Artisti Agim Sulaj është fitues i çmimit të parë në Festivalin Ndërkombëtar të Karikaturës në Piracicaba të Brazilit.

Vepra fituese e artistit të njohur shqiptar u vlerësua këtë vit për karikaturën e presidentit Donald Trump. Ishte një çmim i dhënë nga këshilli bashkiak i Piracicabas dhe përzgjedhja e 2176 veprave të ardhura nga gjithë bota nxori fituese veprën e artistit Agim Sulaj, për karakteristikën e saj të veçantë. Nëpërmjet një dore të jepet karakteri dhe ngjashmëria në tërë madhështinë e saj.

Ky festival këtë vit ishte në 46 vjetorin e tij dhe ka promovuar fitues artistë të artit të satirës nga më të njohurit në botë. Me një aktivitet të vlerësuar me punët e tij, këtë herë për vlerësimin e radhës në Brazil artisti Agim Sulaj shprehet se e priste çmimin e madh. “Ky vlerësim i dedikohet një vepre për të cilën, që ditët që e realizova e dija që do të fitoja. Nga eksperienca personale veprat fituese kanë një “llampushkë” të veçantë, e cila më vjen gati. Thjesht mua më mbetet vetëm realizimi” pohon ai.