E kishte si mision të vetin që të jetë i fortë, e kësisoj e njohin miqtë e kolegët më afërt të Luran Ahmetit. Kishte disa arsye për këtë. “Ishte i pakompromis deri në ekstrem, që është një nga veçantitë e shumta dalluese të tij. I lindur dhe rritur në një familje të persekutuar nga regjimi komunist, ai nuk kishte si të bëhej ndryshe”, thotë për të ish-profesori i tij, e më pas kolegu, Refet Abazi. Si një ndër më të dalluarit artistë të brezit të mesëm të teatrit mbarëkombëtar shqiptar, e vlerëson regjisori Altin Basha. Miq, kolegë, e bashkëpunëtorë e kujtojnë Luran Ahmetin për shumëçka

Karizmatik dhe i mprehtë, një aktor që me praninë tij skenike jepte ngrohtësi dhe shpërfaqte sinqeritet duke mishëruar çdo rol që e merrte. I tillë ishte aktori Luran Ahmeti. Personazhe të shumta do të jetësoheshin prej tij. Të enjten humbi betejën me koronavirusin. Ishte 46 vjeç. Ata që bashkëpunuan me të pohojnë se humbja e tij do të lërë gjurmë në skenën e teatrit e filmit. I lindur më 1974, aktori Luran Ahmeti ishte pjesë e Teatrit Shqiptar në Shkup. Ndoqi studimet në Fakultetin e Arteve të Dramaturgjisë. Aftësitë e tij në aktrim e dërguan edhe në seri televizive e filma ndërkombëtarë. Në karrierën e tij mbi njëzetvjeçare u dallua për rolet në filmat “Bal-Can-Can”, “Taken 2” e “Limonata”.

KUNDËRSHTUESI KUJDESTAR

Refet Abazi, profesori i Lumit, siç e quanin ata që e njihnin e kishin miqësi me të, ka thënë se Ahmeti do të mbetet në mbamendjen e të gjithëve si artist me karizëm të veçantë. “Ishte i pakompromis deri në ekstrem, që është një nga veçantitë e shumta dalluese të tij. I lindur dhe rritur në një familje të persekutuar nga regjimi komunist, ai nuk kishte si të bëhej ndryshe”, ka thënë ai.

Siç ka treguar ai, Lumi kishte privilegjin që autorin e njohur shqiptar, Teki Dervishin, ta quajë “axha Teki”, pasi babai i Luranit, Xhabir Ahmeti, ishte shok shpirti me Teki Dervishin dhe përveçqë ndanin vokacionin e artit, pikëpjekeshin në dimensionin e persekutimit nga regjimi. Abazi ka thënë se gjatë studimeve, kur flisnin për rrethanat e vështira të personazheve, ai si prej qielli ia shkrepte: “Prof., e njoh shumë mirë atë ndjenjë. Ma kujton momentin kur policia na përzuri nga banesa dhe me babin, mamin dhe Lindën flinim në veturë, në parking, pasi vetëm prej aty nuk kishin urdhër të na largonin”. “Këtë nuk e thoshte për të provokuar empati. Përkundrazi, e theksonte si diçka të gravuar thellë brenda tij, mbi çka ai kishte shkelur fort, për të mos e harruar, por vetëm për t’u ngritur mbi atë. Kjo e kishte bërë që të kujdesej në maksimum për të mos shfaqur dobësi. E kishte si mision të vetin që të jetë i fortë”, ka thënë ai. Ka shtuar se kjo edhe ia kishte krijuar të gjitha parakushtet që të bëhej ashtu si edhe u bë: i dashur dhe bashkëpunëtor i mrekullueshëm me të gjithë ata që e donin punën dhe përkushtimin.

