Nga: David Alexander / The Daily Telegraph

Holivud, 1942. Mickey Rooney ishte ylli më i madh në botë. I kishte kaluar tri vjet rresht si aktori më i suksesshëm në aspektin komercial. Kishte fituar një çmim special Oscar për yjet fëmijë dhe ishte nominuar edhe për një Oscar për aktorin më të mirë të rritur. Laurence Olivier e quajti “aktori më i madh nga të gjithë”. Dhe, ishte gati të martohej me Ava Gardnerin.

Milton Kejns, 2009. Gjashtëdhjetë e shtatë vjet më vonë dhe pas tetë martesave, Mickey Rooney i vobektë bënte pantomimë me Bobby Davronin dhe finalistin e Big Brother VIP-së, Ben Adams. E kaluara e tij e trazuar përfshinte varësinë nga ilaçet, falimentimet e shumta dhe vrasjen tragjike të gruas së tij të pestë nga ish-dashnori i saj.

Zgjedhjet e tij në karrierë ishin gjithnjë e më të çuditshme dhe ai abuzohej nga i biri i cili u akuzua se nuk i kishte dhënë ushqim dhe ilaçe Rooneyt, ndërkohë që përdorte paratë e yllit të moshuar për ta financuar jetën e vet luksoze.

Nuk ka yje moderne si Mickey Rooney, i cili vdiq 10 vjet më parë. Më i madh se jeta, me vetëm 157 centimetra gjatësi, Rooney mund të aktronte, të këndonte, të kërcente, të luante në piano (dhe kompozoi një simfoni të respektueshme), të të bindte si në komedi ashtu edhe me Shekspirin, dhe të flinte me shumicën e grave më të famshme të Hollivudit – pavarësisht se dukej, siç e përshkroi veten, “gjysmë njeri, gjysmë xhuxh”. Dhe, i bëri që të gjitha këto në jetën e vet personale që ishte më e çuditshme sesa letërsia më e çuditshme.

Pas fillimit kaq spektakolar, asnjë aktor tjetër nuk e ka përjetuar rënien kaq të gjatë – si në jetën private ashtu edhe në publik.

Djaloshi i artë i Holivudit: Mickey Rooney

Rooney lindi si Joseph Yule, Jr., në vitin 1920, nga prindërit artistë të burleskës në Bruklin. Përvoja e tij e parë në biznesin e spektaklit ndodhi gjatë 15 muajve të parë të jetës, kur u paraqit në shfaqjen e prindërve të vet i veshur me një kostum në miniaturë dhe duke pirë puro prej gome.

Prindërit e Rooneyt u ndanë dhe ai udhëtoi në Holivud me nënën e vet. Në moshën gjashtëvjeçare bëri debutimin në ekranin e madh dhe merr rolin e karakterit Miki Mekguajër [Mickey McGuire] – rol të cilin e luajti për 60 vjet në 80 filma dhe që ia dha emrin Mickey Rooney.

Në vitin 1935, 15-vjeçari Rooney dha performancën më të mirë të karrierës, kur u shqua si Paku i Ëndrrës së një nate vere, me rolin që e ndërtoi duke iu përkushtuar habive të botës tjetër – duke e zbukuruar dialogun shekspirian me tinguj të çuditshëm dhe duke e fuqizuar fantazmagorinë e filmit me stilin e vet të energjisë së furishme.

Roli përcaktues i Rooneyt si adoleshenti i guximshëm Endi Herdi [Andy Hardy] dukej relativisht i frenuar dhe i parashikueshëm. Por, e luajti në 16 filma shumë të njohur të viteve 1937-1958.

Filmat e Endi Herdit e bënë Rooneyn yllin më të madh në botë, një status të cilin e kishte kur 19-vjeçarja Ava Gardner mbërriti në MGM në vitin 1941. Gardner ka thënë se “praktikisht ishte ende fëmijë” kur e takoi për herë të parë burrin e saj të ardhshëm. “Ende nuk e dija se ai ishte ujku më i madh në tufë. Ishte tërheqës për zonjat. Dhe, këtë ai e dinte”.

Mickey Rooney në moshën pesëvjeçare

Gratë që ranë pas sharmit të Rooneyt, gjatë kulmit të famës së tij, përfshinin listën e gjatë të talenteve të MGM-të, nga e famshmja Norma Shearer që ishte 20 vjet më e vjetër se Rooney gjatë lidhjes së tyre, tek e reja Lana Turner e cila Rooneyn e quajti “Endi erektiv”!

Gardneri shpejt u pëlqye edhe nga Rooney dhe dyshja u martuan. Megjithatë, marrëdhënia e tyre ishte një luftë e përhershme për pushtet, e prirë për shpërthime të mëdha emocionale. Rooney gjithmonë e mohoi tradhtinë, por Gardner pretendoi se burri i saj ishte gjithmonë kurorëshkelës. Për hakmarrje, pasi flinin bashkë, ajo e tallte trupin e tij të vogël. Kur Rooney i dehur para Garderit e lexoi listën me emrat e grave me të cilat kishte fjetur – duke dhënë komente shoqëruese mbi pikat e forta dhe të dobëta të tyre në dhomën e gjumit – durimi i saj me të mbaroi dhe ajo e merr vendimin e guximshëm për t’u ndarë nga djaloshi i artë i Amerikës.

