Virusi COVID19 ka bërë që shumë muzikantë e instrumentistë të njohur të anulojnë koncertet e tyre. Por, teknologjia është ajo që i ka bashkuar të njëjtit me dashamirët e muzikës së tyre gjatë kohës kur të gjitha vendet në botë po përballen me pandeminë.

Ndjekësit e muzikës tani kanë mundësinë që nga shtëpitë e tyre të ndjekin koncertet e muzikantëve me nam, si atë të kitaristit amerikan, Albert Laurence Di Meola.

Diçka e tillë është bërë e mundur të shtunën kur maestroja nga studioja e tij, për 40 minuta bëri muzikë e bisedoi më ndjekësit e tij virtualë. Al Di Meola, i njohur për krijimet tij në “jazz fusion” e “world music”, ka pasur në agjendë disa koncerte gjatë këtij muaji. Gjashtë do të duhej t’i mbante nga e diela deri ditën e parë të muajit prill. Koncertin virtual të së shtunës, kitaristi i cili ka thënë se “The Beatles” e ka inspiruar që të bëhet mjeshtër i kitarës, e nisi me kompozime nga albumi i tij më i ri “Acroos The Universe” të publikuar më 13 mars.

Ky album është i dyti më radhë, që vjen si tribut për rock-grupin e njohur britanik “The Beatles”. Në katërmbëdhjetë këngë albumi ofron një përzierje orkestrimesh në kitarë elektrike, aranzhime akustike si dhe kompozime ekzotike që paraqesin shkrirjen e jazzit me ngjyrimin e muzikës botërore. Albumi i pari ishte “All Your Life: A Tribute To The Beatles” publikuar në vitin 2013.

“Çdo ditë është një ditë e bukur dhe ne duhet që të vazhdojmë kështu”, ka thënë kitaristi, i cili koncertin e nisi me “Across the Universe”, një këngë që nuk e kishte përfshirë në album, pasi që sipas tij, i kishte mjaftuar që titullin e saj t’ia linte albumit.

Mirëpo, pas interpretimit ka thënë se është duke e menduar që edhe këtë këngë ta incizojë. Në këtë mënyrë, sipas tij, kënga do ta gjejë vendin e vet brenda mozaikut kushtuar “The Beatles”.

“Të gjithë njerëzit që kanë pritur që të na shohin live nëpër koncerte, u themi që shpresojmë që kjo të ndodhë shumë shpejt. E di që bota është e frikësuar edhe ne jemi të frikësuar, por e mira është që mund ta kalojmë këtë. Pa filma, pa muzikë nuk e di se çfarë do të ndodhte me ne./koha.net/