Nuk pres të më besojë kush tjetër, përpos atij që i drejtohen. E nëse dhe ai, adresati im i shtrenjtë, nuk do të më besojë, s’më mbetet më gjë tjetër, përpos se të përmbush vullnetin tim të rrëfimit, të dënuar me mosbesim. Dhe qoftë ky mosbesim dhe ndëshkimi im më i rëndë, përfundimtar! Dhe s’do ta vras më mendjen, nëse është ndëshkim i merituar apo i pamerituar, sepse gjithçka që na ndodh, e mirë apo e keqe, na ndodh ngaqë, thellë-thellë, e meritojmë.

* * *

Pse erdhi, mendoja me pezëm, ç’i duhej të vinte? Për të më torturuar? Që ta ndiej veten akoma më pleh? Ajo i kishte marrë vesh me kohë të gjitha, të qenat e të paqenat që kishte shkruar shtypi. Si mund të vinte ajo të shihte një vrasës, i cili e kishte dashuruar me gjithë zjarrin e gjakut e të eshtrave, prej të cilit kishte frytin e ngjizjes në bark, apo, siç e quajti ajo njëherë, frytin e dhunës? Ende nuk kishte folur një fjalë dhe prisja të më kthehej, të m’i thoshte në sy të gjitha ato që i kishte bluar gjatë në mendje, zhgënjimet, urrejtjet, mallkimet… se për çfarë gjëje tjetër kishte ardhur?! Dhe unë e vështrova drejt në sy, i gatshëm t’i thosha: jepi! Ja ku më ke, zbraze gjithë urrejtjen, dëshpërimin, mërzinë, por ama ngopu mirë, që të mos kesh nevojë ta marrësh rrugën prapë deri në Peqin. T’i shprehja mirënjohjen time për të gjitha sharjet dhe mallkimet që e sollën e që më dhanë mundësinë ta shoh edhe një herë…

S’tha asgjë nga ato që prisja. Ajo m’i zuri të dyja duart, m’i mori mes pëllëmbëve të saj. Unë u hutova, u pështjellova, ndieja se nuk e përballoja më.

* * *

– Shih, – i thashë, – shih, o Zot! Nuk e ke vënë re?

– Nishanin nën mollëz?

– Është blu e thellë, Sesilë! Si ka mundësi?

– Epo i ngjan të atit, çfarë çudie ka këtu?

– Por si… si është e mundur kjo? Kush ma shpjegon këtë? Shkrimet e shenjta me mrekullitë e tyre? Shkenca? Kush…?

– Shkrimet e shenjta dhe shkenca janë dy anët e një medaljeje, Adrian. Por po ta shpjegoja sipas shkencës, do të më duhej një shtjellim i gjatë i një koncepti, që në shkencën e psikologjisë dhe gjenetikës quhet “telegonia”.

– E cila thotë…?

– Shshsh! – bëri ajo me gisht ndër buzë. – U deh me qumësht dhe po fle.

Ndërsa mua m’u duk sikur kuptimi i “telegonisë” që desha të di prej saj do të thoshte: “Shshsh!”

Por atë që mësova ndër lexime të shumta rreth këtij misteri të krijimit, e urreva me shpirt dhe kurrën e kurrës nuk e pranova (e s’kam për ta pranuar!). E urreva jo se nuk e kuptova (ishte shumë e thjeshtë në ndërlikueshmërinë e vet): e urreva, siç urrehen ca lloje të vërtetash, të cilat jemi të paravendosur të mos i pranojmë, pavarësisht qortimit të përjetshëm, që na sheh në trajtën e një nishani blu të errët nga fytyra e pafajshme e një foshnje…

(Fragmente nga romani “Arratia e fundit e Baltazar Ketës”, në proces botimi nga Sh. B. “Onufri”, Tiranë)