MGM u përpoq të heshtte historitë e sjelljes së keqe të Rooneyt. Audienca nuk e dinte se mungesa e seriozitetit të Endi Herdit në jetën reale shtrihej te shthurjet dhe te varësia nga droga.

Vesi i drogës së Rooneyt në fakt u iniciua nga studiot e filmit. Ashtu si shoqja e tij e ngushtë dhe ylli i filmit Judy Garland – aktore e rrallë kryesore me të cilën ai nuk flinte – Rooneyt i jepeshin pilulat për ta mbajtur të kthjellët gjatë orareve të vështira të xhirimeve. Pas përfundimit të xhirimeve, ia dhanë tabletat e gjumit – për të vazhduar pastaj me raundin tjetër të stimuluesve (ndoshta amfetaminat), për të nxitur orarin tjetër të punës prej 72 orëve. Varësia nga droga zgjati deri në të shtatëdhjetat, kur pilulat e gjumit e shtynë të shtrohej në spital për shkak të lodhjes.

Ava Gardner dhe Mickey Rooney

Në vitin 1944, Rooney u thirr në ushtrinë amerikane ku zbaviti më shumë se dy milionë trupa gjatë 21 muajve në shërbim. Derisa ishte në ushtri, Rooney u takua me gruan e tij të dytë, Betty Jane Phillips, por martesa e tyre përfundoi shpejt pasi filloi. Më pas, në më pak se një dekadë, i pati dy martesa të tjera.

Karriera e Rooneyt u lëkund pas kthimit nga ushtria. U braktis nga MGM-i i tij i dashur dhe performoi në filma të çuditshëm ku personaliteti i tij i hareshëm ishte i papërshtatshëm për ekran. Në vitin 1961 merr vendimin më të gabuar të karrierës dhe e luan personazhin japonez Mr. Yunioshi – në Mëngjesi në Tifani [Breakfast at Tiffany’s]. Performanca u kritikua si racizëm grotesk, por mbetet roli me të cilin Rooney njihet më shumë.

Bankrotoi në vitin 1962, i gjymtuar financiarisht nga dekadat e tëra të investimeve të gabuara dhe nga varësia nga bixhozi. (Dikur i habiste madje gangsterët që luanin poker, kur humbte 50 mijë dollarë në Kazinonë Riviera të Las Vegasit.) Në vitin 1996, sërish falimentoi, pavarësisht se kishte fituar 65 mijë dollarë në javë në kulmin e viteve tetëdhjetë. Vështirë mund të dihet çmimi përfundimtar i zakonit të tij të bixhozit. Por, disa muaj para se të vdiste, ai tha: “I p… milionat”!

https://youtube.com/watch?v=Hb3gdUrIC4Q%3Ffeature%3Doembed

Vitet gjashtëdhjetë ishin dekada më e dhimbshme e jetës së yllit. Në vitin 1958 ishte martuar me Barbara Ann Thomasonin, një mis bukurie 17 vjet më e re se ai. Në martesën e tyre u rishfaq shija e Rooneyt për tradhtinë bashkëshortore dhe, si reagim ndaj të tradhtisë së burrit, Barbara Ann nisi një lidhje me aktorin dhe kaskaderin e vrullshëm serb, Milos Milos.

Jeta e Milosit ishte pothuajse e kundërta e Rooneyt. Vinte nga një familje e fuqishme, pasuria e së cilës ishte shpronësuar me forcë nga sovjetikët. Milosi përfundoi duke bërë probleme në rrugët e Beogradit, derisa rrethanat e rastësishme ia dhanë detyrën e pazakontë si truproje e yllit francez të Valës së Re, Alain Delon, dhe nga aty Milosi shkoi në Holivud ku takoi Mickey Rooneyn dhe gruan e re të aktorit simpatik në mesomoshë.

Kur u kthye në shtëpi, pas xhirimeve në Filipine, Rooney zbuloi se Barbara Ann dhe Milosi e kishin një aferë. Çifti i martuar vendosi të shkurorëzohej, por e negociuan pajtimin – me kushtin që Barbara Ann të mos e takonte më të dashurin e saj të ri.

Mickey Rooney dhe Barbara Ann Thomason me vajzën e porsalindur Kelly

Natën e 30 janarit 1966, Barbara Ann i tha Milosit atë për çfarë ajo dhe Rooney ishin pajtuar – pikërisht kur Rooney u shtrua në spital, për trajtimin e një sëmundjeje të gjakut të cilën e kishte marrë jashtë vendit. Të nesërmen në mëngjes, një mysafir në shtëpinë e Rooneyt në banjë gjen të vdekur Barbara Annan dhe Milosin. Ajo u vra me plumb në nofull; ai e qëlloi veten në kokë.