“E si të pres të ma çmojnë punën nëse nuk e çmoj punën e tjetrit”, kujton fjalët e Ahmetit mësuesi i tij i Akademisë, i cili veçon një karakteristikë që, sipas tij, e dallonte Ahmetin. “Ai ishte i vetmi student që të tjerët e quanin ‘kundërshtuesi kujdestar’. Kundërshtonte deri në absurditet, edhe kur nuk kishte argumente të shëndosha. Në shumë raste, kur unë mundohesha ta bindja me argumentet e mia, ai fillonte të qeshte me të madhe: ‘O prof., plotësisht keni të drejtë, por më pëlqen pasioni juaj me të cilin mundoheni të më bindni. Prandaj kundërshtoj. Kam qejf me ju pa si mundoheni të më bindni!’”, kujton Abazi. E profesori e studenti ishin takuar edhe në skenë dhe kishin bashkëpunuar në tri shfaqje. Në kohën kur Ahmeti ishte ende student luajtën bashkë në komedinë “Kishte dy pistoleta me sytë bardhezi”, pastaj në shfaqjen emblematike të Teatrit Shqiptar të Shkupit “Eshtrat që vijnë vonë” dhe në shfaqjen “Vdekja e Dantonit”, ku ai ishte në rolin e Robespjerit. Në këtë të fundit personazhet e tyre ishin të vendosur ballë njëri–tjetrit, si dy shtyllat e revolucionit francez.

“Ai priti derisa unë i shfaqa vijat bazë të personazhit. Regjisori Dino (v.j. Mustafiq) nuk e dinte këtë dhe në një provë i bëri vërejtje se është pak vonë në proces. Lurani ia priti: “Dino, është shumë kollaj të luash me profën, po pres që ai t’i shfaqë të gjitha ngjyrat që do t’i përdorë te Dantoni, që unë pastaj t’i zgjedh ngjyrat e kundërta te Robespjeri. Kështu, do ta krijojmë pikturën tonë të Revolucionit!”, ka treguar Abazi. Regjisori nuk e dinte historinë e tyre të kundërshtimeve që nga koha e studimeve. Sidoqoftë, në provat e para të mizanskenës i pa të gjitha ngjyrat që i përdorën të dy dhe i ngeli vetëm ta shijonte skenën.

PËRKUSHTIMI PËR ROLET

Sipas Abazit, studenti i tij ishte pjesë e pak projekteve kombëtare, por që ishin të mjaftueshme pasi energjia e tij krijuese ishte ajo që e dallonte dhe që e bëri pjesë të shtyllave të artit dhe kulturës. “Me largimin e tij të hershëm humbës jemi ne, pasi neve na duhet ta dëshmojmë ekzistencën tonë. Këtë do të na duhet ta bëjmë për aq sa e kemi kohën në këtë botë, duke i ruajtur ato vlera për të cilat Lurani luftoi aq shumë”, ka theksuar Abazi, duke shtuar se puna që bëri Lurani ishte e mjaftueshme për të lënë një vulë e cila e mban emblemën e familjes së tij.

Ahmeti ishte bërë po kaq i njohur për publikun në Turqi, me përfshirjen e tij në serinë televizive “Kurtlar Vadisi Pusu” (Lugina e ujqërve: prita), pastaj në “Elveda Rumeli” (2007-2009), “Bahar Dallari” (2009), “Balkan Düğünü” (2009), “Tek Başımıza” (2011), “Reis” (2011), “Karakol – Herkes Adalet İster” (2011), “Son Yaz-Balkanlar 1912” (2012) e “Mutlu Ol Yeter” (2015). Popullaritet më të madh para publikut turk i solli seria televizive për sulltanin pushtues Sylejmani I, “Muhteşem Yüzyıl” (Shekulli magjepsës), ku interpretoi rolin e Hysrev pashës. Ky rol nuk ishte i lehtë për të pasi e ballafaqoi me shumë fjalë e shprehje të cilat vinin nga turqishtja e vjetër. Këto fjalë edhe për kolegët që jetonin në Turqi ishin të zorshme për t’i shqiptuar. Por jo edhe për Luranin, pasi që, siç ka thënë profesori e më pas kolegu i tij, me skenarin në dorë, për ditë të tëra, kishte bredhur rrugëve të Stambollit duke takuar njerëz në moshë, që t’i pyeste për ato fjalë dhe shprehje.

“Kështu e kishte perfeksionuar drejtshqiptimin e tekstit para kamerave, për çka fitoi shumë respekt nga kolegët në Turqi. Koha sa punoi në Turqi e bëri të famshëm atje, ndërsa neve na ngeli vetëm të krenohemi me sukseset e tij”, ka thënë ai.

