të mësojnë shqip dhe përdoret si libër bazë për mësimin e gjuhës shqipe si në universitet që ofrojnë kurse të gjuhës shqipe në Gjermani, Austri apo vende të tjera, ashtu për kurse që ofrohen nga të ashtuquajturat “universitete popullore” (Volkshochschule) apo institucione private. Por libri mund të përdoret mjaft mirë edhe nga shqiptarët jashtë vendit që duan mësojnë gjuhën letrare ose të forcojnë njohuritë e tyre gramatikore në gjuhën shqipe.