Policia e mbajti Milosin përgjegjës për këtë “vrasje-vetëvrasje” të dukshme, megjithëse u përhapën zërat se Rooney mund ta kishte kryer vrasjen për shkak të hakmarrjes. Megjithatë, Rooney ishte me ilaçe atë natë dhe plotësisht i pavëmendshëm për vrasjen e gruas. Kur të nesërmen i treguan, u trondit aq shumë saqë iu zgjat qëndrimi në spital. “Vdiqa kur vdiq ajo”, ka shkruar ai në autobiografinë e vet.

Pas kësaj tragjedie, karriera e Rooneyt përjetoi ringjallje graduale. Kompensimi i zhgënjimeve nga kritika dhe dështimi komercial, u bë me disa role të arritura. Ato erdhën me filmin Palp [Pulp] të vitit 1972, në të cilin e luajti gangsterin përkrah aktorit Michael Caine – në një ballafaqim surreal të universeve kinematografike – dhe në vitin 1979 me Hamshorin e zi [The Black Stallion] për të cilin u nominua për Oscar, megjithëse nuk e fitoi.

Judy Garland dhe Micke Rooney (1941)

Megjithatë, një tjetër çmim Oscar ishte afër. Në vitin 1983, Bob Hope, kolegu i Rooneyt – veterani i Epokës së Artë të Holivudit – ia dorëzoi atij një Oscar nderi. Turma ku ishin Dustin Hoffman dhe Richard Pryor, u ngrit për ta duartrokitur yllin performancat më të famshme të të cilit u shfaqën para se të lindnin ata.

Rooney tashmë ishte më shumë ndjesi sesa interpretues. E solli një lidhje autentike me botën e vjetër të estradës, pasi luajti për pesë vjet në muzikalin Sheqerkat [Sugar Babies] dhe bëri turne me gruan e vet të tetë dhe të fundit, Jan Chamberlin – në një shfaqje me buxhet të vogël dhe të stilit së vjetër. Rooney e nisi jetën në skenë dhe në pleqëri sërish u kthye në skenë.

https://youtube.com/watch?v=ia4cwxbM5zA%3Ffeature%3Doembed

Më e papritura nga të gjitha vendimet e tij të karrierës, në periudhën e vonshme, ishin pranitë e tij të shumta në pantomimën britanike. Kur Telegraph-i e intervistoi në vitin 2007, performonte si Baroni Hardap në një shfaqje të së Përhiturës [Cinderella] në Teatrin Perandorak të Sanderlandit – së bashku me Les Dennisin dhe Michelle Heatonin. U shfaq në dy pantomima të tjera rajonale, para se të mbaronte dekada.

Kritikat për Rooneyn, yllin e moshuar e bënin të rëndësishëm – në një vend të huaj dhe në një shekull të huaj. Por, e përmendën gjithashtu reagimin jashtëzakonisht të dashur të audiencës që shikonte paraqitjet e tij në skenë. Rooney gjithmonë ishte interpretues shumë i dashur – edhe në rrethanat më të jashtëzakonshme.

Dashuria e publikut ishte sidomos e rëndësishme për Rooneyn gjatë viteve të tij të fundit, kur ai e akuzoi thjeshtrin e vet, Christopher Aber, se për një kohë të gjatë kishte abuzuar me të. Rooney pretendoi se me vite kontrollohej nga Aberi i cili ia kishte mohuar qasjen në ushqim dhe në ilaçe, ia kishte konfiskuar letërnjoftimin dhe çmimet, dhe se ia kishte grabitur të ardhurat e tij të mëdha. Disa javë pasi për Aberin më në fund u lëshua urdhri për ndalim, Rooney u shfaq para Senatit të ShBA-së për të dëshmuar emocionalisht mbi poshtërimet që kishte pësuar dhe për të bërë lutje për ndërgjegjësim më të madh për “abuzimin e të moshuarve”. Ishte momenti i tij i fundit i rëndësishëm në sytë e publikut.

Heroi i dërrmuar, Micke Rooney

Rooney vdiq më 6 prill 2014, duke lënë pas një pasuri me vlerë të vetëm 18 mijë dollarëve dhe një familje të ndarë – debatet e së cilës mbi trashëgiminë e yllit filluan menjëherë pas vdekjes së tij.

Mbulimi mediatik i vdekjes së Rooneyt u fokusua në dekadat e dhimbshme dhe tragjeditë famëkeqe që përjetoi. Vanity Fair e quajti “përplasja origjinale e trenit të Holivudit”. Por, kushdo që shikon filmat e tij sot, preket nga mungesa e plotë dhe e vazhdueshme e vuajtjeve në ato realizime. Sepse, për gati një shekull Rooney e luajti mishërimin e optimizmit të Holivudit. Ndoshta Olivier kishte të drejtë kur tha se ishte “aktori më i madh nga të gjithë”