ME ZËRIN E TIJ GJUHA SHQIPE TINGËLLONTE E MREKULLUESHME”

Për regjisorin Altin Basha, aktori i njohur për thumbat e tij kritikë në adresë të politikës shqiptare ishte një ndër më të dalluarit artistë të brezit të mesëm të teatrit mbarëkombëtar shqiptar. “Ai ishte mishërues i denjë i traditës më të mirë të Teatrit Shqiptar të Shkupit. Vokali, prezenca, temperamenti dhe diapazoni i tij aktoresk ia jepnin mundësinë që të realizonte role të të gjitha gjinive dhe përmasave. Lurani ishte sa aktor i karaktereve të spikatura, po aq edhe i roleve të para”, ka thënë Basha. Sipas tij, kultura e gjerë dhe inteligjenca ia lehtësonin transformimet aktoreske dhe i mundësonin realizime aktoreske të detajuara, si në teatër, ashtu dhe në kinematografi. Aktori njihej për natyrën e tij të hareshme, sikundër edhe për dashurinë që kishte për jetën e miqtë.

“E qeshura dhe humori i tij i veçantë na bënin bisedat dhe ditët tona thjesht të bukura. Duke qenë një aktor i kërkuar dhe mjaft i angazhuar, ai ishte i çliruar nga meskinitetet dhe vogëlsitë. Duke qenë i rritur në ambient artistik, lidhja e tij me letërsinë ishte shumë e fortë”, ka thënë Basha. Ka treguar se Ahmeti dashuronte Kadarenë dhe ishte luftëtar i identitetit kombëtar. “Me zërin e tij gjuha shqipe tingëllonte e mrekullueshme”, ka theksuar ai. Basha punoi së bashku me Ahmetin në atë që mund të konsiderohet ndoshta projekti i tij i fundit teatror. Pati rolin kryesor, atë të lojtarit, në shfaqjen “Bregu i pikëllimit”, me tekst të Teki Dervishit. Shfaqja dha premierën e mbyllur në dhjetor të vitit të kaluar. E njëjta, për shkak të pandemisë, akoma nuk është dhënë për publikun.

“Duke qenë mik familjar i Luranit, bisedat me të dhe babanë e tij më shërbyen për të kuptuar dhe realizuar më mirë këtë autor të veçantë të dramaturgjisë shqipe. Ngarkesa e madhe fizike dhe aktoreske të këtij roli mund të përballohej vetëm nga një aktor i pjekur, i thellë, inteligjent dhe punëtor”, ka thënë Basha. E këto cilësi nuk i kanë munguar Ahmetit. Me vdekjen e tij, Basha ka humbur një mik të shtrenjtë e teatri dhe kinemaja shqiptare – sikur thotë ky i fundit – kanë humbur një artist virtuoz, vendi i të cilit është i pazëvendësueshëm. “Ai ishte talenti teatror i cili del nga kufijtë e interpretimit dhe shkon në krijimtari aktoreske. Më besoni se kjo është një cilësi që gjendet shumë rrallë në teatrot tona”, ka thënë ai.

“HUMBËM NJË PROMETE”

Miku i tij, aktori Dritëro Ame, me të cilin Lurani ndau skenën në disa shfaqje teatrale, ka thënë se Ahmeti ishte një aktor i kompletuar i përmasave botërore. “Njeri që nuk vlerësonte rolet me sa fjali kanë, por ato që kishte i thoshte ashtu siç duhej dhe aty ku duhej, ishte organik e intuitiv, aktor që dëgjonte edhe frymën e fundit të partnerit, dirigjues me sy në situatat më të vështira, njeri që dinte të nxirrte nga çdo lloj situate këdo”, ka thënë ai, duke shtuar se ishte gjithashtu një baba i devotshëm dhe njeri i përkushtuar me gjithë qenien e tij ndaj familjes dhe kombit, njeri që i kundërvihej çdo padrejtësie që bëhej ndaj shqiptarëve.

“Humbëm një Promete”, ka thënë ai për mikun me të cilin për herë të fundit e ndau skenën për shfaqjen “Bregu i pikëllimit”. Për herë të parë në skenë i bëri bashkë shfaqja “Metoda”, me tekst të Hordi Galceranit, nën regji të Ilir Bokshit, në Teatrin Shqiptar të Shkupit, ku Ahmeti pati rolin e Frank Poterit. E, ndërkohë, kishin nisur edhe provat për shfaqjen “Ballkoni” të Zhan Zhenetit, nën regji të Arben Kumbaros. Për shkak të pandemisë, aktorët u detyruan t’i ndërprisnin provat. “Humbëm një njeri të pazëvendësueshëm, një aktor që hynte dhe realizonte çdo rol që i jepej, një aktor me bagazh shumë më të madh sesa mosha që kishte”, ka thënë Ame.

Bajrush Mjaku ka thënë se miku i tij, Luli, ishte një vlerë profesionale si dhe një nga shtyllat kryesore të teatrit shqiptar. “Ishte aktor me një perspektivë të shëndoshë dhe unë kisha shpresë se Luli, bashkë me kolegët e tij, do ta vazhdonin misionin e Teatrit Shqiptar në planin e kultivimit dhe prezantimit të kulturës teatrore të të gjithë shqiptarëve në botë”, ka thënë ai. E, Adem Karaga, drejtori i Teatrit të Shkupit, ka thënë se vdekja e Ahmetit ka lënë një vakum jashtëzakonisht të madh në teatrin shqiptar, pasi që humbi një aktor me zemër shumë të madhe dhe një punëtor të jashtëzakonshëm.

ZBËRTHIMI I KARAKTEREVE

Luran Ahmeti ishte i njohur po ashtu për rolin e tij në filmin aksion të vitit 2012 “Taken 2”, nën regjinë e Olivier Megaton, që shënoi përfshirjen e tij në një nga projektet më të rëndësishme kineaste. Aktori Arben Bajraktaraj, i cili luajti në pjesën e parë të këtij filmi, ka thënë se vdekja e Ahmetit është tronditëse dhe humbje e madhe për teatrin e filmin. Ata nuk e kishin pasur rastin të punonin së bashku, por për Ahmetin kishte dëgjuar nga miqtë e përbashkët të cilët çdoherë e lavdëronin, pasi ai kishte fituar simpatinë e të gjithë atyre me të cilët kishte bashkëpunuar. Në kinematografinë kosovare Ahmeti mbahet mend nga përfshirja në serinë “O sa mirë”.

Duke e përshkruar si kënaqësi punën në serinë “O sa mirë”, kolegu e aktori Shkëlzen Veseli ka thënë se Ahmetin e karakterizonte dashuria për profesionin dhe për kolegët. “Në çdo shfaqje që luajti ndërtoi personazhe që linin shenjë në kuptimin artistik”, ka thënë ai. E aktori tjetër i këtij seriali, Ernest Zymberi, ka treguar se kishte kontaktuar së fundi me Ahmetin, i cili ishte i shtrirë prej kohësh në Klinikën Infektive në Shkup, dhe se ishte i bindur se ai do t’ia dilte ta mundte këtë betejë të pamëshirshme. Ka thënë se vdekja e Ahmetit është humbje e mikut dhe artistit të jashtëzakonshëm. Ahmeti po ashtu ishte pjesë e filmit “Një tregim Prishtinë”, nën regji të Burbuqe Berishës. Sipas regjisores, ai ishte një profesionist i shkëlqyeshëm. “Ishte një aktor i përmasave botërore dhe vlerë e shtuar e popullit tonë si pasuri kombëtare”, ka thënë Berisha, e cila duke evokuar bashkëpunimin nga ky film ka vlerësuar se Ahmeti ka bërë kreacion me rolet e tij në teatër dhe film.

Për Ahmetin, e veçanta e profesionit të tij ishte ndjenja momentale. “Ne gjithmonë duhet të jetojmë rrethana të caktuara në një moment të caktuar dhe duhet shpesh ta kthejmë rrethanën e caktuar në një moment të caktuar. Kjo nga anash mund të duhet e lehtë, por nuk është ashtu”, kishte thënë ai në emisionin “Talk”, të transmetuar në Kohavision më 24 qershor 2017. Aty kishte veçuar se me rëndësi janë edhe laramania e karaktereve dhe zbërthimi tyre deri në detaje, diçka që kushdo që ka bashkëpunuar me Ahmetin ka pohuar se ai e ka bërë me shumë finesë. Kërkonte role që ia merrnin zemrën dhe jo role që do t’i sillnin famë. “Nëse prioritet e keni famën, atëherë kurrë nuk do të prosperoni”, kishte thënë ai në intervistën e realizuar para katër vjetësh. Aktori nuk besonte në rastësi dhe nuk ia linte punët asaj. Çdo herë jepte maksimumin e tij, në çdo rol e në çdo shfaqje, duke mos pranuar asnjëherë dështimin. (koha.net)